1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tension me ndjenjë gëzimi - Referendumi për pavarësinë në Sudanin e Jugut

Në Sudanin e Jugut të dielën (09.01) nisi referendumi për pavarësinë e rajonit. Rreth katër milionë sudanezo-jugorëve u është bërë thirrje të japin votën. Pritet që shumica të votojnë për pavarësinë.

Qendër votimi në Omdurman

Qendër votimi në Omdurman

Dielli ende nuk është ngritur mbi çatitë e shtëpive. Megjithatë njerëzit vërshojnë në grupe nëpër rrugët e Jubasë drejt qendrave të votimit. Me orë të tëra me qindra presin në rradhë në oborrin e shkollës fillore të lagjes Mukumi. Mbizotëron një frymë tensioni me gëzim.

Max Androga është zgjuar qysh në orën pesë për të zënë radhën. Gati tri orë ka ai që pret me durim deri sa t' i vijë radha. 45 vjeçari ka veshur një bluzë, mbi të cilën është stampuar fjala "shkëputje". Atij i qesh fytyra. „Jam i gëzuar. Jam 45 vjeç dhe në jetën time nuk kam përjetuar kaq gjatë paqe të qëndrueshme. Unë kam lindur gjatë luftës së parë, jam rritur në përiudhën midis dy luftrave. Pas dhjetë vjet qetësie ne sërish kemi arritur në të njëjtën pikë si para luftës. Mua këtu në Juba në vitin 1994 për pak do të më kishin vrarë. Luftrat na treguan ne sudanezo-jugorëve, se jemi si qytetarë të dorës së dytë. Ne kemi përjetuar gjithmonë vetëm padrejtësi. Ne nuk kemi përjetuar pavarësi, ndonëse kolonialistët u larguan në vitin 1956 nga Sudani. Sot më në fund ka ardhur dita e pavarësisë sonë. Ne po votojmë sot për shkëputjen. "

Qindra sudanezo-jugorë votojnë për pavarësinë e rajonit të tyre edhe nga Kenia, pamjet në Nairobi 09.01.2011

Qindra sudanezo-jugorë votojnë për pavarësinë e rajonit të tyre edhe nga Kenia, pamjet në Nairobi 09.01.2011

Çadrat në shkretëtirë dhe zonat me gardh nën hije pemësh shërbejnë si qendra votimi

Pavarësisht rrethanave të vështira referendumi në Sudan nisi të dielën fiks sipas planifikimit. 2600 qendra votimi janë hapur në një vend një herë e gjysmë më i madh se Gjermania. Shumë qytetarëve u duhet të përshkojnë rrugë të gjata deri në qendrën e votimit. Shpesh qendrat e votimit janë vendosur me çadra në shkretëtirë, ose në zona me gardh nën hijen e ndonjë peme. Rreth katër milionë sudanezo-jugorë janë regjistruar përpara zgjedhjeve dhe kanë marrë fletët e votimeve. Të paktën 60% e zgjedhësve të regjistruar duhet të marrin pjesë gjatë kësaj jave në votim, në mënyrë që rezultati të jetë i vlefshëm.

Siç njoftoi zëdhënësi i qeverisë së Sudanit të Jugut: Në mbarë territorin e Sudanit të Jugut qytetarët po votojnë në masë. Për herë të parë sudanezo-jugorët kanë shansin të vendosin mbi të ardhmen e tyre, thotë Doboul Wuol. Burri trupmadh i veshur me kostum tradicional është nënsekretar në Ministrinë e Planifikimit në Sudanin e Jugut. „Unë për herë të parë ndihem si një njeri i lirë. Unë jam i sigurtë, që brezat e ardhshëm nuk do të përjetojnë kohët e vështira, që ka kaluar brezi im. Teksa hodha fletën e votimit në kuti pata ndjenjën, se po qëlloj për herë të fundit, por tashmë me një "plumb" paqësor ndaj një konflikti të gjatë. Ne kemi mjaft sfida përpara, por do t' ia dalim. Vendi ynë ka shumë lëndë të para. Ne kemi arritur shumë qysh pas marrëveshjes së paqes përpara pesë vjetësh. Në të ardhmen Sudani i Jugut do të ndryshojë shumë.“

Votuesit presin me orë në radhë për të votuar në Juba

Votuesit presin me orë në radhë për të votuar në Juba

Rezultatet e para priten javën e ardhëshme

Më pas zyra e referendumit do t' ia kalojë rezultatet komisionit kombëtar të referendumit në kryeqytetin verior Kartum, ku ato do të verifikohen dhe ku ekziston mundësia për kontestim. Presidenti i Sudanit Omar al-Bashir gjatë vizitës javën e kaluar në Juba premtoi, se qeveria e tij do t' i njohë rezultatet, pavarësisht si do të jenë ato. Kjo e qetësoi situatën në Jug. Më parë ekzistonte frika, se Veriu nuk do ta njohë rezultatin e referendumit. Opcioni i referendumit është përcaktuar në marrëveshjen e paqes mes Lëvizjes Popullore për Çlirimin të Sudanit të Jugut dhe qeverisë së Bashir-it.

Unabhängigkeitsreferendum Südsudan

Askush në Sudan nuk dyshon ndërkohë, që shumica do të votojnë për pavarësinë. Ndaj njerëzit në kryeqytet nisën të festojnë qysh të dielën paradite. Por sa më i madh entuziazmi, aq më i madh do të jetë zhgënjimi, në rast se zhvillimi i vendit nuk arrihet aq shpejt, sa shpresojnë njerëzit.

Autor: S. Schlindwein / V. Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 10.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zvYO
  • Data 10.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zvYO