1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Terror në Rusi: frika sërish bashkëudhëtare

Rreth katër muaj para Lojërave Olimpike në Soçi, Rusia tronditet nga një atentat terrorist në Vollgograd. Rreziku, që ishte spostuar së fundi, ka dalë sërish në plan të parë.

"Rusët ndihen tani më të sigurtë në udhëtime me mjetet e transportit publik". Instituti shtëror i studimit të opinioneve, WZIOM në Moskë njoftoi në fund të gushtit 2013, që dy të tretat e të anketuarve ishin të kënaqur me masat e sigurisë në autobuzë, në tramvaje e trena si dhe në mjete të tjera të qarkullimit. Frika nga atentatet terroriste në dy vitet e fundit "është pakësuar në mënyrë të konsiderueshme", bëri të ditur Instituti.

Vejushë e zezë nga Kaukazi verior

Që prej së hënës së sotme (21.10.13), frika është rikthyer. Në një autobus linje të qytetit të Rusisë jugore, Vollgograd, një grua e hodhi veten në erë. Të paktën gjashtë vetë të tjerë e humbën jetën. Autoritetet ruse të sigurisë besojnë se kemi të bëjmë me një atentat terrorist. Disa prej të plagosurve janë në rrezik për jetën, kështu që numri i viktimave mund të rritet. Dyshimi bie mbi një të ashtuquajtur "vejushë të zezë". Kështu quhen bashkëshortet ose të afërmet e luftëtarëve islamikë, që ushtrojnë atentate terroriste. Në këtë rast, sipas autoriteteve bëhet fjalë për një grua rreth të 30-ave nga Mahaçkala, kryeqyteti i republikës ruse të Dagestanit në Kaukazin e veriut.

Masa të shtuara sigurie

Që rusët janë ndierë të sigurtë deri së fundi, kjo mund të ketë të bëjë me shtimin e masave të sigurisë. Ai që hipën në një tramvaj apo në autobusin e qytetit paralajmërohet përmes altoparlantëve dhe lajmërimeve për atentate eventuale terroriste. Udhëtarëve u kërkohet që të njoftojnë për bagazhet e dyshimta menjëherë shoferin e trenit ose të autobusit.

Që prej korrikut 2013, të dhënat personale të të gjithë udhëtarëve regjistrohen në një bazë të dhënash qendrore, të cilën e shfrytëzon edhe shërbimi i fshehtë i vendit, FSB. Edhe kjo mendohet se e rrit sigurinë në transportin publik. Parlamenti planifikon që t'i ashpërsojë edhe më tej masat e sigurisë. Një projektligj parashikon shtimin e përdorimit të armëve nga forcat e sigurisë.

Luftëtarët islamikë vazhdojnë luftën

Luftëtarët islamikë vazhdojnë luftën

Dagestan: provinca më e rrezikshme e terrorit

Që prej shpërthimit të luftës në Çeçeni në vitin 1994, në Rusi ka pasur disa atentate spektakolare. Edhe nëse Moska e ka shpallur prej kohësh të përfunduar luftën, grupe terroriste islamike e vazhdojnë në ilegalitet fushatën kundër shtetit rus. Megjithatë, zona më e rrezikshme nuk është bërë Çeçenia, por provinca e Dagestanit. 60 përqind e 316 atentateve terroriste, që numëroi në vitin 2012 Komiteti Antiterror i Rusisë, kanë ndodhur në Dagestan. Në këtë vit, përqindja duhet të jetë e ngjashme. Thuajse përditë ka atentate në të cilat vriten shumicën e rasteve policë ose përfaqësues të drejtësisë. Kështu për shembull, në fund të shtatorit 2013, gjykatësin më të lartë të Dagestanit e vranë së bashku me të birin në veturën e tij.

Janë penguar atentate

Ndërsa Moska dhe qytete të tjera të mëdha ruse që prej tri vjetësh nuk janë prekur nga atentatet terroriste. Së fundi ishte janari 2011 kur në aeroportin e Moskës Domodedovo shpërtheu një bombë. Në atentatin terrorrist, gjurmët e të cilit të çojnë në Kaukazin e veriut u vranë 37 vetë.

Shpërthimi në Vollgograd hedh një hije në Lojërat Olimpike të Dimrit, që do të zhvillohen në shkurt 2014. Synimi është që të testohet Rusia, mendon Aleksej Filatov, zëvendëspresident i shoqatës së veteranëve të njësisë antiterroriste ruse "Alfa".

Soçi nuk është larg Kaukazit të veriut. Prej vitesh ka paralajmërime, që kryengritësit mund të ushtrojnë atentate në Lojërat Olimpike.