1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Talebanët silurojnë përpjekjet paqësore

Menjëherë pas hapjes së një zyre ndërlidhëse në Katar dhe deklaratës së saj për të filluar dialogun, islamistët kanë sulmuar përsëri një bazë ushtarake pranë Kabulit. Katër ushtarë amerikanë u vranë.

Objektiv i sulmit të talebanëve ishte baza ajrore Bagram në veri të kryeqytetit afgan, Kabul. Katër ushtarë amerikanë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën kur kampi më i madh ushtarak amerikan në Hindukush u bombardua me raketa dhe mortaja, siç njoftoi një përfaqësues i Pentagonit në Uashington. Më vonë, përmes një deklarate dhënë agjencisë franceze të lajmeve AFP, një zëdhënës i milicisë talebane radikale islamike morri përsipër përgjegjësinë për sulmin. Hollësi të tjera nuk janë bërë të njohura.

Ushtarët afganë marrin përsipër sigurinë në vend

Ushtarët afganë marrin përsipër sigurinë në vend

Vetëm disa orë para kryerjes së sulmit forcat afgane kishin marrë përsipër përgjegjësinë për sigurinë në të gjithë vendin. Ata në këtë mënyrë kishin ngjallur shpresën se afganët mund të marrin në duart e tyre fatin në të ardhmen, pa mbështetjen e ushtarëve të Forcës Ndërkombëtare, ISAF.

Përveç kësaj talebanët të cilët kanë sunduar në Afganistan deri në fund të vitit 2001 dhe që atëherë kanë zhvilluar një luftë guerile me trupat e NATO-s, hapën të martën një zyrë ndërlidhëse në Doha, kryeqytetin e Katarit. SHBA-ja kanë paralajmëruar tashmë bisedime për arritjen e një marrëveshje paqeje me përfaqësuesit e talebanëve. Ato do të duhej të fillon pas ca ditësh në Doha, thuhet në Uashington. I dërguari i posaçëm për Afganistanin dhe Pakistanin, James Dobbins, është nisur ndërkohë për në Doha.

Obama: Hapja e zyrës është një "hap i parë i rëndësishëm"

Presidenti amerikan Barak Obama foli për një "hap të parë të rëndësishëm", por pret një proces të gjatë dhe të vështirë. "Një proces i paqes i drejtuar dhe i përcaktuar nga afganët është mënyra më e mirë për t'i dhënë fund dhunës dhe për të siguruar stabilitetin në Afganistan dhe në gjithë rajonin", tha Obama në kuadër të samitit të G-8 në Irlandën e Veriut.

Pamje nga konferenca për shtyp nga hapja e zyrës ndërlidhëse në Doha

Pamje nga konferenca për shtyp nga hapja e zyrës ndërlidhëse në Doha

Kushti është megjithatë, që ekstremistët myslimanë të ndërpresin lidhjet e tyre me rrjetin terrorist të Al-Kaidës dhe të heqin dorë nga dhuna. Trupat ndërkombëtare në Afganistan janë të vendosura për të luftuar edhe më tej Al-Kaidën, siguroi presidenti Obama.

Talebanët shpresojnë që përmes zyrës së tyre ndërlidhëse në Doha të futen në një "dialog me botën." Gjithashtu, ata janë të gatshëm për një "fillim të shpejtë të bisedimeve me amerikanët" dhe "varësisht prej rrethanave" edhe me qeverinë afgane. Ata gjithashtu duan të diskutojnë edhe mbi situatën e të burgosurëve në kampin e burgimit të SHBA-së në Guantanamo të Kubës.