1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tema më e vështirë në dialogun Kosovë-Serbi, asociacioni i komunave serbe

Pala serbe kërkon kompetenca ekzekutive për asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Prishtina zyrtare thotë “asociacioni pa kompetenca ekzekutive. A do të ketë kompromis?

Në bisedimet Kosovë-Serbi, tema më e vështirë duket se është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo për faktin që Beogradi zyrtar kërkon që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, kërkesë kjo që kundërshtohet nga Prishtina zyrtare. Bisedimet e vështira në këtë pikë i konfirmon edhe vet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tij, “normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është faktor i rëndësishëm, jo vetëm i së ardhmes evropiane të Kosovës, por edhe i përqendrimit në zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, ka shkruar kryeministri Isa Mustafa në profilin e tij në facebook para takimit të radhës me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuciq. Dialogu me Serbinë sipas kryeministrit të Kosovës, ende është në fazën ku mbeten shumë çështje të pazgjidhura që duhet të dialogohen.

Ndër temat më të vështira

“Asociacioni i Komunave po vërtetohet se është ndër temat më të vështira. Delegacioni i Kosovës u tregua korrekt dhe konstruktiv, për të gjetur zgjidhje brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit tonë. Në anën tjetër, pala serbe ishte insistuese që Asociacioni të kryejë disa punë të pushtetit qendror dhe atij lokal, kurse njerëzit që i kryejnë këto punë, të kenë cilësinë e punonjësve shtetëror”, thotë kryeministri Mustafa. Sipas tij, çdo zgjidhje për asociacionin e komunave serbe që do të krijonte asimetri pushtetesh dhe siç thotë kryeministri Mustafa, po ashtu “do të jetë e dëmshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për miqtë tanë që na kanë ndihmuar në ndërtimin demokratik dhe institucional”.

Gatishmërinë për të arritur marrëveshje me Kosovën lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe e ka shprehur edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuciq. Ai thotë se natyrisht duhet të ketë marrëveshje kompromisi.

“Sa na përket neve, ne jemi gjithmonë gati t'i vazhdojmë bisedimet. Ne edhe herën e kaluar kemi qenë në Bruksel që të merremi vesh dhe jo që t'i shmangemi marrëveshjes dhe të mos nënshkruajmë diçka, por të arrijmë një marrëveshje që është e mirë për popullin tonë, si dhe të arrijmë marrëveshje që paraqet kompromis. Ne jemi të gatshëm që të arrijmë një zgjidhje kompromisi, por nuk jemi dhe nuk do të jemi të gatshëm që të marrim pjesë në poshtërimin e Republikës së Serbisë”, ka thënë Aleksandër Vuçiq, citojnë mediat lokale serbe .

Serbët e Kosovës udhëheqin në 10 komuna nga 33 sa i ka e tërë Kosova. Katër komunat në veri të Kosovës, Leposaviqi, Zvecani, Zubin Potoku dhe Veriu i Mitrovicës janë katër komunat që për herë të parë morën pjesë në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2013 të organizuara nga institucionet e Kosovës. Pjesëmarrja e këtyre komunave në zgjedhjet lokale ndodhi pas marrëveshjes së 19 prillit të po të njëjtit vit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku në këtë marrëveshje parashihej edhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, por jo me kompetenca ekzekutive.

Probleme me kompetencat

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, ndërkaq, thonë se krijimi i asociacionit të komunave serbe në rast se ka kompetenca ekzekutive do të pamundësojë funksionimin normal të këtyre komunave. Dren Doli nga Instituti për studime juridike dhe politike, i tha DW se “Fillimisht është e udhës të konstatohet që krijimi i asociacionit të komunave serbe është parashikuar në masë të madhe të zëvendësojë bartësit e kompetencave të zgjeruara komunale (që u takojnë atyre sipas planit Ahtisaari) dhe të koncentroj këto në asociacionin. Nëse kjo e fundit ndodh, ai thotë se Kosova do të përballet me tri pasoja të menjëhershme.

“E para, krijimi i asociacionit do të pamundësojë që kompetencat komunale të ushtrohen nga komunat, si dhe ushtrimi i tyre do të varet nga konsensusi i të gjithë anëtarëve të asociacionit. Kjo rrjedhimisht do të krijoj një gjendje ku autoritetet e zgjedhura komunale nuk mund të ushtrojnë kompetencat që u takojnë pa konsensusin politik të asociacionit. Po aq, ky model përmbys përfundimisht idenë e demokracisë komunale në ato komuna”, thotë Dren Doli.

Përfaqësimi politik i decentralizuar

Ai thotë po ashtu se “krijimi i asociacionit mohon mundësin e përfaqësimit politik të decentralizuar dhe të pavarur të serbëve dhe përfundimisht shuan shpresat e përfaqësimit politik pa lidhje me Beogradin, si dhe izolon tutje serbët nga pjesa tjetër e Kosovës”.

“Asociacioni do të shërbej si organ me funksion të dyfishtë. Roli i parë, i cili do të jetë formal, do t'i mundësoj Asociacionit që të shërbej si institucion i përfaqësimit të interesave të Serbëve të Kosovës. Roli i dytë, i cili do të jetë qenësorë, do t'i mundësoj Beogradit që të zëvendësoj komunat paralele dhe përfaqësimin e interesave të Serbisë në Kosovë me asociacionin. Me këtë rast, një pjesë të buxhetit si dhe resurseve të përfaqësimit politik të menaxhuara nga Qeveria e Serbisë do i barten asociacionit si përfaqësues i autorizuar e Qeverisë së Serbisë në Kosovë”, thotë Dren Doli, Instituti për studime juridike dhe politike.

Sidoqoftë, takimi i 23 qershorit 2015 ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuciq, nuk solli nënshkrim të ndonjë marrëveshje ashtu siç pritej. Janë edhe dy çështje tjera që në këtë fazë pritet të arrihet marrëveshje. Është çështja e kodit telefonik ( prefix ) të Kosovës dhe heqja e barrikadës, apo siç njihet tash “parkut të paqes”, në Urën qendrore mbi Lumin Ibër. Data e takimit të radhës ndërmjet kryeministrave Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuciq, akoma nuk është bërë e njohur. Zyrtarë nga qeveria e Kosovës thonë se data e këtij takimi do të caktohet nga shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini e cila është lehtësuese e këtij dialogu.