1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Terrori nuk është vetëm fushë veprimi e meshkujve

Autoritetet franceze zbuluan një celulë terroriste femrash, që do të kryente një atentat. Mund të jetë e pazakontë që femrat të përfshihen në akte terroriste në Francë. Në vende të tjera kanë kohë që e kanë bërë këtë.

Të premten, Prokurori i Parisit, Francois Molins tha se tri femrat - të moshave 19,23 dhe 39 vjeç - qenë frymëzuar dhe i ishin përbetuar për mbështetje "Shtetit Islamik".

"Përfytyrimi se Shteti Islamik i sheh gratë si shtëpiake dhe që roli i tyre është në familje i përket së shkuarës", u tha Molins përfaqësuesve të medieve në një konferencë shtypi të premten. Ai shtoi se "organizata terroriste përdor jo vetëm meshkujt, por edhe femra të reja, të cilat i kuptojnë dhe i përpunojnë projektet e tyre në mënyrë virtuale."

Atentat potencial

Policia i arrestoi femrat natën e së enjtes në Boissy-Saint-Antoine, rreth 30 km larg Parisit. Molins tha se policët kishin hapur zjarr dhe patën plagosur njërën prej tyre, pasi dy nga femrat i sulmuan ata me thika.

Arrestimet kanë lidhje me një veturë të braktisur të gjetur pranë Katedrales Notre Dame në fundjavë dhe të ngarkuar me bombula me gaz. Hetuesit gjetën një çarçaf dhe një bisht cigareje të lagur me benzinë pranë tyre, tha Molins. Ai shtoi se shpërthimi i vetëm njërës nga bombulat mund ta kishte hedhur në erë veturën.

Efekti i radikalizimit

Fakti që gratë tregohen të interesuara për terrorizmin nuk vjen si shok për shumë vëzhgues të terrorizmit.

"Unë nuk jam e habitur", tha Dounia Bouzar, një antropologe që ka punuar me shumë të rinj francezë të radikalizuar dhe me familjet e tyre. "Unë kam dy vjet që flas për këtë."

Bouzar thotë se gratë mund të tërhiqen nga ekstremizmi islamik për arsye të ndryshme - në kuadër të mundësisë për të kryer punë humanitare në Siri. Ose ndoshta duke u martuar me luftëtarë të Shtetit Islamik. Por metodat e rekrutimit dhe procesi i radikalizimit mbetet i njëjti si për meshkujt.

"Këto gra janë po kaq të çhumanizuara sa meshkujt," tha Bouzar. "Ato duan të vdesin. Ato duan të vrasin."

Për Shtetin Islamik dhe grupe të tjera militante, femrat mund të kthehen në një armë të papritur, thotë Bouzar.

"Asgjë e re"

Femrat kanë ndërmarrë atentate në Azinë Jugore, në Afrikë dhe në vende të tjera. "Kjo ndodh jashtëzakonisht shpesh me Tigrat e Tamilit dhe me Boko Haramin që e bën këtë thuajse çdo ditë", thotë kriminologu francez Alain Bauer, që u referohet femrave atentatore vetëvrasëse, të përdorura nga grupe militante në Sri Lanka dhe në Nigeri. "Mund të duket e re, sepse ndodh këtu - por në vetvete nuk është fare e re."

Mediat franceze raportuan se femrat që u arrestuan të enjten kishin qenë në kontakt me Hayat Boumeddiene, partnere e terroristit Ahmedy Coulibaly, e cila u arratis në Siri pak para se Coulibaly të vriste katër vetë në një supermarket hebre në Paris, në janar 2015.

"Femrat janë më të zgjuara - ato janë më skeptike," tha Bauer. "Ato gënjejnë më mirë se meshkujt."

Gazetari Mathieu Suc, autor i një libri për femrat terroriste thotë se megjithëse Shteti Islamik i ka përdorur meshkujt kryesisht si mish për top dhe grave u ka caktuar role mbështetëse - një numër femrash të reja duan të kalojnë në aksion. Gratë janë shpesh nxitëset, thotë ai.

Rreth 200 femra ndodhen midis 700 nënshtetasve francezë që janë aktualisht në zonat e kontrolluara nga Shteti Islamik në Irak dhe në Siri, tha ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneueve javën e kaluar.

Antropologia Bouzar thotë se tani autoritetet franceze do të zhvillojnë "kërkime, verifikime të bazuara në referencat islamike dhe në faktin nëse gratë janë të mbuluara me ferexhe".

"Kjo nga ana tjetër mund të shtojë sensin e persekutimit midis myslimaneve", thotë Bouzar - "dhe ky është hapi i parë drejt radikalizimit".