1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Talmon: Aktgjykimi në Hagë nuk do të hapë automatikisht dyert Maqedonisë për në NATO

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk mund të urdhërojë Greqinë apo NATO-n që të anëtarësojë Maqedoninë në NATO, por vendimi i saj ka vlerë të madhe ligjore dhe morale.

Prof. Dr. Stefan Talmon

Prof. Dr. Stefan Talmon

Profesor Dr. Stefan Talmon është shef i Institutit për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Bonit. Ai është ekspert i të drejtës publike, ndërkombëtare dhe evropiane, njëkohësisht punon edhe si profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Oksfordit në Britani. Talmon është edhe këshilltar i më shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare për çështje të së drejtës ndërkombëtare.

Për Dojçe Vellen Talmon komentoi rëndësinë e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, pasojat e mundshme të vendimit mbi ankesën e Maqedonisë kundër Greqisë dhe të ardhmen e kontestit mes dy vendeve.

Deutsche Welle: Profesor Talmon cili është mendimi juaj për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë si një mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve? Sa efikase dhe të detyrueshme janë vendimet e kësaj gjykate?

Profesor Dr. Stefan Talmon: Vendimet e gjykatës në përgjithësi janë përfundimtare dhe të detyrueshme, por ato janë të detyrueshme vetëm për palët në fjalë. Në rastin midis Maqedonisë dhe Greqisë, mund të jetë e përfshirë edhe pala e tretë, dhe kjo është NATO. Në këtë rast NATO nuk është e detyruar ndaj vendimit të gjykatës.

Deutsche Welle: Amund të thuhet në këtë rast, se vendimi do të mbajë më shumë peshë morale dhe më pak ligjore?

Profesor Dr. Stefan Talmon: Vendimet e gjykatave gjithmonë mbajnë peshë ligjore, por të gjitha janë të një rëndësie të madhe morale. Por në këtë rast, së pari duhet të shikohet në anën ligjore. Rasti është hapur për të gjetur një zgjidhje ligjore, dhe e drejta është baza e këtij rasti.

Duke pasur parasysh se rasti i lartpërmendur nuk kërkon të ashtuquajturën " dhënie të këshillave", por kërkon verdiktin ligjor, nëse gjykata vendos se Greqia ka shkelur Marrëveshjen e Përkohshme, a do të thotë se Gjykata mund të urdhërojë Greqinë për të vepruar në të ardhmen në pajtim me këtë marrëveshje?

Po, gjykata mund ta bëjë këtë. Por gjykata është e detyruar nga parashtrimet e të dyja palëve. Së pari duhet të shikojmë çka ka kërkuar Maqedonia nga gjykata. Gjëja e parë që Maqedonia i ka kërkuar gjykatës në këtë rast është nëse Greqia ka shkelur Marrëveshjen e Përkohshme. Ky gjykim do të jetë deklarativ, që do të thotë se në qoftë se Maqedonia ka sukses, gjykata do të vendosë se ka shkelje. Maqedonia i ka kërkuar gjykatës të urdhërojë Greqinë që të ndërmarrë të gjitha hapat për të zbatuar detyrimet e tij sipas nenit 11 të Marrëveshjes. Por kjo gjë është shumë e komplikuar, sepse çështja është se cilat janë detyrimet e Greqisë në bazë të këtij neni. Unë mendoj se kjo do të jetë një nga çështjet qendrore të rastit.
Është shumë vështirë të thuhet në këtë fazë se çfarë do të bëjë gjykata, sepse kjo varet nga interpretimi i nenit 11.
Në këtë nen ju mund të shihni dy mënyra. Sipas mënyrës së parë Greqia është e detyruar që të mos pengojë antarësimin e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare nën emrin e përkohshëm IRJM. Pra, gjithmonë kur Maqedonia do të aplikojë me këtë emër, Greqia është e detyruar të pranojë atë. Nga ana tjetër, mund të thuhet se neni dhe detyrimet që rrjedhin prej saj janë më të kufizuara.
Për shembull, ai thotë: sa herë që Greqia ka të drejtë diskrecioni, do të duhet atë të drejtë ta shfrytëzojë në dobi të Maqedonisë. Përderisa anëtarsimi në një organizatë ndërkombëtare varet nga kushte të ndryshme, për shembull, që të pranohet në OKB, Maqedonia duhet të respektojë paqen, lirinë, etj., atëherë Greqia ende ka liri veprimi për të vlerësuar nëse vendi përmbush këtë kusht.


Pra, në rastin e fundit, Greqia ka gjithmonë mundësinë për të ushtruar gjykimin e saj dhe për të vlerësuar aplikimin për anëtarësimin e Maqedonisë në përputhje me kriteret e caktuara. Sa i përket NATO-s, ka kritere të caktuara që Greqia gjithmonë mund të thotë se ato nuk janë përmbushur dhe kështu parandalon antarësimin e vendit.

Deutsche Welle: D.m.th. pa marrë prasysh vendimin e Gjykatës, zhvillimi (sjellja e ) i Greqisë edhe në të ardhmen do të përcaktohet nga vullneti politik i lidershipit të saj?

Profesor Dr. Stefan Talmon: Varet nga vendimi. Unë nuk pres një vendim të qartë në të cilin do të thuhet se Greqia ka shkelur detyrimet e saj për shkak se këto detyrime mund të interpretohen në më shumë mënyra se një. Dhe sigurisht që vendimi nuk do t'ia hapë automatikisht rrugën Maqedonisë për t'u bashkuar me NATO-n. Gjykata nuk mund të urdhërojë Greqinë apo NATO-n për të bashkuar vendin me NATO-n.

Deutsche Welle: A ka procese të ngjashme në historinë e Gjykatës, të cilat do të shërbejnë si shembull krahasimi me rastin konkret?

Profesor Dr. Stefan Talmon: Nuk më kujtohet ndonjë rast i ngjashëm, por thelbësisht në të gjitha rastet veprohet kështu.

Gjykata do të sjellë vendimin, por të dyja palët do të duhet të zbatojnë atë vendim. Gjykata nuk ka ushtri të detyrojë palët që të respektojnë vendimin.

Ekziston një nen në Kartën e OKB-së i cili thotë se vendi, i cili do do të fitojë në Gjykatën e Drejtësisë mund t'i referohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kërkojë nga ai që vendi ta zbatojë vendimin. Por kjo deri më tani nuk ka ndodhur. Unë nuk besoj se Maqedonia do ta bëjë këtë nëse e fiton procesin. Në fund përsëri gjithçka do të zhvillohet në baza të vullnetit të mirë të të dyja palëve.

Nëse ju shikoni në historinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të vëreni se vendimet nuk mbajnë vetëm peshë ligjore, por edhe një peshë të madhe morale. Pra, një vend pa marrë parasysh se nuk krijon probleme të mëdha, nuk mund të injorojë vendimin e gjykatës. Nëse ju shikoni në përqindjen e respektimit të vendimeve të Gjykatës, edhe pse ai nuk ka mekanizma për zbatimin e vendimeve, kjo përqindje është shumë më e lartë se çdo gjykatë vendase.
Pra, pa marrë parasysh se çfarë do të jetë vendimi, pala që do të pësojë humbje është e obliguar që t`i përmbahet atij vendimi. Sidomos një vend si Greqia, anëtare e BE, nuk mund të përballojë të shihet në sytë e komunitetit ndërkombëtar si dikush që nuk respekton vendimin e gjykatës.

Deutsche Welle: Cili është mendimi juaj personal për "Mosmarrëveshjen mbi emrin" mes Maqedonisë dhe Greqisë, a mendoni se çdo zgjidhje ligjore është e mundshme, por vetëm jashtë spektrit politik?

Profesor Dr. Stefan Talmon: Ju vëreni se unë e quaj Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. Unë mendoj se kjo është një nga problemet e vështira në të cilën të dyja palët kanë mendime shumë të forta në lidhje me atë që ato duan të arrijnë. Maqedonia dëshiron të mbajë emrin. Greqia kërkon shtesë (mbiemër ) në emër. Tingëllon si një situatë ku nuk mund të ketë fitues apo çfarëdo njëra anë merr, e tjera e humb. Pra, unë kam shpresa të mëdha se do të ketë një zgjidhje për këtë problem në të ardhmen e afërt.

Sa i përket vendimeve ligjore: Greqia pohon se emri, simbolet e RM-së nënkuptojnë pretendime territoriale ndaj rajonit të saj administrativ me të njëjtin emër. Skenar i mundshëm është për të shkuar sërish para Tribunalit dhe për të kërkuar mendimin nëse emri i vendit implikon pretendime territoriale. Por nuk mendoj se kjo gjë është e nevojshme. Në fund ky kontest do të zgjidhet disi vetëm nëpërmjet kompromisit politik, por të jem i sinqertë, unë nuk mund të shikoj se çfarë kompromisi do të jetë ai.

Autor: Boris Georgievski/ Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Aida Cama