1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tensionet ndëretnike në Maqedoni

20 Mars 2012

Të rinjët në Maqedoni kanë nevojë që përmes shoqërimit, sportit dhe aktiviteteve të përbashkëta të tejkalojnë paragjykimet që ekzistojnë për njëri tjetrin, thonë ekspertë për çështje ndëretnike

https://p.dw.com/p/14Ntc
Fotografi: Makfax

Paragjykimi ndaj tjetrit, barrierat gjuhësore, etnike e kulturore, shoqëria e politizuar, dhuna dhe urrejtja në mesin e të rinjëve shqiptarë dhe maqedonas, dukshëm ka cenuar marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Rrahjet, përdorimi i fjalorit fyes në mesin e të rinjëve duhet të parandalohet urgjentisht sepse në të kundërtën situata mund të dalë nga kontolli, thotë eksperti për çështje ndëretnike Petar Atanasov. “Sistemi ose modeli i të jetuarit në Maqedoni bënë që elementet etnike të jenë shumë të theksuara, kjo rezulton që grupe të caktuara të shoqërisë të manipulohen. Në këto grupe më lehtë manipulohet me femijët”, vlerëson Atanasov.

Maqedonia ka nevojë për marrëdhënie ndëretnike më të relaksuara

Për profesorin universitar Bashkim Selmani dhuna ndëretnike në mesin e të rinjëve është rezultat i mosbashkëpunimit real midis familjes, shkollës dhe enteve sociale. “Në vazhdimësi të miturit dhe të rinjtë janë në goditje e sipër. Herë pas herë shfrytëzohen në aspektin politik e në atë ekonomik. Kjo kategori e shoqërisë njerëzore është më e prekur, më e ndieshme dhe normal është më lehtë për tu mashtruar në rrethana të caktuara”.

Ashpërsimi i masave ndëshkuese ndaj kryerësve të incidenteve ndëretnike dhe ndryshimi i ligjit për drejtësi të adoleshentëve ku do të parashiheshin masa edhe më të rrepta ndëshkuese, dukshëm do të ndikonte në zhdukjen e dukurisë së rrahjeve ndëretnike, thotë zëvendësministri i Brendshëm Xhelal Bajrami. “Është kohë e fundit që të gjithë së bashku ti qasemi me seriozitetin më të madh kësaj problematike dhe të punojmë në parandalimin e përsëritjeve të këtyre ndodhive. Maqedonia ka nevojë për një stabilitet më të madh, ka nevojë për marrëdhënie ndëretnike më të relaksuara”.

Sporti si faktor i tolerancës dhe bashkëjetesës

Iniciativa qytetare “Së bashku për paqë” përmes organizimit të një marshi ka përcjell mesazhin për bashkëjetesë dhe qetësimin e tensioneve ndëretnike në Maqedoni. “Jemi shumë më tepër ata që duam të jetojmë bashkë se sa ata që nuk duan të jetojnë me njëri tjetrin. Ka njerëz të cilët kanë kapacitet, dituri dhe dashuri për ta bërë Maqedoninë më të mirë”, thotë Petrit Saraçini nga iniciativa qytetare “Së bashku për paqë”.

Gjashtë komuna të Maqedonisë ku jeton popullatë e përzier etnike kanë promovuar projektin “Sporti si faktor i tolerancës dhe bashkëjetesës”. Ky projekt realizohet nën patronazhin e presidentit të Maqedonisë Gjorgji Ivanov.“Sporti si aktivitet shoqëror ka forcë ti mobilizojë idividët dhe bashkësitë që të ruajnë dhe përforcojnë traditat shekullore të bashkëjetesës midis etniteteve të ndryshme në Maqedoni” është shprehur presidenti Ivanov.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Esat Ahmeti