1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Test i rëndësishëm për zgjedhjet parlamentare të shtatorit në Gjermani

Ç'konkluzione nxjerrin partitë në Berlin nga rezultatet e zgjedhjeve për parlamentet e landeve në Saksoni, Tyringi dhe Zarë për fazën e nxehtë të fushatës elektorale?

Gjermania voton

Gjermania voton

Humbje të dhimbshme në landet e Zarës dhe Tyringisë - në shtëpinë e Konrad Adenauerit, qendrën e partisë CDU (Unionit Kristian-Demokrat ) në Berlin atmosfera ishte e mbytur. "Dritë e hije", me këto fjalë e komentoi rezultatin sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Ronald Pofalla. Nga njëra anë CDU-ja mbetet në të tria landet partia politike më e fuqishme, nga ana tjetër ajo mund të humbasë dy kryeministra varësisht nga rrjedha e negociatave ndërpartiake për formimin e koalicioneve.

Megjithatë në skenën politike gjermane vazhdon të udhëheqë qartë ende CDU-ja, tha sekretari parlamentar i saj, Norbert Rëttgen: "Nëse CDU-ja nuk është mjaft e fortë atëherë nuk ka as raporte të qarta. Gjermania ka nevojë në kohë krizash për stabilitet dhe raporte të qarta dhe ato mund t'i ketë me një CDU të fortë. Dhe ky në të vërtetë është mesazhi politik në rrafshin federal nga mbrëmja e sotme".

Reagime të ndryshme në radhët e CDU-së dhe të SPD-së

Ndërsa kancelarja gjermane, njëkohësisht dhe shefe e CDU-së, Angela Merkel pati theksuar para zgjedhjeve se rezultati i tyre nuk është provë për zgjedhjet e përgjithshme, sfiduesi i saj social-demokrat u gëzua për humbjet që pësuan kristian-demokratët.

Kandidati kryesor i SPD-së në landin e Zarës, Heiko Maas

Kandidati kryesor i SPD-së në landin e Zarës, Heiko Maas

Për zgjedhjet e përgjithshme nuk është vendosur ende, tha kandidati i social-demokratëve, Frank-Walter Steinmeier, i cili u prit me brohoritje nga ithtarët e tij: "Kjo është një mbrëmje e mirë e zgjedhjeve për SPD-në: humbje dramatike për CDU-në dhe një është e sigurtë: Vendit nuk i pëlqen një aleancë mes kristian-demokratëve dhe liberalëve".

Pra shpresat e Steinmeier-it për një kthesë në zgjedhjet e përgjithshme më shumë mund të bazohen në humbjet që pësuan kristian-demokratët sesa në rezultatet që arritën social-demokratët.

Vetëm në landin e Tyringisë socialdemokratët arritën rezultat më të mirë se në zgjedhjet e kaluara, në Saksoni ata mbeten po aq të fortë sa ishin deri tani, në landin e Zarës pësuan humbje.

Frank-Walter Steinmeier i kënaqur për humbjet e CDU-së (30.08.09)

Frank-Walter Steinmeier i kënaqur për humbjet e CDU-së (30.08.09)

Por në negociatat për formimin e koalicioneve në Zarë dhe Tyringi fjala e tyre do të ketë peshë, madje në landin e Zarës ata mund të fitojnë edhe postin e kryeministrit.

Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Franz Müntefering tha: "Ne jemi gjithnjë të interesuar për një koalicion me të gjelbrit, eventualisht edhe bashkë me të majtët, por kjo duhet të vendoset atje ku janë zhvilluar zgjedhjet. Për rrafshin federal është shumë e qartë: aty nuk do të ketë bashkëpunim me të majtën".

Partitë opozitare të gëzuara prej rezultateve

Edhe tri partitë opozitare i festuan përfundimet e zgjedhjeve të së dielës. Partia "E majta" (Die Linke), të gjelbrit dhe liberalët - të gjithë arritën rezultate shpresëdhënse për zgjedhjet e përgjithshme të 27 shtatorit. Para së gjithash triumfoi E Majta. Në landet e Tyringisë dhe të Saksonisë ajo arriti të bëhët forca e dytë politike dhe në landin e Zarës fitoi 19 përqind të votave.

Autor: Nina Werkhäuser/Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 31.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JLxv
  • Data 31.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JLxv