1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Terren i populizmit të djathtë në Evropë

Gjatë marrjes në pyetje atentatori norvegjez, Anders Behring Breivik, pohon se ka celula të tjera terrori dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Tani duhen zbuluar lidhjet e tij në Evropë.

Përkujtohen viktimat e terrorit

Përkujtohen viktimat e terrorit

Sipas gjyqtarit Kim Heger, Breivik ka folur për dy qeliza të tjera terroriste, të cilat janë aktive në Norvegji. I akuzuari ka pohuar gjithashtu se ka bashkëpunëtorë, të cilët janë ende të lirë. A janë këto fantazitë e një keqbërësi të vetëm, apo ka patur Breivik me të vërtetë lidhje me mjedisin e djathtë ekstremist në Norvegji dhe në Evropën Veriore? Në manifestin e tij, që qarkullon në internet, Breivik shkruan për 80 "martirë të veçantë", që mund të bëhen aktivë edhe jashtë vendi. Avokati i Breivik konfirmoi të martën (26.07.2011) këto informacione. Në një "Manifest" të publikuar në internet Breivik ka shkruar për "luftëtarë të rezistencës" dhe ka përmendur si caqe të mundshme sulmesh centralet bërthamore në Zvicër. Se sa konkrete janë lidhjet e atentatorit të Oslos me rrethet e djathta ekstreme dhe të djathta nacionaliste në Evropën veriore dhe perëndimore, është e paqartë. Autoritetet e hetuesisë në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani po shqyrtojnë provat përkatëse.

Anëtar i "Partisë së progresit"

E sigurtë është se Breivik deri në vitin 2006 ka qenë anëtar i partisë së djathtë populiste të progresit në Norvegji. Në organizatën e saj të rinisë ai ka patur pozicione drejtuese. Kryetarja e partisë së progresit, Siv Jensen, u distancua pas atentatit të dyfishtë të Breivik. Partia ksenofobe dhe nacionaliste e progresit, përbën që nga viti 2005 grupin e dytë të madh politik në parlamentin norvegjez, por nuk është e përfshirë në qeveri. Partia e progresit refuzon emigracionin, por nuk është parti neo-naziste. Thelbit të fortë të neonazistëve antisemitë në Norvegji i përkasin vetëm rreth 150 vetë. Studjuesi i ekstremizmit të djathtë Hajo Funke i Universitetit të Lirë të Berlinit shprehu habi, se si pikërisht në Norvegji të kryhet një akt ekstremist i djathtë. Në vendin fqinj Suedi skena e ekstremizimit është shumë më e madhe dhe më e dhunshme. Suksesi i partive të djathta populiste nuk është direkt përgjegjës për aktet e personave të veçantë, por acaron klimën. Rrethanat në Evropë ndryshojnë nga vendi në vend.

Populistët e djathtë në Europë

Në Suedi partia e djathtë populiste "partia suedeze" është e përfaqësuar në parlamentin në Stokholm me 20 vende. Vitin e kaluar ajo arriti 5,7 përqind të votave. Partia suedeze kërkon kufizimin drastik të emigracionit dhe rivendosjen e kontrolleve kufitare. Kryetari i partisë suedeze Jimmie Akesson i dënoi ashpër sulmet e Oslos.

Në Finlandë partia "finlandezët e vërtetë" arritën në zgjedhjet parlamentare të pranverës 19 përqind të votave dhe mundi të katërfishojën mandatet. Forca e tretë në politikën finlandeze megjithatë nuk është e përfaqësuar në qeveri, sepse "finlandezët e vertetë" euroskeptikë dhe ksenofobë refuzojnë të mbështesin ombrelat e shpëtimit të eurozonës. "Finlandezët e vërtetë" kanë mundur të dërgojnëe dhe dy deputetë në Parlamentin Evropian në Strassburg.

Në Danimarkë partia e djathtë populiste daneze në koalicionin qeveritar ka arritur kohët e fundit të zbatohet rifutja e kontrolleve doganore në kuftinjtë danezë, megjithëse Danimarka ka pranuar në marrëveshjen e Shengenit udhëtimet pa kontrolle kufitare. Partia, forca e katërt politike në vend, refuzon emigracionin dhe ka nxitur miratimin e ligjeve më të rrepta të emigracionit dhe azilimit në gjithë Evropën. Partia popullore daneze ka dy deputetët në parlamentin Evropian.

"Psikopat i sëmurë"

Ngjashëm me partitë e djathta populiste në Evropën Veriore vepron edhe partia holandeze për lirinë (PVV). Populisti i djathtë islamofob Geert Wilders arriti një sukses të madh në zgjedhjet parlamentare 2010 me partinë e tij, anëtari i së cilës është vetëm ai. Ai është tani forca e tretë në parlament. Geert Wilders e ka quajtur atentatorin norvegjez një psikopat të dhunshëm dhe të sëmurë, veprat e të cilit i përbuz thellësisht. Anders Behring Breivik e kishte lavëdruar PVV në një artikull në internet si "me të vërtetë konservatore".

Lëvizja franceze kundër racizmit dhe për miqësinë e popujve bëri përgjegjës partitë e djathta populiste për sulmet e Oslos. Në rradhë të parë Front National, ekstremist i djathtë në Francë e kundërshtoi këtë akuzë. Front National e udhëhequr nga Marine Le Pen arriti këtë vit një rezultat jashtëzakonisht të lartë në zgjedhjet rajonale. Ajo ishte vetëm një pikë pas partisë së presidentit Nicolas Sarkozy. Marine Le Pen do të kandidojë vitin e ardhshëm për presidente kundër Sarkozy. Në disa sondazhe ajo udhëheq garën. Front National refuzon fenë islame, emigracionin dhe BE. Marine Le Pen është e bija e themeluesit të partisë Jean-Marie Le Pen, i cili dha dorëheqjen këtë vit pas gati tridhjetë vjetësh në krye të partisë.

Në valën e anti-islamizmit

Në Belgjikë, Zvicër, Austri dhe Itali janë po ashtu aktive partitë e djathta populiste, disa të përfshira edhe në qeveri. Në Gjermani partitë e djathta populiste dhe partitë e djathta ekstreme nuk kanë patur deri tani sukses në nivel kombëtar. Në Gjermani të djathtët votojnë sidomos në valën anti-islame. Si në gjithë Evropën veriore muslimanët në Gjermani janë bërë për ekstremistët e djathtë, shkruan politologja Britta Schellenberg "Network kundër nazistëve". Kështu partitë e djathta nga Belgjika dhe Austria janë organizuar në rrjet me grupimet me aktivitet lokal dhe rajonal "Pro-Këln" apo "Pro-NRW".

Hungaria është i vetmi vend në BE, ku një parti e djathë nacionaliste deri populiste e djathtë përbën qeverinë. FIDESZ e kryeministrit Viktor Orban ka në parlament një shumicë prej dy të tretash. Në parlament partia e djathtë ekstreme Jobbik përbën forcën e tretë. Jobbik nga shumë polititologë konsiderohet si parti neo-naziste.

Në Parlamentin Evropian partitë e djathta ekstreme në zgjedhjet e vitit 2009 fituan më shumë mandate. Gjithsej ata kanë arritur 39 mandate, por nuk mund të mirren vesh për formimin e një grupi parlamentar të vetin.

Autor: Bernd Riegert (dpa, dapd, afp)/A Verbica

Redaktoi:Esat Ahmeti

DW.COM