1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Taktikan i pushtetit: presidenti afganas Karzai kandidon sërish

Në tetor 2004 Hamid Karzai u zgjodh me 55 për qind presidenti i parë i Afganistanit në rrugë demokratike. Megjithëse pa bilanc suksesi ai po kandidon sërish.

Taktikan i pushtetit: presidenti Karzai kandidon pa bilanc suksesi

Taktikan i pushtetit: presidenti Karzai kandidon pa bilanc suksesi

Zhvillimi i Afganistanit ka ngecur

Pas euforisë fillestare të rindërtimit, zhvillimi i Afganistanit ka ngecur. Hendeku midis të varfërve dhe të pasurve sa vjen e rritet. 42 për qind e afganëve kanë më pak se një dollar në ditë. 40 për qind e popullsisë së aftë për punë nuk ka punë. Në listën e "shteteve të dështuara" Afganistani ra në vendin e gjashtë nga fundi. Në vitin 2006 vendi renditej ende në vendin e tetë nga fundi.

Shumë ekspertë bëjnë përgjegjës për mjerimin e vendit qeverinë e presidentit Karzai. Në vend që të hartonte dhe të zbatonte një strategji, që i përshtatet kushteve të vendit, Karzai u përqendrua tek zgjerimi i bazës së pushtetit të vet, thuhet. Siç thuhet, ai ka farkëtuar aleanca për arsye pragmatike me prijës rajonalë dhe u ka bërë lëshime politike forcave islamiste. Saifudin Saihun, docent në Universitetin e Kabulit, e akuzon presidentin, se nuk ka hartuar "strategji paqeje" për shoqërinë afgane për kohën pas luftërave civile dhe pas pushtimit amerikan.

Karzai u përqendrua tek zgjerimi i bazës së pushtetit të vet, dhe jo te strategjia e rindërtimit

"Në shtatë-tetë vitet e fundit qeveria Karzai dështoi qartë në detyrën e hartimit dhe zbatimit të një koncepti adekuat dhe të një strategjie ushtarake për mbrojtjen e vendit. Për sa i takon garantimit të paqes dhe sigurisë, qeveria ka besuar në radhë të parë tek bashkësia ndërkombëtare."

Popullariteti i presidentit në vend ka rënë shumë. Megjithatë, ai nuk është gati që ta lërë skenën politike. Përkundrazi, ai lufton për një mandat të dytë. Karzai paralajmëroi, se në rast se rizgjidhet do të luftojë korrupsionin mjaft të përhapur në vend. Në listën e organizatës ndërkombëtare kundër korrupsionit "Tranparency International" Afganistani është në vendin e pestë nga fundi. Presidenti e ka të qartë problematikën e kësaj të keqeje dhe ka premtuar, se do të përgatisë një "strategji të tërësishme" kundër saj.

"Unë do të arrij që elita e vendit, mbajtësit e diplomave të universiteteve dhe të shkollave të tjera të zërë punë në administratën e vendit pas një provimi të përgjithshëm."

Gjendja e sigurisë është pëkeqësuar

Kokëçarjen më të madhe ia shkakton presidentit përkeqësimi në rritje i gjendjes së sigurisë. Ai e refuzon kategorikisht tërheqjen e forcave ndërkombëtare të sigurisë nga Afganistani:

"Ne i japim rëndësi të madhe marrëdhënieve tona strategjike me Amerikën. Ne do t'i zgjerojmë dhe forcojmë edhe më shumë këto marrëdhënie. Nuk do të lejojmë, që ata të largohen shpejt nga vendi. Këmbëngulim në praninë e tyre deri sa të qëndrojmë me këmbët tona, të bëhemi më të fortë dhe të ndërtojmë shumë, shumë gjëra."

Karzai ka ndër mend të ftojë edhe talebanët në Loja Xhirga

Për të ftohur kokat e nxehta të shefave të klaneve, të eminencave gri dhe të njerëzve të tjerë me ndikim presidenti Karzai ka ndër mend t'i thërrasë në një kuvend të madh, në "loja xhirgën" tradicionale afgane.

"Në këtë kuvend të madh ftoj edhe vëllezërit tanë talibanë dhe vëllezërit tanë nga radhët e "Partisë Islamike", në mënyrë që të marrin pjesë në këtë mbledhje përkrah bashkëatdhetarëve të tyre dhe të kërkojnë së bashku rrugë për rivendosjen e sigurisë dhe të paqes në vend."

25% të buxhetit për zhvillimin në dispozicion të administratës rajonale

52 vjeçari Karzai ka kultivuar vitet e fundit një stil autoritar qeverisjeje dhe ka marrë vendime të rëndësishme i vetëm. Për të shfuqizuar akuzën e një sistemi presidencial tepër të ngurtë dhe centralist, presidenti i bëri para pak kohësh një propozim administratës rajonale. Në të ardhmen ai planifikon t'u vërë drejtpërdrejt në dispozicion provincave 25 për qind të buxhetit për zhvillimin.

Sipas një sondazhi aktual të institutit demoskopik amerikan "Glevum", Karzai mund të llogarisë aktualisht me 36 për qind të votave. Tashmë me 20 për qind kandidati kundërshtar më i fortë i tij, Abdullah Abdullah po vazhdon t'i afrohet dhe është në vendin e dytë. Për këtë arsye vëzhguesit llogarisin me një raund të dytë zgjedhor.

Autor: Said Musa Samimy/Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 20.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JEek
  • Data 20.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JEek