1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Teksasi angazhon gardën kombëtare për sigurinë e kufirit

Për shkak të fluksit të emigrantëve të mitur nga Amerika Qendrore në SHBA, guvernatori i Teksasit Perry ka urdhëruar vendosjen e Gardës Kombëtare në kufirin me Meksikën. Ai akuzoi presidentin Obama pör mosveprim.

Qeveria e presidentit Barack Obama nuk ka reaguar vitet e fundit ndaj kërkesave të shtetit federal të Teksasit për të forcuar mbrojtjen e kufirit me Meksikën, kritikoi guvernatori Rick Perry. Ai bëri të ditur se në kufirin jugor do të vendosë deri 1000 pjesëtarë të gardës kombëtare në mbështetje të policisë, për të frenuar fluksin e emigrantëve të mitur pa dokumente nga Amerika Qendrore. "Teksasi ka paguar një ämim shumë të lartë për dështimin e qeverisë qëndrore në sigurimin e kufinjve tanë", tha politikani republikan.

Policia në kufirin meksikan-amerikan është e mbingarkuar nga fluksi i migrantëve fëmijë. Vetëm që nga tetori 2013 kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara më shumë se 57 000 fëmijë dhe të rinj pa qenë të shoqëruar nga të rritur. Shumica e tyre vijnë nga El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi. Ata ikin nga dhuna, krimi i organizuar dhe mungesa e përspektivës ekonomike në vendet e tyre.

Temë debati në Uashington

Rreth tre muaj para zgjedhjeve të Kongresit çështja e refugjatëve fëmijë nga Amerika Qendrore është bërë një çështje politike në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Obama i kërkoi Kongresit mjete financiare në shumën prej 3.7 miliardë dollarë (2.7 miliardë euro) në mënyrë që të mund t'i përgjigjet situatës së vështirë humanitare në kufirin me Meksikën.

Paratë do të përdoren për forcimin e kontrollit kufitar dhe luftën kundër trafikantëve, por edhe për të siguruar strehimin e emigrantëve dhe për të shpejtuar procesin e dëbimit të tyre. Republikanët, të cilët bllokojnë propozimet e demokratëve për reformën e emigracionit, refuzojnë edhe këtë kërkesë të presidentit demokrat.

Uashingtoni ka zgjeruar kohët e fundit bashkëpunimin me vendet e Amerikës Qendrore, për të penguar që të miturit me ndihmën e kontrabandistëve të ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm për në SHBA. Të premten Obama pret presidentin e Hondurasit, El Salvadorit dhe Guatemalës në Uashington për të biseduar mbi këtë çështje. Sipas Shtëpisë së Bardhë do të diskutohet për mënyrat "se si Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë amerikanoqendrore të mbështesin një migracion të ligjshëm dhe të rregullt."