1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tensionet e para në marrëdhëniet gjermano-ruse

Marcus Lütticke/exh30 Prill 2014

Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë për vite me radhë konsideroheshin mjaft të konsoliduara. Por që prej krizës së Ukrainës sinjalet flasin për konflikt. Gjermania rrezikon të humbasë rolin e saj të veçantë.

https://p.dw.com/p/1Br0r
Merkel dhe Putin, 21.06.2013
Fotografi: Reuters

Si përshëndetje pati një përqafim të përzemërt. Në pritjen e dhënë nga Nord Stream AG në Shën Petërburgun rus, u takuan dy miq të mirë: Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe ish kancelari gjerman Gerhard Schröder, për nder të të cilit ishte organizuar pritja. Schröder është kryetar i komisionit të aksionerëve të sipërmarrjes, shumicën e së cilës e ka koncerni rus Gazprom dhe që është operatore e përçuesit të gazit nga Deti Baltik në brigjet e Gjermanisë.

Nëse gjykohet nisur nga pamjet e kësaj miqësie të thellë, mund të mendosh se marrëdhëniet gjermano-ruse janë shumë të mira. Edhe pse Gerhard Schröder është tërhequr nga politika aktive, partia e tij SPD është pjesë e qeverisë. Një nga ish kolegët e tij më të besuar politikë, Frank-Walter Steinmeier, është sot përgjegjës për politikën e jashtme gjermane. Por kriza në Ukrainë e ka ndryshuar në mënyrë të qëndrueshme raportin mes dy shteteve.

Përshëndetje e përzemërt mes miqsh - Presidenti Putin dhe ish kancelari Schröder
Përshëndetje e përzemërt mes miqsh - Presidenti Putin dhe ish kancelari SchröderFotografi: picture-alliance/dpa

Partneritet i dobësuar

Dikur Gjermania konsiderohej si partneri më i rëndësishëm i Rusisë në Perëndim. "Gjermania ishte bashkëbiseduesi i privilegjuar i Rusisë në NATO dhe BE. Kjo nxorri më shumë në pah edhe rolin ndërkombëtar të Gjermanisë", thotë Hans-Joachim Spanger, anëtar i bordit drejtues të fondacionit për Hulumtime të Paqes dhe Konflikteve në Hesen.

Në sfondin e "ringjalljes së luftës së ftohtë" kërkohet më shumë "solidaritet aleance dhe jo rol i veçantë", thotë Spanger. Aleatët e shohin atë shtrembër, shton ai. "Ministri i Jashtëm gjerman përpiqet me forcë të fusë tone të moderuara në përplasjet me replikë të ashpër, për të ruajtuar kanalet e bisedimeve dhe urat e mirëkuptimit. Kjo është ajo çka mbetur nga roli i veçantë i Gjermanisë."

Alexander Dynkin, drejtor i Institutit për Ekonomi Botërore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Akademinë Ruse të Shkencave, e sheh në mënyrë kritike rolin e Gjermanisë në konfliktin aktual: "Gjermania nuk ka treguar vërtet rol drejtues në zgjidhjen e kësaj krize", mendon Dynkin. Popullsia normale në Rusi nuk sheh ndonjë rol të veçantë të Gjermanisë, të shkëputur nga i ashtuquajturi Perëndim. Ekspertë kanë një vështrim më të diferencuar, thotë Dynkin por pranon se edhe atij i mungon një "veprim i evropianëve i pavarur nga Uashingtoni".

Marrëveshje pa efekt

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Rusinë, Gernot Erler, të martën (29.04.2014) propozoi mbajtjen e një raundi të ri bisedimesh me Rusinë në Gjenevë. "Ka shumë gjëra për të diskutuar: përse nuk janë zbatuar premtimet pozitive për të cilat u ra dakord në raundin e parë?", pyet Erler.

Alexander Dynkin i konsideron parimisht të drejta bisedime të tilla, megjithatë në Gjenevë dështoi zhvillimi i mekanizmave që do të mundësonin zbatimin e vendimeve. "Nënshkrimi i dokumenteve të bukur pa pasur instrumente për zbatimin e tyre, tregon vetëm dështimin e palëve."

Dynkin risjell në vëmendje se ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier në 21 shkurt nënshkroi në Kiev një marrëveshje e cila "më pak se 24 orë më vonë përfundoi në plehra". Atëherë, me ndërmjetësimin e ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Polonisë dhe Francës, opozita në Kiev ra dakord me ish Presidentin Janukoviç për hapat e mëtejshëm. Pak kohë më vonë Janukoviç u rrëzua megjithatë nga pushteti.

Një marrëveshje pa vlerë - Steinmeier në Kiev si ndërmjetësues mes opozitës dhe Janukoviçit
Një marrëveshje pa vlerë - Steinmeier në Kiev si ndërmjetësues mes opozitës dhe JanukoviçitFotografi: Sergei Supinsky/AFP/Getty Images

Ekonomia si gjymtyrë lidhëse

Në aspektin ekonomik Gjermania dhe Rusia vazhdojnë të jenë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, janë të një mendimi Joachim Spanger dhe Alexander Dynkin. "Ekonomia gjermane lufton me vendosmëri kundër raundit të tretë të sanksioneve, pasi me shumë të drejtë druan se kjo mund t'i mbyllë dyert e tregut rus", thotë Spanger. Dynkin mendon se "nga sanksione të tilla më së shumti do të përfitonte ekonomia kineze".

Ai është për një bashkëpunim më të mirë mes Rusisë dhe evropianëve. Kriza në Ukrainë mund të zgjidhet vetëm ngadalë. Por ndikimi që Rusia ka në lindje të Ukrainës është shumë më i vogël nga sa paraqitet shpesh, madje më i vogël se ndikimi që ka Perëndimi mbi Kievin.

Për një bashkëpunim me besim reciprok janë vendimtare edhe raportet personale mes aktorëve të përfshirë. "Pikërisht në raportin me Rusinë, marrëdhëniet personale në të gjitha nivelet kanë një rëndësi veçanërisht të lartë - më të lartë se sa marrëdhëniet institucionale", shpjegon Spanger. Por raporti mes Merkelit dhe Putinit duket të jetë më shumë i ftohtë. "Për fat të keq nuk konstatoj një kimi të mirë në marrëdhëniet mes tyre", thotë Dynkin.