1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tentativё pёr puҫ apo luftё brutale pёr pushtet nё Maqedoni?

Nё Maqedoni hkallёzohet kriza nё politikёn e brendshme mes qeverisё dhe opozitёs. Qeveria akuzon opozitёn pёr plane pёr njё grusht shteti. Ndёrsa opozita akuzon qeverinё pёr kriminalitet dhe afera korruptive.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë pas realizimit të aksionit policor të koduar "Puçi" ka ngritur kallëzime penale kundër katër personave në mesin e të cilëve është edhe lidei i opozitës maqedonase Zoran Zaev, për veprat penale spiunazh, dhunim të funksionarëve shtetërorë dhe tentim për marrjen e pushtetit të zgjedhur në mënyrë demokratike. "Në takimet me kryeministrin Gruevski, lideri i opozitës Zaev ka lëshuar kërcënime serioze duke thënë se posedon prova me karakter komprometues për funksionarë shtetërorë. Kërcënimet i ka konkretizuar duke kërkuar nga VMRO-DPMNE që të pranojë formimin e qeverisë teknike dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Si këmbim, Zaev ka premtuar se nuk do të publikojë provat që posedon",shprehet zëdhënësi i Ministrisё sё Punëve të Brendshme Ivo Kotevski..

Kryeministri i gatshëm të dëshmojё në gjyq

Nëse nuk pranojmë formimin e qeverisë teknike, u kërcënuam se do të bëhen publike informacionet, të cilat lideri i opozitës i ka mbledhur nga përgjimet përmes ndihmës së shërbimeve të huaja të intelegjencës në mënyrë kundërligjore ka thënë kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski në paraqitjen e drejtëperdrejt para opinionit vendas. Ai ka shtuar se Zaevi e ka njoftuar se në bashkëpunim me disa shërbime sekrete të huaja, ka siguruar inҫizime telefonike të krerëve të shtetit duke filluar nga parlamenti, presidenca,kryeministria, përfaqësues të mediave dhe intelektualëve që kanë ndikim në opinion. "E shihja dhe e dëgjoja shefin e opozitës se si qëndron ulur përballë meje dhe flet me krenari se si ka bashkëpunuar me shërbimet e huaja, nga të cilat është furnizuar me materiale që janë siguruar në mënyrë ilegale dhe që një pjesë është montuar. Nuk mund të besoja se njeriu, i cili pretendon të drejtojë shtetin, bashkëpunon me shërbimet e huaja. Për të gjitha këto ekzistojnë prova "të forta", është shprehur kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, duke u zotuar se të gjitha këto dëshmi do t'i prezantojё në sencën gjyqësore, e cila siç ka theksuar do të jetë e hapur për opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar.

Zoran Zaev

Zoran Zaev

Zaev : Maqedonia do ta mësojë të vërtetën

Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, është shprehur se aksioni policor dhe akuza ndaj tij paraqesin tentim të pushtetit për të penguar zbardhjen e kriminalitetit nga ana e qeverisë aktuale me në krye kryeministrin Gruevski."Edhe nëse Zaevin dhe gjysmën e Maqedonisë e arrestojnë dhe e akuzojnë, të vërtetën do ta mësojnë të gjithë dhe askush nuk mund ta ndalojё këtë proces", ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase, duke i bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të kyçet në këtë proces, ngase siç ka theksuar ai, organet policore dhe i tërë sistemi gjyqësor në Maqedoni janë nën direktivën e politikës.

SHBA dhe BE kërkojnë transparencё të procesit

Ndërkombëtarët kërkojnë nga institucionet shtetërore që të jenë të kujdesshme në rrjedhën e mëtejme të procesit ndaj liderit të opozitës Zoran Zaev. Ambasada amerikane në Shkup kërkon proces transparent dhe të pavarur gjyqësor. „Po ndjekim me shqetësim rastin penal kundër kreut të opozitës Zoran Zaev dhe arrestimin e tre personave të tjerë nën akuzën se kanë bërë përpjekje të kërcënojnë rendin kushtetues. Ftojmë autoritetet që në rrjedhën e mëtejme të rastit të përmbushin standardet më të larta të sundimit të ligjit, transparencës, drejtësisë, të mbrojtjes së fjalës së lirë, si dhe të pavarësisë së gjyqësorit me qëllim sigurimin e integritetit të proceseve demokratike në Maqedoni', thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-sё në Shkup.

Edhe nga Bashkimi Europian kërkojnë nga institucionet vendase të jenë të kujdesshme dhe të dëshmojnë profesionalizëm dhe transparencë, për shkak të ndjeshmërisë së këtij rasti. "Akuzat kanë të bëjnë me gjoja spiunim dhe kërcënime të dhunshme të drejtuara ndaj përfaqësuesve të qeverisë me qëllim cёnimin e rendit kushtetues. Këto janë akuza shumë serioze dhe ne rikujtojmë në të drejtën e patjetërsueshme për hetime të pavarura dhe transparente në rast të çfarëdo lloj veprimtarie të gabuar, respektim të plotë të të drejtave të të akuzuarve në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe parimin e prezumimit të pafajësisë", thuhet në reagimin me shkrim të shërbimit diplomatik të BE-së

Analistët: Maqedonia po hyn në destabilizim

Padinë penale ndaj Zoran Zaevit dhe shfaqjen kërcënuese të kryeministrit Gruevski, analistët politik e cilësojnë si një përpjekje të pushtetit për të zbutur ndikimin në publik të ‚bombës‘ së opozitës. Analisti Eroll Rizaov,thotë se Gruevski demonstroi shenja frike dhe shqetësimi për përmbajtjen e materialeve, për një pjesë të të cilave pranoi se janë të vërteta.

“Shihet se pushteti ka punuar dhe ka përgatitur një skenar se si të frikësojë jo vetëm opinionin, por edhe vetë aktorët e skenës politike. Sipas gjuhës së trupit, sipas mënyrës në të cilën e tha Gruevski, u pa shqetësimi i tij i thellë, u pa edhe frika. Unë tashmë thash se ky është sindrom i luanit të lënduar dhe në një situatë të tillë bëhet i rrezikshëm. Maqedonia bëhet shtet ku presioni është i madh dhe po hyjmë në një kohë të rrezikshme të jetesës”, vlerёson analisti Eroll Rizaov.

Fjalimi i kryeministrit Gruevski ishte shumë interesant, sepse nga njëra anë ishte moment stresi, ndërsa nga ana tjetër është tentativë për të treguar stabilitet dhe trimëri. Është e qartë se dalja e tillë e kryeministrit vetë në foltore, pranimi se disa prej materialeve janë të vërteta, thjesht tregon se Prokuroria do të ketë shumë punë, thotë analisti Suad Misini. "Kërcënime të tilla vështirë mund t'ia kishte lejuar vetes edhe komunisti më i madh dhe më ortodoks; të dilte publikisht në televizion dhe të akuzonte kundërshtarin politik se është spiun dhe bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja sekrete dhe se punon kundër interesave të shtetit. Diçka të tillë unë nuk e kam parë dhe nuk e kam dëgjuar kurrë", shprehet Misini.

Maqedonia ndodhet para një krize të thellë politike e madje edhe destabilizuese për sigurinë e vendit, thotë analisti politik Petar Arsovski. “Zhvillimet e fundit në mënyrë plotësuese do ta komplikojnë gjendjen edhe ashtu të brishtë politike, por ndoshta edhe do të radikalizojnë tërë situatën në Maqedoni. Mendoj se kryeministri Gruevski me paraqitjen e tij e ka vënë në një situatë më të keqe liderin e opozitës, pasi në vend të tij, tani lojën do ta luajë lideri i VMRO-DPMNE-së“, vёren Arsovski.

"Por, nga ana tjetër edhe materialet që do të publikohen, e për të cilat edhe vetë Gruevski tha se një pjesë e tyre janë të vërteta, do ta venë qeverinë në një situatë aspak të mirë. Na pret një periudhë aspak e mirë për të ardhmen e vendit. Por, duhet të presim të publikohen dëshmitë, për të cilat tani disa muaj flet lideri i opozitës", thotë analisti politik, Petar Arsovski.

Nikola Gruevski Premierminister Mazedoniens 19.06.2014

Nikola Gruevski

Profesor Tanja Karakamisheva vlerëson se lideri i LSDM-së Zoran Zaev duhet dënuar për tradhti. “Në nenin 305 të Kodit Penal në Repiblikёs sё Maqedonisё në mënyrë të qartë thuhet se ai i cili me përdorim të forcës ose kërcënimit serioz do të tentoj ta ndryshojё rendin kushtetues ose t`i luftojë organet më të larta shtetërore, do të dënohet me burg më e pakta pesë vite, thekson profesor Karakamisheva.

Kryetari Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, tani disa muaj paralajmëron aktivizimin e ‚bombave‘, siç i quante ai dëshmitë e shumta që ka arritur t'i sigurojë për “punën kriminale dhe aferat e shumta të qeverisë aktuale“, por ishte kryeministri Nikolla Gruevski ai që më parë doli në opinion duke akuzuar Zaevin se përmes shërbimeve të jashtme sekrete tenton të rrëzojë qeverinë aktuale.

Opozita nёn drejtimin e tё akuzuarit Zaev bojkoton prej njё viti parlamentin. Ajo pretendon se zgjedhjet e fundit parlamentare janё falsifikuar nga qeveria. Koalicioni i Gruevksit ka paraqitur njё projektligj nё parlament, pёrmes tё cilit deputetёve tё opozitёs t'u hiqet e drejta e pёrfaqёsimit tё elektoratit pёr shkak tё bojkotit.