1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Programi TEMPUS në Kosovë

Ajete Beqiraj15 Prill 2014

BE ndihmon në reformimin e arsimit të lartë në Kosovë, përmes programit TEMPUS. Shumë studentë përfitojnë prej tij, por edhe profesorët e universiteteve kanë mundësi të zhvillojnë shkëmbime me universitetet evropiane.

https://p.dw.com/p/1Bi11
Fotografi: DW/A. Beqiraj

Marrja e përvojave të stafit akademik nga universitete evropiane është tejet e rëndësishme për studentët, thotë Astrit Cacaj, student i vitit të dytë në Universitetin Haxhi Zeka në Pejë, i themeluar para dy vitesh. Sipas tij disa profesorë nuk ligjërojnë në bashkëpunim me studentët dhe me këtë ne mbesim prapa. "Shkëmbimi i ideve dhe marrja e përvojave nga universitetet e tjera është tejet e rëndësishme, si për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, po aq në atë të mesimnxënies nga ne."

Në këtë drejtim studentëve të Kosovës u vjen në ndihmë programi TEMPUS. Sipas Blerina Zjaçës, administratore e Zyrës së TEMPUS-it në Kosovë, (Programi Transevropian i Mobilitetit për Studime Universitare), program i themeluar në vitin 2003 si rezultat i një marrëveshjeje midis Komisionit Evropian dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë: "Programi TEMPUS, është një katalizator për reformën e arsimit të lartë në Kosovë, i cili me anë të projekteve të ndryshme ka kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e kurrikulave, bashkëpunimin me shoqërinë, menaxhimin e universitetit, trajnimin e mësimdhënësve si dhe projektet për sigurimin e cilësisë, të cilat mbulojnë pothuaj tërë sektorin e arsimit të lartë në Kosovë ", thotë Zjaca, sipas së cilës programi TEMPUS i cili nga fillimi i këtij viti njihet si ERASMUS+, vepron në Kosovë që nga viti 2003.

Seminar i organizuar nga programi TEMPUS në Kosovë
Seminar i organizuar nga programi TEMPUS në KosovëFotografi: DW/A. Beqiraj

Lëvizje e lirë e stafit akademik për rritjen e cilësisë

"Punëtoria për zhvillimin e strategjisë për sigurimin e cilësisë, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shërbimet e studentëve”, është ndër projektet e shumta të programit TEMPUS i financuar nga BE, katër prej të cilave i ka përfituar Universiteti Publik, “Haxhi Zeka", i themeluar para 2 vitesh, në Pejë. Prof.Asoc. Dr. Naser Mrasori, Rektor i Universitetit Haxhi Zeka thotë për DW-në se ky projekt në fokus të veçantë ka digjitalizimin e shërbimeve në universitet. "Lëvizja e lirë e stafit akademik dhe e studentëve do të mundësonte shumë në ngritjen e cilësisë, por edhe në njohjen më afër të Kosovës dhe nivelin ku gjendet. Përderisa, ballafaqimi me kuadrot evropiane dhe pjesëmarrja direkte në konferenca dhe në universitetet evropiane do t' i lehtësonte edhe proceset tjera", mendon Mrasori. Rektori rendit edhe partnerët e projektit: Universiteti i Edinburgut, Universiteti Alicante dhe Universiteti "Gabriele d`Annunzio, WUS KOSOVA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë si dhe Agjensioni Kosovar i Akreditimit.

Përvoja nga universitetet evropiane

Sipas zv/rektores për Kualitet në Universitetin e Edinburgut, në Skotlandë, Tina Harrison: "Edhe pse ende është një sistem i ri me universitete të reja, këtu ka mundësi të shumta për zhvillimin e sistemit të edukimit sidomos, kur Universiteti i Prishtinës është një universitet me histori të gjatë", thotë Harrison, e cila shton se stafi akademik është i interesuar për përmirësime në këtë universitet.

Seminar von TEMPUS im Kosovo
Fotografi: DW/A. Beqiraj

Prof. Asoc. Dr. Haxhi Gashi, Kryetar i këshillit drejtues të Universitetit Haxhi Zeka, në Pejë thotë se: "Për pedagogët e këtij universiteti është shumë e rëndësishme marrja e përvojave nga profesorë dhe universitete eminente. Që jo vetëm të prodhojmë diploma, por ajo diplomë të jetë e mbushur me cilësi dhe studentët tanë nesër të jenë të kërkuar në tregun e punës", thotë Gashi. Ndërsa, Anxhelo Presenca, profesor për organizimin e studimeve në universitetin italian "Gabriele d'Annunzio", thotë se sjellja e përvojave tek stafi akademik i Kosovës është dhënje-marrje."Nga shkëmbimi i përvojave dhe bashkëveprimi me të tjerët gjithmonë mëson dicka. Prandaj, ne jo vetem po transferojmë dituri, por kjo është një përzierje e dijes dhe një shkëmbim njohurish",shton Presenca.

5.3 milionë euro vetëm në vitin e kaluar

Përvojat e kolegëve nga Universiteti i Edinburgut nga Skotlanda, Universiteti Gabriele d'Anunzio nga Italia dhe Universiteti Alicante i Spanjës së shpejti do të fillojnë të implementohen në këtë universitet, është e mendimit Prof. Dr. Linda Grapci-Kotori. zëvendësrektore për marrëdhënie ndërkombëtare dhe rritjen e kapaciteve: "Shuma totale e mjeteve të dedikuara për këtë projekt janë rreth 570 mijë euro, afro 270 mijë prej të cilave përfiton Universiteti Haxhi Zeka, apo mbi 50 per qind më shumë se tri universitetet partnere", thotë Grapci -Kotori. Ndërkohë Tina Harrison, zv/rektorja për cilësi në Universitetin e Edinburgut porosit stafin akademik që: "Jo vetëm të na shohin si partner evropian por të punojnë me ne, të marrin nga kjo çfarë po bëjmë dhe universiteti të marrë përvoja afatgjata".

Në kuadër të programit TEMPUS, prej të 66 projekteve, vetëm në vitin 2013 Kosova si partnere ka fituar 5.3 milionë euro për zhvillimin e 11 projekteve. Universitetet, të cilat kanë përfituar nga projektet TEMPUS janë Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Mitrovicës, Universiteti i Prizrenit dhe Universiteti i Pejës "Haxhi Zeka", i cili gjatë vitit 2013 ka qënë përfitues i 4 prej të 11-të projekteve të vitit të kaluar.