1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Tani ose kurrë!" - BE lufton për reformimin e tregjeve financiare

Reforma e përgjithshme financiare në SHBA ka detyruar edhe evropianët që të përpilojnë ligje të përbashkëta. Megjithatë deri tani Bashkimi Evropian nuk ka arritur shumë me përpjekjet e bëra.

Greqia, objektiv i spekulantëve

Greqia, objektiv i spekulantëve

Thirrja e Presidentit të Kommisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso është bërë një vit më parë, por ende nuk e ka humbur aktualitetin. "Tani ose kurrë! Nëse ne nuk jemi në gjendje të reformojmë sektorin e financave dhe mbikqyrjen e tregjeve financiare, tani në një kohë kur jemi në krizë të vërtetë, atëherë kur do të mund ta bëjmë këtë?"

Pak vendime konkrete

Ndërkohë vendet anëtare, Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë folur shumë për reformat por kanë marrë shumë pak vendime konkrete. Në mbrojtje të tyre duhet thënë edhe se kërkimi i kompromiseve në strukturat e komplikuara të institucioneve evropiane kërkon gjithnjë kohën e vet. Pjesa më e madhe e iniciativave vjen nga Komisioneri i tregjeve të brendshme, Michael Barnier, i cili është përgjegjës edhe për kontrollin e tregjeve financiare. Kredo i tij tingëllon e thjeshtë: "Taksapaguesit nuk duhet të detyrohen të parët që të paguajnë për gabimet e menaxhimit dhe gabimet e bankave."

Bursa e Frankfurtit

Bursa e Frankfurtit

Si pasojë në institucionet evropiane janë duke u zhvilluar debate për serinë e masave që duhen marrë për forcimin e kontrollit dhe mbikqyrjes së sektorit të financave. Për shembull për rregullimin e tregtisë me derivate dhe sigurime kredish që nuk shlyhen si dhe rregullimet e fondeve Hedge dhe shoqërive private pjesëmarrëse. Deri në fund të vitit do të hyjnë në fuqi ligjet për agjencitë "rating", që bëjnë vlerësimet e aftësisë së kthimit të kredive. Edhe shpërblimet e tepruara të bankierëve do të reduktohen. Në fund të këtij muaji do të publikohen të ashtuquajturat teste stresi për bankat më të mëdha evropiane, të cilat tregojnë nëse bankat janë në gjendje të përballojnë krizat e ardhshme.

Thelbi - mbikqyrja e tregjeve

Në shumë raste rezultati përfundimtar i bisedimeve është i paqartë. Para Parlamentit Evropian, komisari Barnier tregoi çfarë sipas mendimit të tij është ende në rrezik. „Mbikqyrja e tregjeve financiare është boshti i të gjithës. Këtu kemi të bëjmë me një temë serioze. Nëse nuk jemi në gjendje të ngremë autoritete të besueshme vëzhgimi dhe autoritete për vlerësimin e rreziqeve të sistemit (Systemic Risk Board), atëherë shumë reforma të tjera do të mbetet të paefektshme."

Konferenca ndërkombëtare për rregullimin e tregjeve financiare, Sekretari i OCDE-së José Angel Gurría

Konferenca ndërkombëtare për rregullimin e tregjeve financiare, Sekretari i OCDE-së, José Angel Gurría.

Në autoritetet e vëzhgimit kemi të bëjmë me tre shtylla. Sipas propozimeve të Komisionit duhet të ngrihet nga një autoritetet për vëzhgimin e bankave, për vëzhgimin e bursave dhe të sigurimeve. Përveç kësaj duhet të ngrihet një këshill, i ashtuquajtur i të mençurve për njohjen e rreziqeve të Bankës Qëndrore Evropiane. Në Parlament, Barnieri i gjen dyert hapur për të bërë propozimet e tij, pengesat vijnë kryesisht nga Këshilli, pra nga vendet anëtare.

Ende nuk dihet çfarë pamje do të ketë kompromisi me vendet anëtare. Vendimi përfundimtar pritet të merret në muajin shtator. Komisioni dhe Parlamenti bëjnë presion që të punohet me ritëm më të shpejtë. Ata kërkojnë që autoriteti funksionues i vëzhgimit të tregjeve financiare të jetë ngritur në fillim të vitit tjetër."

Autor: Christoph Hasselbach/ Aida Cama

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 13.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OHZp
  • Data 13.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OHZp