1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Tandem në korsinë e majtë

Oferta e tyre synon të mobilizojë zgjedhësit e majtë në lindje dhe perëndim: Dy figurat e famshme politike, Gregor Gysi, dhe Oskar Lafontaine kërkojnë të paktën dhjetë përqind të elektoratit

default

Bashkimi bën fuqinë: Gysi (majtas) dhe Lafontaine

Ndodhi në kongresin e të majtëve në qershor. Gregor Gysi u bëri të ditur delegatëve, se ai ishte duke ngrënë drekë me Oskarin, kur u kujtua që kishte për të mbajtur fjalimin. Gysi ishte kujtuar që kishte radhën për të folur dhe e kishte lënë Oskarin të paguante. Kësaj i thonë ndarje pune. Kjo shaka e vogël e Gysi-t donte të nxirrte në pah marrëdh/ëniet e mira ndërmjet dy kandidatëve të "Së Majtës" por edhe t'i jepte mundësinë Oskar Lafontaine-it që të përfitonte paksa nga simpatia që gëzon Gysi.

Mbështetje për Lafontaine-in

Ish kryetari i Partisë Socialdemokrate, Lafontaine, nuk e gëzon më atë adhurim që pati fill mbas kalimit në kampin e të majtëve, në vitin 2005. Radikalizmi verbal i tij dhe sulmet e vazhdueshme në adresë të socialdemokratëve janë bërë shqetësuese për disa nga anëtarët e partisë, pasi ato mund të bllokojnë pjesëmarrjen e partisë në ndonjë koalicion. Përveç kësaj, Oskar Lafontaine, i cili vetë e ka prejardhjen nga Landi i Zarës (Saarland) nuk është familjarizuar ende me atmosferën lindore që sundon në parti. Po të mos kishte këtë mbështetje të Gysi-t, i cili gëzon një simpati të madhe tek anëtarët, Lafontaine-i, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ishte bërë udhëheqës i partisë ose kandidati kryesor i fushatës.

Deutschland Symbolbild Die Linke Tasche mit Logo

Die Linke është krijuar në vitin 2007 dhe numëron afro 70 mijë anëtarë

Ndërsa Lafontaine-i është më tepër polarizues – edhe brenda partisë së vet – Gysi është ai që luan rolin e integruesit të madh e që i mban anëtarët të bashkuar, megjithëse ata vazhdimisht përpiqen të krijojnë grupime dhe krahë ideologjikë. Avokati 61-vjeçari ka përvojë të gjatë në këtë drejtim. Në vitet e kthesës politike 1989/90 ai arriti ta mbante të bashkuar ish-partinë shtetërore të RDGJ-së, që atë kohë ndjehej tepër e pasigurt. Në këtë mënyrë ai e shpëtoi atë nga shpërbërja e plotë dhe e udhëhoqi atë në Bashkimin Gjerman me një emër tjetër: Partia e Socializmit Demokratik (PSD).

Një mbështetje e re nga perëndimi

Lafontaine asokohe ishte kandidat për kancelar dhe pësoi një aksident të rrezikshëm: gjatë fushatës zgjedhore atë e sulmoi një grua me të meta mendore dhe kështu ai e humbi duelin me Kancelarin e Bashkimit, Helmut Kohl-in. Kjo humbje kishte të bënte edhe me paralajmërimet e tij për të mos u ngutur me procesin e bashkimit. Asokohe Gjermania ndodhej në euforinë e bashkimit, dhe qytetarët nuk i dëgjonin me kënaqësi paralajmërime të tilla.

Në kohën kur ishte kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe ministër i financave në koalicionin e socialdemokratëve me Të Gjelbrit (koalicioni kuq-gjelbër), Lafontaine jep dorëheqjen nga të gjitha postet, si shenjë proteste ndaj politikës së Schroeder-it. Më pas, udha e tij do të shkonte nga majta. Në fillim tek ish-socialdemokratët dhe sindikalistët, të cilët krijuan "Alternativën Zgjedhore për Punë dhe Drejtësi Sociale", dhe më pas, në vitin 2005, në krahun e Gysi-t, i cili e diktoi menjëherë shansin unik, që përmes kësaj shkrirjeje dypartiake, Partia e tij, ajo e Socializmit Demokratik (PDS), më në fund do të vinte këmbë edhe në perëndim.

Me ish-socialdemokratin e njohur në krye, Lafontaine-in, të majtët arritën të dilnin nga zgjedhjet me një rezultat më se të kënaqshëm prej 8,7 përqind, duke krijuar kështu më në fund një parti të mirëfilltë mbarë-gjermane. Gysi, që deri atëherë kishte qenë i vetmi politikan në parti, që kishte sharmë, elokuencë dhe humor, tani u bë me një shok, me tribunin popullor, Lafontaine-in, i cili në retorikën e tij agresive i mëshonte vazhdimisht thellimit të hendekut ndërmjet të pasurve dhe të varfërve në vend. Së bashku me Gysi-n, Lafontaine-i tani është në krye të fraksionit parlamentar të Së Majtës dhe që nga viti 2007, është njëri nga kryetarët e partisë krah Lothar Bisky-t.

Përvojë me përjashtime

Gregor Gysi

Në kongresin e partisë, në qershor 2009 Gysi mbajti një fjalim të zjarrtë parimor

Edhe në vitin e zgjedhjeve 2009 ndarja e punës mes dy kandidatëve kryesorë ishte parakusht për një fushatë të suksesshme elektorale. Tandemi i ka vënë vetes si synim të dalë me një rezultat prej mbi dhjetë për qind. Që dy politikanët me përvojë shkojnë kaq mirë me njëri-tjetrin, megjithëse as njërit e as tjetrit nuk i mungon narcizmi, kjo ka të bëjë edhe me faktin, që ambiciet për pushtet janë të kufizuara. Ajo që u jep krahë të dyve është vullneti për t'ua treguar atyre që e quajnë Lafontaine-in një "koalicion gjithë-partiak neoliberal".

Ajo që i mban bashkë është edhe përvoja e tyre vetjake me përjashtimet dhe armiqësitë me sistemet politike sunduese: Gysi për shkak të kontakteve të tij me sigurimin e shtetit në RDGJ, të cilat shkaktojnë vazhdimisht tituj lajmesh, ndërsa Lafontaine-i për shkak të namit që ka si dikush "që i ikën përgjegjësisë" dhe se gjithçka e bën vetëm për t'u hakmarrë ndaj Partisë Socialdemokrate. Se çfarë mendimi kanë zgjedhësit për ta, këtë ata do ta mësojnë më 27 shtator.

Autor: Bernd Gräßler / Anila Shuka

Redaktoi:

  • Data 14.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JG4D
  • Data 14.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JG4D