1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Taler: Çështja e emrit pengon Maqedoninë të fillojë negociatat për anëtarësim në BE

Megjithë vlerësimet pozitive për reformat, pritet që Maqedonia të mos e shfrytëzojë statusin formal të vendit kandidat për anëtarësim në BE, shprehet raportuesi për arrritjet e Maqedonisë eurodeputetit Zoran Taler

default

Raportues i Komisionit Evropian për Maqedoninë

Eurodeputeti nga Sllovenia Zoran Taler është raportues i Komisionit Evropian për punën, që ka bërë Maqedonia gjatë këtij viti. Raporti përfundimtar vjetor paraqet bazën, mbi të cilën mbështeten obligimet, që i jepen një vendi kandidat për anëtarësim në BE, thotë eurodeputeti Zoran Taler. Raporti për Maqedoninë zyrtarisht do të shpaloset me 10 nëntor dhe tanimë dihet se në përmbajtjen e tij do të ketë lajme të mira dhe të këqija për Maqedoninë.

Reformat janë kryer me sukses

“Lajmet e mira kanë të bëjnë me faktin se në Maqedoni janë realizuar një sërë reformash, se obligimet e marra janë kryer me sukses, të gjithë i kanë vërejtur rregullat e reja të procedurave në Parlamentin e Maqedonisë”, thotë raportuesi për Maqedoninë, eurodeputeti Zoran Taler. Gjithnjë sipas tij në raport në mënyrë eksplicite do të theksohen edhe ato sfera, ku nuk janë arritur rezultatet e duhura. Problemet dhe mangësitë do të konkretizohen, sepse ky raport do të jetë udhërrëfyes për qeverinë, parlamentin, si dhe për gjithë opinonin publik në Maqedoni.

Mazedonien Parlament NO FLASH

Janë realizuar një sërë reformash, si rregullat e reja proceduriale në parlament

“Nëse konstatojmë se diçka nuk është në rregull me mediat, atëherë në raport duhet të tregohet shkaku, pse është kështu. Do të japim udhëzime se çka mund të bëhet më tepër në luftën kundër korrupsionit, cili është statusi i gjykatës kushtetuese, a ka ndikim të pushtetit ekzekutiv në punën e tij. Këto janë çështje konkrete, të cilat shqyrtohen në raport”, shprehet eurodeputeti Zoran Taler.

Çështja e emrit pengon fillimin e negociatave për anëtarësim

Edhe pse raporti për Maqedoninë në përgjithësi do të ketë vlerësime pozitive, moszgjidhja e çështjes së emrit do të paraqesë arsye formale, që nuk do të mund të pritet pajtueshmëri për caktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Taler thotë se raporti nuk është marrë shumë me çështjen e emrit, por ky kontest është një problem i madh, që pengon pëparimin e Maqedonisë në proceset eurointegruese. Greqia nuk ka gadishmëri që Maqedonisë t'i mundësohet caktimi i datës së fillimit të bisedimeve për anëtarësim pa zgjidhjen e çështjes së emrit.

Herman Van Rompuy Nikola Gruevski Skopje Mazedonien

Të zgjidhet çështja e emrit. Van Rompuy dhe Gruevski në Shkup, 19.10.2010

Taler: I mbetet Maqedonisë të marrë vendime strategjike për zgjidhjen e çështjes së emrit

“Do të ishte një vendim i guximshëm shtetëror që të bëhet kompromis, edhe pse një vendim i tillë do të ishte jo i popullarizuar në pjesën më të madhe të opinionit maqedonas“, thotë Taler. Maqedonia po praktikon mënyrën e zvarritjes së negociatave për çështjen e emrit, që në fjalorin politik njihet si teoria e zhvillimit të bisedimeve për bisedime. Një taktikë e këtillë nuk është në të mirën e Maqedonisë, sepse koha nuk punon për vendin tuaj, nënvizon Taler. Çështja e emrit ka mbetur në një pat pozicion, ku vërehet mungesa e masës kritike për tejkalimin e këtij problemi. Eurodeputeti Zoran Taler vlerëson se çështja e emrit të Maqedonisë në këtë periudhë nuk gjendet në agjendën prioritare të Brukselit dhe Washingtonit, andaj i mbetet Shkupit që të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e këtij problemi.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 22.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pl7Z
  • Data 22.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pl7Z