1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tensione të reja në lindje të Ukrainës

Situata në lindje të Ukrainës është jashtëzakonisht e tensionuar. Forcat besnike të Moskës kanë filluar propagandën në disa qytete dhe duan një referendum sipas modelit të Krimesë. Bashkimi Evropian tregon nervozizëm.

Në lindje të Ukrainës ka pasur trazira masive. Në qytetet milionëshe Kharkov dhe Donetsk aktivistë pro-rusë mposhtën edhe forcat e fuqishme policore dhe pushtuan administratat e qytetit. Mbi çati ata kanë ngritur flamurin rus. Në qytetin Lugansk afër kufirit me Rusinë protestuesit pushtuan përkohësisht përfaqësinë e shërbimit të fshehtë SBU. Pas negociatave të zhvilluara, autoritetet liruan nga burgu gjashtë aktivistë të arrestuar, besnikë të Moskës. Në qytetin e Detit të Zi, Odesa mijëra njerëz demonstruan për federalizimin e mëtejshëm të ish-republikës sovjetike si dhe për shpalljen e rusishtes si gjuhë zyrtare. Protesta janë zhvilluar edhe në qytete të tjera.

Aktivistët pro-rusë duan një referendum për shkëputje nga Ukraina - sipas modelit të panjohur ndërkombëtarisht të gadishullit të Detit të Zi të Krimesë. Qeveria e Ukrainës qendrore në Kiev sheh tek pushtuesit, kryesisht provokatorë nga Rusia fqinje. Kremlini gjithmonë ka përsëritur qëndrimin se do të mbrojë qytetarët e saj në shtetin fqinj nëse është e nevojshme edhe ushtarakisht. Në kufi me Ukrainën janë stacionuar ndërkohë dhjetëra mijëra ushtarë rusë. Presidenti Vladimir Putin deri tani ka përjashtuar mundësinë e marshimit të ushtrisë në Ukrainën Lindore. Megjithatë, pas revolucionit në Kiev, Rusia kishte aneksuar Krimenë me procedurë të përshpejtuar.

"Shkatërimi i besimit"

Kjo sipas Ministries gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen ka dëmtuar marrëdhëniet me Rusinë në aspektin afatgjatë. "Putini ka shkatërruar në masë të madhe besimin me aneksimin e Krimesë", tha von der Leyen për gazetën "Bild". Megjithatë politikanja e CDU-së ka hedhur poshtë si të pabazë frikën se kjo mund të çojë në një konflikt ushtarak me Rusinë. "Ne i kemi borxh botës një zgjidhje paqësore të konflikteve", tha ajo. "Ne tregojmë unitet dhe forcë. Por ne kërkojmë gjithashtu bisedime". Ndërkaq anëtarësimi i Ukrainës në NATO sipas ministres "aktualisht nuk është temë diskutimi".

Sipas presidentit çek Milosh Zeman në rast se Rusia do të pushtonte Ukrainën Lindore atëherë ajo do të kalonte "vijën e kuqe". "Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha jo vetëm për sanksione mundësisht më të ashprat, por edhe për gatishmërinë ushtarake të Aleancës Veriatlantike dhe ndërhyrjen e trupave të NATO-s në territorin e Ukrainës", tha politikani majtist në radion çeke. Ndërkaq me aneksimin e Krimesë nga Rusia, Perëndimi do të duhet të pajtohet për një kohë të gjatë, e pranoi Zeman.