1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa Rechtspopulismus Norwegen

30 Korrik 2011

Populiste, radikale dhe pjesërisht madje hapur raciste - në gjithnjë e më shumë vende evropiane partitë e ekstremit të djathtë po forcohen.

https://p.dw.com/p/126dK
Marine Le Pen, kryetare e Frontit Nacional në Francë.
Marine Le Pen, kryetare e Frontit Nacional në Francë.Fotografi: dapd

Ata janë kundër BE-së, kundër imigrantëve dhe para së gjithash kundër myslimanëve. Kjo i bashkon populistët e djathtë në Evropë, edhe pse ka ndryshime mes tyre nga një vend në tjetrin. Në Francë Marine Le Pen drejton Frontin Nacional, parti e ekstremit të djathtë, dhe e bën atë madje të pranueshëm në opinion: "Nga dobësia ky kontinent dikur i pasur, Evropa, ndodhet në buzë të rrënimit."

Umberto Bossi i Lega Nord në Itali me kryeministrin italian Berlusconi.
Umberto Bossi i Lega Nord në Itali me kryeministrin italian Berlusconi.Fotografi: picture-alliance/dpa

Aleanca në radhët e partive të djathta

Sipas anketimeve Marine Le Pen gëzon mbështetje gjithnjë në rritje të francezëve. Dhe kërkimi i aleatëve gjithashtu funksionon: zonja Le Pen ka kontakte të mira me Lega Nord në Itali dhe partinë populiste të djathtë FPÖ në Austri. Të dyja këto parti, që prej vitesh ngrenë zërin kundër të huajve dhe kundër Evropës.

Shembulli tjetër, Hungaria: zgjedhjet një vit më parë sollën atje një ndryshim djathtas. Partia Fidesz qeveris me një shumicë dy të tretash dhe po ndryshon kushtetutën. Krenaria kombëtare është bërë detyrë qytetare, një ligj restriktiv për mediat po lë gjithnjë e më shumë gazetarë kritikë të papunë. Europolitikania socialdemokrate Birgit Sippel flet për një politikë me orientim nga e kaluara, e cila e vë theksin tek përjashtimi:

"Ata përpiqen të na bindin se po hartojnë një kushtetutë të re sipas frymës së shekullit të 21. Por orientimi tek Perëndia e krishterë, theksoi tek krishtërimi që ruan identitetet kombëtare, theksimi i veçantisë së Hungarisë, vërtet që nuk mund të pajtohen me vlerat evropiane, të cilat njohin të drejtat e të gjithë njerëzve."

Më tutje në veri të Evropës kanë pësuar zhvendosje djathtas disa vende ish liberale njëherësh: në Danimarkë një populiste përcakton politikën ndaj të huajve, ajo nguli këmbë të rivendoseshin kontrollet në kufij.

Fitim përkrahjeje me parrulla populiste

Timo Soini, kryetari i partisë "Finlandezët e vërtetë".
Timo Soini, kryetari i partisë "Finlandezët e vërtetë".Fotografi: AP

Në Finlandë zgjedhjet në pranverë u dhanë një fitore sensacionale prej 19% "Finlandezëve të Vërtetë". Kryetari i partisë Timo Soini është aq popullor sa në një shfaqje të njohur në televizion përshëndetet me një muzikë të prodhuar enkas për të.

Dhe i gjithë suksesi i dedikohet disa fjalive të thjeshta: asnjë qindarkë për shtetet e falimentuara si Portugalia, jo martesave të homoseksualëve, jo imigracionit. Përgjegjësinë për të qeverisur "Finlandezët e Vërtetë" megjithatë nuk e pranuan, ata preferojnë stolin e opozitës, prej nga ushtrojnë ndikimin e tyre.


Frika dhe pasiguria, terren i përshtatshëm për të djathtën ekstreme

Politikani i djathtë holandez Geert Wilders.
Politikani i djathtë holandez Geert Wilders.Fotografi: picture-alliance/dpa

Një pamje të ngjashme ofron Holanda: atje qeveria e pakicës është e varur nga mbështetja e Geert Wildersit. Politikani flet kundër Kuranit dhe fesë islame: "Unë jam i detyruar të flas kur Holanda është e kërcënuar nga islamizmi."

Njeriu i letrave Hans-Maarten van den Brink thotë se në Holandë ka ndryshuar klima sociale. Ligjet janë bërë më të ashpra, toleranca ndaj të imigrantëve më e vogël. Sipas van den Brink, vendi i tij jeton një paradoks: "Ne holandezët i kemi punët shumë mirë. Holandezët janë njerëz shumë të lumtur. Ata janë të kënaqur me jetën e tyre private dhe edhe situata ekonomike është e shkëlqyer krahasuar me pjesën tjetër të Evropës. Ndoshta ky është shkaku i këtij shqetësimi. Pasi kur punët janë shumë mirë, në të ardhmen mund të bëhen vetëm më keq."

Frika dhe pasiguria ndezin debatin. Dhe pastaj kërkohet një fajtor. Shumë shpesh faji shihet tek ata që janë më të dobëtit në shoqëri, pakicat etnike, të huajt imigrantë. Dhe kush i sjell këto tema në diskutimin publik, fiton vota pikërisht në shtresën e mesme, thotë europarlamentari ekologjist Sven Giegold: "Ky është një fenomen të cilin e shohim në shumë vende përreth Gjermanisë, por falë Zotit tek ne nuk ndodh ende. Politikisht kjo duhet marrë shumë seriozisht."

Që do të thotë: të merren masa për t'iu kundërvënë këtyre tendencave, të sqarohen njerëzit, t'u largohen atyre frikërat. Në këtë mënyrë populistët nuk do ta kenë të lehtë.

Autor: Birgit Schmeitzner / E. Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti