1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tani objektiva modestë - Sllovenia përpara zgjedhjeve parlamentare

Sllovenia është një anëtar stabil i BE-së dhe NATO-s, nga zgjedhjet parlamentare të së djelës (21.9.) nuk pritet ndonjë tërmet politik. Pensionistët megjithatë nuk e shohin veten të trajtuar si duhet.

default

Kryeministri slloven Janez Jansa

Fushata elektorale në Slloveni ishte e shkurtër por e ashpër, dhe jo gjithmonë u dëgjuan himne megjithëse kjo do t'i kishte pëlqyer më shumë kryeministrit konservator Janez Jansa. Ai përpiqet të fitojë pikë në Europë dhe për këtë parpara shfaqjes së tij të fundit elektorale në skenë u ngjit edhe një kor i madh. Nuk është çudi: presidenca e Këshillit të Europës gjashtë muajt e parë të këtij viti ishte një risi: Sllovenia e vogël për herë të parë veproi në skenën e politikës botërore.


Jansa nuk mund të cilësohet një orator që bën për vete auditorin. Dhe nuk është e nevojshme të jetë mendon ai vetë, bilanci i sukseseve të qeverisë së tij në fund të fundit flet vetë: "Kush dëshëron të jetë i suksesshëm në Slloveni ka sot mundësi shumë më të mira se katër vjet më parë. Ne kemi hapur 40.000 vende pune, më shumë se 60.000 të rinj kanë marrë një bursë studimi. Veç kësaj numri i të varfërve është ulur nga 14 në 11 për qind."


Por vetë sllovenët nuk mendojnë patjetër se punët u shkojnë më mirë. Përkundrazi: sipas sondazheve dy të tretat thonë se kushtet e jetesës janë vështirësuar katër vitet e fundit. Në rradhë të parë pensionistët ankohen hidhur: "Kur punonim ishim ende të mirë. Por tani që jemi të moshuar dhe nuk kemi më mundësi të punojmë, jemi të këqinj. Flitet vetëm për rininë së cilës i duhet ofruar kualifikim i mirë por të vjetrit i harrojnë", thotë një grua e moshuar.


Edhe ky bukëpjekës në pension shprehet i zhgënjyer: "Kur sheh se një manaxher i nivelit të lartë në një firmë shtetërore merr 25.000 euro në muaj dhe unë si bukëpjekës që kam punuar gjithë jetën, ditë e natë madje edhe në fundjava, marr vetëm 600 euro mund të thuash se ky është një turp. Ky nuk është pension, në rastin më të mirë ndihmë sociale."


Norma e inflacionit në Slloveni prej 6 për qind është më e larta në eurozonë. Por më shumë se ankesa për çmimet e larta dhe të ardhurat e ulëta, fushata elektorale u dominua në fund nga një skandal korrupsioni i cili e kishte zanafillën diku larg në veri të Europës, në Finlandë. Në një biznes prej 280 milionë eurosh me koncernin finlandez të armatimeve Patria thuhet se u janë dhënë ryshfete zyrtarëve dhe politikanëve sllovenë. Nëse i besohet opozitës në Ljubjanë, edhe vetë kryeministri Janez Jansa, ka përfituar 20 milionë euro. Por Jansa përgënjeshtron çdo lloj implikimi dhe thotë se është viktimë e një "komploti të majtë".


Vlen të thuhet se akuzat për korrupsion kundër kryetarit të qeverisë i kanë sjellë atij më shumë përfitime se dëme. Shifrat e sondazheve për të u përmirësuan kurse ato të konkurrentit kryesor ranë.


Megjithatë lideri socialdemokrat i opozitës Borut Pahor mund të jetë në fund fituesi i zgjedhjeve. Meqënëse asnjëra nga partitë nuk ka shanse të fitojë shumicën absolute, pas zgjedhjeve do të jetë e nevojshme të lidhen koalicione dhe atëherë Pahor ka shanse më të mira. 45 vjeçari vlerësohet si politikan pajtues dhe ekuilibrues, krejt ndryshe nga Jansa. Madje kritikët për këtë arsye e akuzojnë për mungesë konturesh.


Por cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve, pas tyre nuk pritet ndonjë tërmet politik. Sllovenisë megjithatë do t'i duhet ti vërë vetes objektiva të reja. Në rolin e një nxënësi shembullur europian, që prej pavarësisë në vitin 1991, ajo ka arritur thuajse gjithçka ishte e mundur, madje me ritme shumë të shpejta.


"Eshtë e vërtetë, kemi arritur të gjithë objektivat e mëdhenj. Ndoshta tani ka ardhur koha që të merremi më shumë me veten, të zhvillojmë ekonominë dhe t'a bëjmë më të këndshme jetën e njerëzve", thotë një qytetare.


Një detyrë që për çdo qeveri, pavarësisht nga ngjyra, pritet të jetë impenjuese.

  • Data 20.09.2008
  • Autor Paas, Jörg Ljubljana BR
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FLwX
  • Data 20.09.2008
  • Autor Paas, Jörg Ljubljana BR
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FLwX