1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Takimi Steinmeier- Bushati: Gjermania më e hapur ndaj statusit për Shqipërinë?

Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier u takua të martën në Berlin me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushatin. Në takimin e parë të dy ministrave të Jashtëm u diskutua edhe çështja e statusit.

Ditmir Bushati dhe Frank-Walter Steinmeier në Berlin (8.4.2014)

Ditmir Bushati dhe Frank-Walter Steinmeier në Berlin (8.4.2014)

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i cili ndodhet për vizitë në Gjermani zhvilloi të martën pasdite në Berlin takimin e tij të parë me ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme Gjermane për Deutsche Welle-n, "në qendër të bisedimeve që zgjatën rreth një orë, ishin çështjet e integrimit europian të Shqipërisë, situata e brendshme politike në vend, stadi aktual i zbatimit të reformave, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe çështjet rajonale."

Gjermania pozitive ndaj statusit?

Ndërkohë lidhur me shanset për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme thotë për Deutsche Welle-n, se ministri i Jashtëm gjerman, Frank- Walter Steinmeier mendon se mund të pritet nga Komisioni Europian që në progres-raportin e qershorit për zhvillimet në Shqipëri të vlerësohen reformat që janë bërë veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. "Qeveria gjermane, do të vendosë pastaj më pas për Shqipërinë mbi bazën e këtij raporti, e me një qëndrim pozitiv ndaj çështjes së statusit kandidat në BE, ka thënë Steinmeier."

Ditmir Bushati und Frank-Walter Steinmeier in Berlin 8.4.2014

Takimi Steinmeier-Bushati në Berlin

Marrëdhënie mirëbesimi që duhet thelluar më tej

Për Deutsche Welle-n, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane theksoi se të dy ministrat vunë në dukje gjatë takimit në Berlin bashkëpunimin politik të ngushtë dhe në mirëbesim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë si edhe ranë dakord për thellimin e tij. Një bashkëpunim i tillë u vu në dukje edhe gjatë takimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama me kancelaren Merkel javën e kaluar në Berlin. Kancelarja gjermane në konferencën për shtyp me zotin Rama më 1. prill vlerësoi hapat që ka arritur Shqipëria në rrugën e reformave dhe bëri thirrje për zbatimin praktik të tyre."

Ndërkohë në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, thuhet se të dy ministrat ndanë shqetësimin mbi zhvillimet më të fundit në Ukrainë, pasojat e mundshme në arkitekturën e sigurisë së kontinentit evropian, si dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.

Në kuadër të kësaj vizite pune në Berlin ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime me përfaqësues të partive kryesore në komisionin e politikës së jashtme të parlamentit gjerman, me kryetarin e komisionit të çështjeve evropiane të Bundestagut si dhe me këshilltarët për çështjet e sigurisë dhe ato evropiane në zyrën e Kancelares gjermane, znj. Merkel.