1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Taksa e sheshtë apo progresive? – Debati për sistemin fiskal hop cilësor në fushatë

Në dallim nga fushatat e mëparshme elektorale, këtë herë partitë i kanë kushtuar më shumë vëmendje temave që kanë të bëjnë me çështje të jetës së përditshme të qytetarëve.

default

Një nga debatet më të nxehta të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ka qenë rreth alternativave që partitë kryesore në garë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, ofrojnë për sistemin fiskal. Në një kohë kur ekonomia shqiptare përballet me një rritje të ulët ekonomike, që nga specialistët vlerësohet si stanjacion, dhe kur kosto e jetesës është rritur ndjeshëm, tatimi mbi të ardhurat apo fitimet e bizneseve merr një rëndësi të veçantë për çdo familje dhe biznes. Që prej vitit 2007 Shqipëria aplikon një sistem fiskal të bazuar në taksën e sheshtë, e cila me 10 për qind është më e ulëta në rajon. Arsyeja primare për vendosjen e kësaj takse ishte niveli i lartë i evazionit fiskal në Shqipëri.

Taksa e sheshtë lufton informalitetin dhe korrupsionin

Neritan Sejamini

Neritan Sejamini, ekspert i politikave publike

Neritan Sejamini, ekspert i politikave publike, një nga kontribuesit në hartimin e reformës për taksën e sheshtë, shpjegon në bisedë me DW përparësitë e një takse të ulët të sheshtë, në rastin e Shqipërisë: "Një vend me taksa më të ulëta dhe sistem më të thjeshtë fiskal është më tërheqës për investuesit e huaj. Pra objektivi për t'u bërë më tërheqës për investuesit e huaj, ishte një nga arsyet. Megjithatë arsyet kryesore për futjen e taksës së sheshtë kishin të bënin me situatën në vend. Shqipëria prej vitesh përballet me një evazion të lartë fiskal. Një pjesë e madhe e bizneseve përdorin bilance të dyfishta. Është krijuar një sistem për shmangien e taksave, pjesë e të cilit nuk janë vetëm bizneset, por edhe punonjësit e administratës fiskale, të cilët bashkëpunojnë kundrejt korrupsionit. Sigurisht kjo shmangie e detyrimit fiskal ka një kosto, por sa më të larta të jenë taksat aq më e ulët bëhet në raport relativ kjo kosto. Pra një taksë e ulët dhe sistem i thjeshtë tatimor, nxit bizneset të dalin nga informaliteti, dhe kjo ishte një nga arsyet e futjes së taksës së sheshtë."

Ashtu si Shqipëria edhe mjaft vende të rajonit, si Kroacia, Maqedonia, Kosova etj., përdorin taksën e sheshtë, për t'u bërë më tërheqëse për investuesit e huaj, të cilët preferojnë një sistem të thjeshtë fiskal. Partia kryesore qeverisëse në Shqipëri, PD, ka premtuar se ajo do të vazhdojë aplikimin e kësaj takse në rast fitoreje në zgjedhje. Ajo vë në dukje se taksa e sheshtë ka ndikuar pozitivish në reduktimin e ekonomisë informale, duke bërë që shumë biznese të dalin nga informaliteti.

Ndërkaq Partia Socialiste e kritikon taksën e sheshtë si asociale, dhe paraqet si alternativë një taksë progresive dhe norma të ulëta për bizneset e vogla. Një taksë progresive do të sillte një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave, duke kërkuar të kontribuojnë më shumë në arkat e shtetit ata që kanë më shumë fuqi ekonomike, theksojnë socialistët.

Shteti nuk duhet t'i heqë vetes bazën financiare

H. Frank Hantke

Frank Hantke, Drejtor i fondacionit gjerman Friedrich Ebert në Tiranë

Drejtori i fondacionit gjerman Friedrich Ebert në Tiranë, Frank Hantke, adreson një tjetër problematikë të taksës së sheshtë. "Nga studime në nivel rajonal rezulton se sistemit fiskal të bazuar në taksën e sheshtë i mungon baza logjike, shteti si të thuash i heq vetes burimet e nevojshme për investime në sektorë të rëndësishëm. Në Shqipëri kemi një sistem të rrënuar arsimor, një infrastrukturë në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Dhe këto aspekte janë për investuesit e huaj shumë më të rëndësishme. Ky ishte edhe rezultati i një anketimi së fundi të kryer nga DIHA (Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë gjermane)në Tiranë: investuesit e huaj nuk vendosin në bazë të taksës së sheshtë për angazhimin e tyre në Shqipëri. Ata sprapsen para kualifikimit të dobët të të rinjve, pra druhen se nuk do të gjejnë fuqi të kualifikuar punëtore për vendet e punës që mund të ofronin. Edhe administrata e pakualifikuar është problem për ta.“

Sipas z. Hantke, taksa progresive e propozuar nga socialistët do të kishte më shumë kuptim për Shqipërinë, por duhet bërë kujdes në normat e aplikuara: "Në Shqipëri nuk kemi një shtresë të mesme, e cila mund të merrte mbi shpatulla në mënyrë solidare një barrë më të madhe fiskale. Për këtë arsye edhe alternativa e socialistëve për një taksë progresive nuk parashikon një barrë më të rëndë për njerëzit me të ardhura mesatare. Vëllimi i të ardhurave të shtetit pra sipas propozimeve të deritanishme do të mbetej i njëjtë. Dhe kjo duhet kuptuar edhe në sfondin e zgjedhjeve: asnjë parti opozitare nuk futet në fushatë me kërkesën për taksa më të larta për pjesën më të madhe të popullsisë. Për këtë arsye përqindjet e taksës progresive të socialistëve janë relativisht të ulëta. Por pasi sistemi të jetë vënë në punë, përmes përshtatjes së normës së tatimit, mund të arrihet një sistem më i drejtë fiskal.“

Siguria ligjore faktor kyç për investimet e huaja

GMF Logo Konrad Adenauer Stiftung

Logoja e fondacionit Konrad Adenauer Stiftung

Edhe Thomas Schrapel, drejtor i fondacionit Konrad Adenauer (KAS) në Tiranë, thekson se edhe më e rëndësishme se një taksë e ulët e sheshtë është zbatimi konsekuent i ligjeve ekzistuese nga administrata fiskale: "Nëse dëgjon mendimin e investuesve, problemi kryesor që ata kanë nuk është edhe aq sistemi fiskal që aplikohet në Shqipëri, por zbatimi me konsekuencë i sistemit. Në të vërtetë nuk ka një expressis verbis, pra një sistem fiskal i cili në mënyrë absolute është më i miri. Është mirë që në të ardhmen të shihen përvojat e vendeve të rajonit. Për Shqipërinë një taksë e sheshtë rezulton tërheqëse për investuesit e huaj, por në fund të fundit më e rëndësishme është siguria për zbatimin me konsekuencë të sistemit të zgjedhur fiskal. P.sh. në praktikë jo gjithnjë është e qartë, qoftë për investuesit e huaj qoftë për ata shqiptarë, se si procedohet me taksën mbi vlerën e shtuar, kur aplikohet ajo etj. Këto janë të rregulluara qartë në ligj, por zbatimi në praktikë jo gjithnjë funksionon. Pra flasim për temën siguri ligjore."

Investime në burime njerëzore, në teknologji dhe depolitizim


Problemin e reformimit të administratës fiskale e pranon edhe eksperti shqiptar Sejamini. Sipas tij reforma fiskale në vitin 2007 nuk ishte e plotë pasi futja e taksës së sheshtë nuk u shoqërua me masa për reformimin e administratës. "Nuk u investua në një teknologji të informacionit, të menaxhimit të riskut dhe për rrjedhojë mundësitë teknike të administrimit të taksave janë të ulëta. Një tjetër problem serioz i kësaj administrate është përgatitja e ulët e burimeve njerëzore. Doganat dhe taksat kanë qenë dy sektorë tipikë, ku vendet e punës janë zënë nga militantë të partive në pushtet. Depolitizimi i administratës fiskale është thelbësor për funksionin e sistemit fiskal, cilido qoftë ai."

Debati mbi taksën progresive apo të sheshtë sipas z. Sejamini anashkalon problemet e vërteta që ka Shqipëria në sistemin fiskal. Këtu bën pjesë TVSH (taksa mbi vlerën e shtuar) e cila është nga më të lartat në Evropë dhe rëndon më shumë në buxhetin e familjeve të varfra në Shqipëri. Ulja e TVSH-së sipas specialistit do të ishte ndihma e vërtetë për shtresën me të ardhura të ulëta.

Debati për përmbajtjet, sinjal i mirë për demokracinë në Shqipëri

Sidoqoftë, jehona e debatit për sistemin tatimor shënon një hop cilësor në përballjen elektorale të partive, konstatojnë vëzhguesit. Largimi nga sloganet dhe temat që prekin direkt qytetarët tregon se partitë në garë përpiqen të bëjnë për vete atë pjesë të elektoratit, e cila nuk voton patjetër për partitë por për programet dhe atë çfarë partitë mund të bëjnë për përmirësimin e kushteve të jetesës. Thomas Schrapel, drejtori i KAS në Tiranë thotë në bisedë me Deutsche Welle-n, se kjo pjesë e elektoratit është në rritje dhe mund të bëjë diferencën në rezultat: "Në Shqipëri rezultatet e zgjedhjeve janë shumë të ngushta. Për këtë arsye pjesa e zgjedhësve të cilët nuk votojnë në mënyrë tradicionale, pra ata votën e të cilëve një parti nuk e ka plotësisht të sigurt që në fillim, këta janë ata për të cilët luftohet vërtet në fushatë elektorale. Kjo sigurisht nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Pikërisht këta zgjedhës në vendimin për dhënien e votës orientohen tek përmbajtjet e programeve të partive në garë. Unë personalisht besoj se pjesa e këtyre zgjedhësve në këto zgjedhje është më e lartë se në zgjedhje të kaluara. Për mendimin tim kjo lidhet me rritjen gjithnjë e më shumë të numrit të atyre zgjedhësve, procesi i socializimit të të cilëve ka ndodhur plotësisht në Shqipërinë moderne, pas viteve '90. Mendoj se blloqet në garë në këto zgjedhje e kanë drejtuar më shumë fushatën drejt kësaj pjese të elektoratit, e cila nuk thotë që në fillim: do ta jap votën për këtë parti, se kështu kam bërë gjithnjë, por orientohen tek programet. Ky është një sinjal i mirë për demokracinë në Shqipëri."