1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tek ndërkombëtarët po rritet pakënaqësia nga mënyra se si po realizohen reformat në Maqedoni?

Autoritetet politike në Maqedoni kanë marrë një listë shtesë të kërkesave nga Brukseli për reformimin e administratës publike. Analistët politik vlerësojnë se Maqedonia nuk i ka realizuar ende reformat.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Mos zgjidhja e çështjes së emrit, ka lënë peng për disa kohë edhe realizimin e reformave, të cilat janë kushti kryesor për fillimin e negociatave për antarësimin e Maqedonisë në BE. Çdo ngecje në reforma apo mosrealizimin e tyre deri në fund, qeveria  e arsyeton me angazhimin për zgjidhjen e çështjes së emrit.  Ndërkombëtarët nuk hezitojnë të tërheqin vërejtjen për ngecjen në reforma, në veçanti në gjyqësi dhe administratën publike. Ripërsëritja e vazhdueshme e kritikave për sundimin e shtetit ligjor, lirinë e mediave dhe marrëdhëniet ndëretnike, janë sinjal se tek ndërkombëtarët po rritet pakënaqësia nga mënyra se si po realizohen reformat në Maqedoni.

Çështja e emrit po keqpërdoret si alibi për dështimet në reforma 

Në foto, Nano Ruzhin

Në foto, Nano Ruzhin

Për analistin Nano Ruzhin, zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë, mbetet obligim parësor i qeverisë në rrugën evrointegruese.  Por gjithnjë sipas Ruzhin, çështja e emrit kohëve të fundit po keqpërdoret si alibi për dështimet në reformat e brendëshme.

“Gruevski gjithnjë pretendon të kapë pozicione më të favorshme në politikëbërje. Ai ka keqpërdorur disa herë moszgjidhjen e çështjes së emrit për dështimet në politikat e brendëshme. Emri praktikisht është kthyer në një arsyetim të mirë për mos realizimin e proceseve reformuese”, vlerëson Nano Ruzhin.

Profesori universitar Mersel Bilalli,  vlerëson se qeveria gjithë kohën manipulon me çështjen e emrit, si në bisedat me ndërkombëtarët, ashtu edhe me opinionin në vend.  Por në fakt në Maqedoni ka probleme serioze me proceset reformuese:

“Në një shtet i cili ka elemente serioze të diktaturës , nuk mund të bisedohet për reforma.  Çfarë reformash mund të bëjmë në një shtet ku liderët e opozitës burgosen, kur mediumet mbyllen, kur administrata shtetërore është partizuar dhe numerikisht është shtuar deri në absurd, kur ekonomia dhe ligjet e tregut janë seleksionuese , kur gjykata është seleksionuese e gjykimeve “, thotë Mersel Bilalli.

Vendet fqinje të Maqedonisë po e lënë mbrapa Maqedoninë në proceset reformuese 

Pamje simbolike - BE dhe vendet e ish-Jugosllavisë

Pamje simbolike - BE dhe vendet e ish-Jugosllavisë

Krahas përkushtimeve deklarative të qeverisë që të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Maqedonia ka edhe shumë punë për të bërë në aspektin e reformave të brendëshme, thotë profesori universitar Nikolla Dujovski. Vendet fqinje të Maqedonisë dukshëm po e lënë mbrapa Maqedoninë në proceset reformuese.

“Përparimi i të tjerëve duhet të thotë se edhe ne jemi afër tyre. Për fat të keq kjo nuk po ndodh me Maqedoninë. Çështja e emrit po merret si arsyetim për mossuksesin e evrointegrimeve. Por Maqedonia po ngec edhe  në implementimin e reformave të brendëshme dhe kjo është e keqja”, thotë Dujovski.

Stefano Sanino, drejtor për Zgjerim në BE, kohë më parë u ka dorëzuar autoriteteve në Shkup një listë plotësuese për realizimin e reformave që Maqedonia duhet t'i plotësojë deri në përpilimin e raportit për të arriturat gjatë vitit 2011.

 

Autor:  Fatos Musliu

Redaktoi: Esat Ahmeti