1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tensione shumë serioze mes Pakistanit dhe SHBA-së, pas vrasjes së ushtarëve pakistanezë

Vrasja e ushtarëve pakistanezë në kufi me Afganistanin ka rënduar shumë raportet mes Pakistanit dhe SHBA-së. Pala akistaneze flet për vrasjen e dhjetëra ushtarëve. Uashingtoni shpreh "ngushëllime të thella".

Sulmi në Pakistan

Pasojat e rënda të sulmit

Sulmi i kryer në zonën e trazuar veriperëndimore në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit, është për nga pasojat më i rëndi që prej nënshkrimit të marrëveshjes, në fund të vitit 2001, mes qeverive në Islamabad dhe Uashington për luftimin e përbashkët të terrorizmit. NATO-ja ka konfirmuar sulmin, por nuk ka dhënë detaje për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve. Zëdhënësi i ISAF-t, gjenerali Carsten Jacobson tha të shtunën se incidenti mund të këtë pasoja ushtarake dhe politike.

"Në këtë moment nuk mund të japin shifra konkrete të viktimave, pa i konfirmuar të dhënat. Shifrat kanë ardhur nga pala pakistaneze, por kjo do të jetë pjesë e hetimeve, të cilat do të japin informacionet e plota të asaj se çfarë ka ndodhur në terren", tha ai.

"Vriten 28 dhe plagosen 11 ushtarë pakistanezë"

Sipas të dhënave të armatës pakistaneze, gjatë sulmeve të NATO-s me helikopterë janë vrarë të paktën 28 dhe janë plagosur 11 ushtarë pakistanezë. Kjo ushtri pohon se helikopterët e NATO-s kanë sulmuar në mëngjesin e ditës së shtunë dy poste pakistaneze në kufi me Afganistanin dhe kanë vrarë ushtarët pakistanezë. Disa prej tyre janë vrarë në gjumë, pohojnë oficerët pakistanezë.

Zëdhënësi i ISAF-it Jacobson pohon se incidenti ka ndodhur pas një konflikti në rajonin kufitar mes trupave ndërkombëtare dhe ushtarëve pakistanezë. "Me këtë rast është kërkuar edhe mbështetja e forcave ajrore dhe për fat të keq ka pasur të vdekur nga pala pakistaneze", pohon ai.

Masat e Pakistanit

Ushtarë pakistanezë

Vendi i sulmit

Në reagimin e parë të tij, Pakistani ka vendosur të mbyllë rrugët për furnizimin e trupave ndërkmbëtare në Afganistan. Ndërkohë që qeveria në Islamabad është duke menduar mundësinë e ndërprerjes së plotë të bashkëpunimit me NATO-n dhe SHBA-në. Kryeministri i Pakistanit Yusuf Raza Gilani foli për një akt shumë të rëndë dhe të papranueshëm.

"Ne do të konsultohemi, por kurrsesi nuk do të lejojmë cenimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Pakistanit", tha kryeministri Gilani.

Në përpjekje për të zbutur pasojat e rënda të këtij sulmi, menjëherë kanë reaguar edhe ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton si dhe ministri i Mbrojtjes Leon Panetta. Ata i kanë shprehur Pakistanit "ngushëllimet më të thella" të qeverisë amerikane. Clinton dhe Panetta kanë premtuar në një deklaratë të lëshuar në Uashington "mbështetjen e plotë" për hetime të menjëhershme të këtij incidenti të rëndë, që duhet të kryhen nga NATO.

Hillary Clinton, komandanti amerikan në Afganistan, gjenerali John Allen dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave amerikane gjenerali Martin Dempsey i kanë bërë thirrje kolegëve në Pakistan për këshillime të përbashkëta lidhur me gjendjen.

Ndërprerje e raporteve me SHBA-në?

Djegia e flamurit amerikan në Pakistan.

SHBA-ja nuk është e dashur më

Ndërkohë pas këshillimeve të jashtëzakonshme të qeverisë, dhe krerëve të shërbimeve sekrete dhe krerëve ushtarakë pakistanezë, të zhvilluara ditën e shtunë (26.11.2011), kryeministri Gilani tha se ata do të rishqyrtojnë të gjitha marrëveshjet dhe raportet diplomatike, politike dhe ushtarake.

Rrjeti televiziv CNN njofton se Islamabadi ka kërkuar prej palës amerikane që brenda 15 ditësh të tërhiqen trupat amerikane nga baza ushtarake Shamsi në jugperëndim të Pakistanit. Këtë bazë e përdor shërbimi sekret CIA për dërgimin e avionëve pa pilotë në misione kundër pozicioneve të talibanëve.