1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tension, dhunë e gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës e jashtë tij

Partitë opozitare në Kosovë hodhën sërish gaz lotsjellës gjatë natës në parlament. Shumica parlamentare e vazhdoi seancën në një sallë të improvizuar. Në rrugë pati përleshje mes policisë e aktivistëve të opozitës.

Parlamenti i Kosovës mbajti një seancë jo të zakonshme në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë (24.10). Seanca u mbajt në një ambient tjetër të kuvendit jo në sallën e dedikuar për seanca të rregullta, për shkak se  partitë opozitare disa herë hodhën gaz lotsjellës duke pamundësuar kështu mbajtjen e seancës në sallën kryesore të parlamentit. Sipas udhëheqësve nga opozita, vetëm anulimi i marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi zhbllokon punën e Kuvendit. Në seancën që u zhvillua në një sallë të improvizuar, deputetët e shumicës miratuan disa ligje me votim klasik me ngritje dore, por pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët qëndronin në sallën kryesore të kuvendit. Deputetët e opozitës seancën e improvizuar e cilësuan ilegale dhe të pavlefshme. 

Përplasje me policinë jashtë parlamentit

Kryesia e kuvendit pak para mesnatës së ditës së premte thirri sigurimin e parlamentit në sallën kryesore të seancave, të cilët krijuan një kordon parballë e deputetëve për t'u pamundësuar deputetëve të opozitës që fizikishit ta bllokojnë foltoren e parlamentit. Kjo irritoi tej mase opozitën, përfaqësues hodhën gaz lotsjellës dhe gjuajtën me shishe uji e shkëmbyen fjalë të rënda me kryetarin e parlamentit dhe qeverinë duke bërë që mazhoranca të dalë nga salla e kuvendit.

Gjatë  gjithë kohës kur brenda ambienteve të kuvendit të Kosovës ndodhnin zhvillime të pazakonta, jashtë ndërtesës së kuvendit simpatizantë të partive opozitare u përleshën me policinë, pasi këta të fundit hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën prej disa qindra simpatizantësh. Demonstruesit hodhë gurë, sende të forta dhe koktej-molotov në  drejtim të policisë. Në një njoftim për media, policia thotë se një pjesëtar i saj është lënduar, ndërsa, ka arrestuar 10 protestues të dhunshëm.

“Njësitet policore gjatë veprimeve të tyre kanë arrestuar dhjetë protestues të dhunshëm, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për t'u marrë në pyetje dhe procedura të tjera ligjore. Po ashtu si pasojë e dhunës së shprehur nga disa protestues, është lënduar një zyrtar policor, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore. Policia e Kosovës ka arritur ta vërë situatën nën kontroll dhe sot ajo konsiderohet të jetë e qetë dhe stabile”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.   

Ndërkombëtarët: Dhuna dëmton Kosovën

Autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare vazhdimisht gjatë ditëve dhe javëve të fundit u kanë bërë thirrje partive opozitare që të debatojnë brenda parlamentit për të gjitha çështjet. Ambasadori amerikan Greg Delawie tha të premten në mesnatë se "gazi lotsjellës dhe dhuna nuk kanë vend në sallën e parlamentit. Veprimet e tilla rrezikojnë të ardhmen e Kosovës", u shpreh ai në rrjetin social twitter, ndërsa, pas mbajtjes së seancës në një sallë të improvizuar, ai shkroi se “është i lumtur se Kuvendi ishte në gjendje ta kryejë punën e vet në emër të qytetarëve të Kosovës”.

Në fillim të kësaj jave, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ndërmori një nismë duke takuar udhëheqësit e partive politike për të gjetur një rrugëdalje, nga kriza politike por, pa sukses. Pas kësaj tentative jo të sukseshme presidentja është shprehur  e gatshme që marrëveshjet e kundërshtuara nga opozita t'i dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Opozita  kërkon tërheqjen e nënshkrimit nga dy marrëveshje, ajo për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Për të dyja marrëveshjet opozita thotë se janë të dëmshme për Kosovën.