1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Takimi vjetor i FMN dhe Bankës Botërore - Recetat e vjetra nuk ndihmojnë

Shumica e vendeve të eurozonës nuk kanë fleksibilitet aq të madh financiar për investime të mjaftueshëme për të gjeneruar rritje të qëndrueshme dhe vende pune.

Takimi vjetor i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore tregoi edhe një herë: Evropa mbetet fëmija problematik i ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të 188 vendeve. Për gjetjen e recetave se si mund t'i vihet në ndihmë pacientit që po dobësohet po debatohet fort - nganjëherë para kamerave televizive, nganjëherë me dyer të mbyllura.

Shefi i BQE-së Mario Draghi po e provon me recetën e Bankës Qendrore Amerikane Fed. Ai përpiqet të stimulojë ekonominë me normat e interesi thuajse zero dhe me programe për blerjen e bonove. Por shumë ekonomistë e konsiderojnë këtë si mënyra më e rrezikshme. Askush nuk mund të kundërshtojë seriozisht kur presidenti i Bankës Federale Gjermane Bundesbank Jens Weidmann tërheq vëmendjen duke iu referuar normave të ulëta të interesit për një përmbytje të madhe parash dhe paralajmëron ndaj gjuetisë alarmante për përqindjet e interesit sepse aktorët në tregjet financiare u hyjnë rreziqeve gjithnjë e më të mëdha dhe mund të shkaktojnë ndoshta plasjen e flluskës tjetër.

Rolf Wenkel

Rolf Wenkel

Përveç kësaj dhe dallimet në politikën e normave të interesit në zonën euro në njërën anë, dhe në SHBA dhe Britaninë e Madhe në anën tjetër, përmbajnë në vetvete rrezik të madh potencial. Sepse ndërsa Fed po e mbyll dalëngadalë rubinetin e parave, programi i Draghit po arrin në kulmin e tij. Kështu vihen në lëvizje flukse masive kapitali, që ndoshta do t'u shkaktojnë probleme të rëndësishme tregjet në vendet në zhvillim, që deri tani kanë përfituar shumë mirë nga investimet e huaja.

Rrugën e dytë e rekomandojnë ndër të tjera shefja e FMN-së Christine Lagarde dhe ministri i Financave i SHBA-së Jack Lew: qeveritë e Evropës nuk duhet të dëgjojnë ato që thotë komisari i kursimeve Wolfgang Schäuble, por të stimulojnë kërkesën nëpërmjet deficiteve të larta dhe investimeve publike. Sidomos vendet me suficit të lartë eksportesh duhet të bëjë më tepër për kërkesën e brendshme, thonë duke ju referuar Gjermanisë.

Receta tingëllon mirë - po ka një kleçkë. Shumica e vendeve të eurozonës nuk kanë fleksibilitet aq të madh financiar për investime që do të ishte i mjaftueshëm për të gjeneruar rritje të qëndrueshme dhe vende pune. Në rast se ato lejohen të hyjnë përsëri në borxh, atëherë do të paralizohen shumë shpejt disiplina buxhetore dhe zelli për reforma - dhe shumë shpejt do të ktheheshim në pikën në të cilën filloi kriza në eurozonë.

Vetëm komisari i kursimeve Schäuble mund të financojë deri në dhjetë apo 20 miliardë euro pa rrezikuar frenën e borxhit. Ai do të financojë çdo propozim të pjekur mirë, tha ai në Uashington - një premtim që për të është i lehtë. Sepse deri sa në Gjermani projektet të jenë pjekur mirë duhen të kalojnë vite, në mos dekada të tëra. Dhe edhe në qoftë se do të ketë projekte të mjaftueshme, kjo nuk do të thotë, se prej tyre do të përfitojë ekonomia e fqinjëve tanë evropianë.

Mbetet pra rruga e tretë, dhe ajo është më e vështira, por edhe më e qëndrueshmja. Që më në fund të zbatohen reformat e nevojshme strukturore të përmirësohet korniza institucionale për zhvillimin dhe për vende pune. Në këtë mënyrë mund të shtohen në mënyrë të përhershme potencialet e rritjes ekonomike dhe të përmirësohet konkurrenca, duke e bërë tregun e punës më fleksibël dhe duke ulur taksat për të krijuar më shumë vende pune dhe për ta bërë vendin më tërheqës për investitorët e huaj.

Sigurisht që këto kërkesa ka kohë që bëhen, madje edhe nga FMN-ja në adresë të evropianëve. Por për këtë nevojiten shkurtime të forta dhe prandaj këto kërkesa ndeshin në rezistencë të ashpër, para së cilave shumë politikanë kanë frikë dhe sprapsen, veçanërisht në Itali dhe në Francë. Por kjo nuk ndimon askënd. Në perspektivë afatgjatë nevoja për reforma strukturore nuk mund të mbulohen as nga borxhi i ri dhe as nga hapja e rubinetit të parave. Politika monetare dhe politika fiskale janë duke u ndeshur përherë e më tepër në kufijtë e tyre. Tani nevojtet një politikën serioze reformash. Dhe kjo duhet kërkuar jo vetëm para kamera televizive, por sigurisht dhe pas dyerve të mbyllura, kur është fjala për veprime konkrete.

DW.COM