1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Tani më shumë se kurrë - Katalonja tregon muskujt

Me vendimin për referendumin për pavarësinë, i cili sipas juridiksionit aktual është antiligjor, Artur Mas po i fut katalanët në një aventurë së cilës nuk i dihet fundi, mendon Carlos Delgado.

Në Skoci asgjë nuk ndryshoi e megjithatë asgjë nuk do të jetë më si më parë. Përkrahësit e autonomisë e humbën vërtet betejën, por arritën që Londra t'i japë Skocisë kompetenca të gjëra, të ngjashme me ato që Katalonja gëzon prej vitesh. Vërtet përmasat e vetëadministrimit janë në provincën e pavarur spanjolle shumë më të mëdha se në Skoci: Katalonja ka polici të vetën, vendos në çështje të arsimit dhe shëndetësisë dhe është rajoni që merr më shumë mjete shtetërore falë një modeli financimi të negociuar në 2009.

Megjithatë: për ata që valëvisin flamurin e separatizmit katalan këto nuk mjaftojnë. Katalonja nuk është pjesë e Spanjës, nuk ka qenë kurrë, thonë ata dhe i referohen gjuhës së tyre krejt të ndryshme nga spanjishtja, kulturës dhe një historie të gjatë shtypjeje, që karakterizon prej shumë shekujsh marrëdhëniet me Spanjën. Kjo skemë ideologjike të menduari ngjall emocionet e katalanëve, shumë nga të cilët sot janë më të gatshëm se kurrë më parë t'i hyjnë një aventure me fund të paditur.

Ora e gjykatësve

Në Skoci triumfoi arsyeja e shëndoshë ndaj emocioneve. Por Katalonja nuk është Skocia, edhe pse shumë përpiqen të nxjerrin mësime nga votimi i atjeshëm. Ndërkohë që referendumi skocez u mbajt në marrëveshje mes Edinburgut dhe Londrës, kushtetuta spanjolle nuk e parashikon mundësinë e një votimi për pavarësinë katalane. Pikërisht këtë kartë përdorin qeveria spanjolle dhe Mariano Rajoy, në favor të unitetit kombëtar dhe ajo duhet të justifikojë qendrimin e tyre të palëkundur në këtë çështje.

Carlos Delgado

Redaktori i DW Carlos Delgado

Tani që kryeministri katalan Artur Mas vendosi mbajtjen e referendumit me mbështetje të parlamentit katalan, i cili pak kohë më parë kishte miratuar "ligjin për referendumin", ka ardhur ora e gjykatësve. Rajoy do të paraqesë ankimim kundër ligjit dhe pastaj fjalën e ka Gjykata Kushtetuese, edhe pse jo të fundit.

Mas nuk është i marrë

Nëse gjykatësit e gjykojnë antikushtetues ligjin, Mas mund ta shihte veten të detyruar të ndërmerrte një hap që është i pashembullt në historinë e re të Spanjës: thirrjen për mosbindje civile dhe mbajtjen e referendumit në ilegalitet. Në fund qeveria katalane mund të angazhonte policinë e saj për mbrojtjen e referendumit kundër forcave të sigurisë të shtetit spanjoll.

Por përpara se të arrihet deri tek ky shkallëzim i paimagjinueshëm, mund të përdorej një kartë e fundit: zgjedhje të parakohshme në Katalonjë! Zgjedhjet e reja mund të forconin ato forca që janë për pavarësinë dhe ta vendosnin Katalonjën në një pozicion më të mirë negociimi. Megjithatë më parë Mas dëshëron të tregojë të gjitha mjetet e forta që ka dorë pasi me Rajoy-n ai ka edhe një llogari të hapur.

Pakti fiskal si rrugëdalje

Dy vjet më parë kryeministri spanjoll pati mundësinë t'i reduktonte përpjekjet për autonomi: në kulmin e krizës ekonomike qeveria katalane u lut për bisedime për një pakt të ri fiskal, i cili duhej t'i jepte Katalonjës sovranitetin mbi administrimin fiskal. Refuzimi i Rajoy-it ishte tejet i qartë. Mas e pa veten të detyruar ta harronte planin e një pakti fiskal vetëm për të çuar pak më vonë përpara procesin e një ndarjeje nga Spanja.

Pa dyshim kriza shtetërore që përjeton Katalonja kërkon një përgjigje të qartë të Rajoy-it. Opozita socialiste kërkon prej tij guxim dhe fuqi drejtuese. Por para së gjithash ai nuk duhet të vazhdojë të qendrojë në pozicion e tij të ngrirë. Ndërkohë që 9 nëntori po afrohet, Rajoy sheh deri tani vetëm një alternativë: "Kushtetutë ose kaos". Por ekziston mundësia të negociohet një marrëveshje e cila i lejon Katalonjës vetëadministrimin fiskal pa qenë e nevojshme të ndryshohet kushtetuta. Pikërisht këtë propozojnë sipërmarrësit katalanas, të cilët i druhen pasojave ekonomike të një ndarjeje nga Spanja dhe dalje nga BE.

Pasojat e një ndarjeje do të ishin të paparashikueshme, jo vetëm për Katalonjën dhe Spanjën por edhe për BE. Ajo që nuk ndodhi në Skoci, mund të bëhet realitet në Katalonjë dhe pastaj në rajone të tjera. Por gjëja e fundit për të cilën ka nevojë Evropa e goditur nga kriza e fundit ekonomike dhe ndoshta e kërcënuar nga një recesion i ri është një copëzim i territorit të saj.