1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tensionohet veriu i Kosovës për shkak të pikëkalimeve kufitare

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës mbrëmë dhe sot kanë vënë nën kontroll dy pika doganore në veri të Kosovës. Në aksion u plagosën dy policë kosovarë.

Pikë kontrolli në veri të Kosovës

Pikë kontrolli në veri të Kosovës

Pikat kufitare G 1 ne Jarinje dhe G 31 në Bërnjak, ishin dy pika doganore jashtë kontrollit të autoriteteve kosovare, çfarë pamundësonte edhe zbatimin e vendimit të qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit në fushën e tregtisë me Serbinë. Si rrjedhojë, me vendim të qeverisë u ndërmorr aksioni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.

Dy policë të plagosur, njëri prej tyre rëndë

„Pikëkalimi kufitar 31 nuk ka pasur shume rezistencë. Ndërsa në pikëkalimin 1, një grup qytetarësh kanë bllokuar rrugën dhe Policia e Kosovës gjatë natës së mbrëmshme nuk ka arritur të vendoset në këtë vendkalim kufitar. Të gjitha veprimet janë të bashkërenduara me KFOR-in. Ndërsa, përsa i përket EULEKS-it, policia ka hyrë si e vetme në realizimin e këtij plani policor .Gjatë operacioneve janë lënduar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës. I pari është lënduar mbrëmë lehtë nga disa protestues, të cilët kanë hedhur një mjet shpërthyes në drejtim të policisë. Ndërsa, tjetri në orët e pasdites së sotme, është plagosur rëndë në një shkëmbim zjarri me popullatën serbe në Veri“, thotë për Dojce Vele-n, toger Ibrahim Sadriu, zyrtar për Informim në Policinë e Kosovës.

Aksionet e policisë së Kosovës dhe përpjekja e qindra serbëve të grumbulluar në Veri për të penguar vendosjen e njësive speciale të policisë në Portën 1, në pikën kufitare të Jarinjes, kanë sjellë në Kosovë shefin e ekipit negociator të Serbisë, Borko Stefanoviq së bashku me ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq. Sipas mediave serbe gjatë natës në Leposaviq ata janë takuar me komandantin e KFOR it, Erhard Byhler, nga i cili kanë kërkuar tërheqjen e forcave policore të Kosovës, në mënyrë që serbët lokalë të zhbllokojnë rrugët. Ndërsa, ky i fundit me anë të një komunikate për media u ka bërë apel të githë qytetarëve të Kosovës që të mos reagojnë me dhunë ndaj situatës së tashme në Veri e as në vijën kufitare administrative me Serbinë. Pas zhvillimeve të mbrëmshme në veri të Kosovës, në komunikatën e EULEKS-it thuhet se ky mision është në koordinim të ngushtë me KFOR-in për të ruajtur sigurinë.

Xhentilini: „Operacioni nuk është bërë në konsultim më bashkësinë ndërkombëtare“

Sipas përfaqësuesit Special të BE-së për Kosovën, Fernando Xhentilinit, operacioni i kryer mbrëmë nga autoritetet e Kosovës nuk ishte i dobishëm, nuk është bërë në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare dhe BE nuk e ka miratuar atë. Sipas tij, "veprimet unilaterale nga njëra palë apo tjetra nuk mund ta zgjidhin problemin".

Ndërsa, Kryesia e Kuvendit të Kosovës pas mbledhjes ka dalë më reagimet e para.

„Vendimi i qeverisë së Kosovës është i drejtë dhe i ligjshëm dhe qeveria e Kosovës ka bërë punën që duhet ta bëjë“, thuhet ndër të tjera në komunikatë, ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk ka dashur ta komentojë deklartaten e Xhentilinit. Ndryshe kanë reaguar edhe shefet e grupeve parlamentare, të cilët kanë përshendetur vendimin e qeeverisë së Kosovës, duke thene se me këtë veprim qeveria e ka shtrirë sovranitetin në tërë territorrin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës dhe opozita përkrahin vendimin e qeverisë

Edhe opozita kosovare ka reaguar lidhur me situatën e krijuar ndërkohë në Veri. Lëvizja Vetvendosje në një komunikatë për media, vendimin e qeverisë sëë Kosovës për moslejimin e hyrjes së mallrave prej Serbisë në Kosovë e quan si „një hap të kuptueshëm, të arsyeshem dhe të drejtë, i cili duhet të pasohet me hapa të tjerë të bashkërenduar, të cilët përbëjnë ecjen.“.

Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës:“Dëmet e deritashme që i janë shkaktuar shtetit dhe popullit të Kosovës kërkojnë adresim shtetëror, prandaj angazhimi i trupave speciale të Policisë së Kosovës ka qenë i pashmangshëm”. AAK me anë të kësaj komunikate i bën thirrje qeverisë së Kosovës për koordinim aktivitetesh me KFOR-in, si garantues i sigurisë së përgjithshme në Kosovë. Ndërkohë, ministri i Puneve të Brendshme Bajram Rexhepi ka konfirmuar se falë punës profesionale të Policisë së Kosovës, të cilët kanë pasur për detyrë shtrirjen e sovranitetit në territorin e vendit pa lënduar asnjë qytetar, situata ndërkohë është e qetë dhe së shpejti pritet të hapet rruga për qarkullim. Sipas Rexhepit, ndërmarrja e aksioneve të tilla është tejet e rëndësishme për shtrirje të sovranitetit, duke paralajmëruar veprime të tjera për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës.


Autor: Ajete Beqiraj/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM