1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Terror i ri i djathtë në vendin e emigracionit?

Grupi e quante veten "bota ilegale nacionalsocialiste" dhe duhet të ketë kryer për vite me rradhë një serë vrasjesh dhe plaçkitjesh. Qeveria federale bëri të ditur se do ta sqarojë rastin. Kjo duhet bërë pa rezerva.

default

Nuk ka prova, megjithatë shenjat të japin të dhëna të frikshme. Dyshohet ,se për më shumë se dymbëdhjetë vjet një grupim i ekstremit të djathtë nga Zwickau i Gjermanisë lindore ka vrarë dhjetë persona, kryesisht emigrantë, si dhe ka kryer një dyzinë grabitjesh në banka. Dhe askujt nuk i ka rënë në sy se pas vrasjeve, që për një kohë të gjatë trajtoheshin si raste të izoluara të dhunës, qëndronte një sistem dhe ideologji e urrejtjes së djathtë ekstreme.

Si mund të ndodhte kjo në Gjermani, ku mbrojtja kushtetuese dhe policia ndodhen kudo dhe të pajisura mirë? Nuk ka pasur shenja të besueshme, që të çonin në mend një sfond të djathtë ekstrem, shpjegon Ministria e Brendshme gjermane. Sepse puna e autoriteteve kryesisht drejtohej kundër ushtruesve islamistë të dhunës? Për shkak se ideologjia ekstremiste e djathtë ishte shoqërisht më e pranueshme? Ndoshta për shkak burrat, ose gratë informante, njohuri të tilla donin t'i fshihnin, ose t'i pengonin? Të gjitha këto pyetje kanë nevojë të qartësohen, pa rezervë, shpejt dhe tërësisht. Kështu ka bërë të ditur qeveria federale. Kjo është gjë e mirë. E megjithatë nuk duhet të ketë vetëm përpunim politik të çështjes. Seria e dhunës e zbuluar tani duhet të shoqërohet nga një debat i gjerë publik në shoqërinë gjermane, me emigracion. Që të mos përhapet në errësirë, në provincë, në klube dhe shoqata, ajo që në Gjermani sot nuk duhet të ketë vend më: verbëria ideologjike e së djathtës ekstreme dhe e dhunës.

Gati njëzet vjet më parë neonazistët hodhën kokteje molotov në shtëpinë e dy familjeve turke në Mëlln. Një akt tërhoqi vemendjen në të gjithë vendin dhe madje edhe jashtë vendit. Vrasjet në seri të zbuluara tani tregojnë se idetë raciste janë ende të pranueshme në shoqëri. Në disa rajone të Gjermanisë lindore neonazistët sillen si të parët e vendit, shpallin fshatin e tyre zonë të "çliruar", ose zonë "kombëtare". Këndojnë këngë naziste në takimet e klubit dhe terrorizojnë kundërshtarët, qofshin të huaj, ose të majtë. Kjo nuk është shumica! Por shumicë stilizohen këtu, ata që janë të gatshëm të imponojnë mendimet e tyre edhe me forcë, të cilët mund të mbështeten tek ata, që kanë dijeni dhe heshtin. Këtu qëndron rreziku. Kjo tani duhet të kundërshtohet përmes diskutimit publik për ekstremizmin e djathtë.

Megjithë dekadat e emigracionit, në shoqërinë tonë janë bërë mjaft të përhapura modelet e mendimit dhe strukturat paralele. Këto janë shkëputur nga vlerat tona themelore demokratike."I huaji" është zakonisht fajtor, ai është e përshtatshëm për të qenë sinonim i armikut dhe objekt i agresionit të verbër. Sidomos në mesin e atyre, që ndihen të humburit e zhvillimeve shoqërore, për shkak të papunësisë, ose të mungesës së perspektivës. Kjo ka qenë që në mesjetë kështu – reflekset nuk kanë ndryshuar, pavarësisht nga politikat e integrimit, pavarësisht nga shumë tryeza të rrumbullakëta dhe apelet politike. Nëse në rastin e grupit të zbuluar tani në Zwickau ka qenë kështu, do ta tregojnë hetimet. Nuk lejohet të justifikohet. Në rang evropian Gjermania ndodhet pak mbi mesataren me përqindjen e të huajve në shoqërinë tonë, gati dhjetë për qind të huaj gjejnë tek ne punë dhe jetesë. Jo vetëm ndaj këtyre nëntë milionë njerëzve, por për shkak të kushtetutës sonë demokratike, ne jemi të obliguar të mbysim në rrënjë terrorizmin e djathtë radikal. Përndryshe ne do të humbasin të ardhmen, produktivitetin ekonomik dhe integritetin e shoqërisë sonë.

Autor: Ute Schaeffer

Redaktoi: Angelina Verbica