1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi Solana - Gruevski në Bruksel

29 Tetor 2009

Kryediplomati i BE-së Solana i bëri thirrje kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski gjatë takimit të mërkurën (28.10) në Bruksel të zgjidhet sa më shpejtë çështja e emrit kushtetues dhe mundësisht pa referendum.

https://p.dw.com/p/KImq
Havier Solana, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së dhe kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski
Havier Solana, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së dhe kryeministri i Maqedonisë, Nikola GruevskiFotografi: DW

Kryediplomati i BE-së, Havier Solana i bëri thirrje kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski gjatë takimit të mërkurën (28.10) në Bruksel që sa më shpejtë ta zgjidhë çështjen emrit kushtetues dhe brenda mundësive pa referendum.

Maqedonia mbetet e angazhuar për reformat dhe zgjidhjen e çështjeve ende të hapura, duke përfshirë edhe çështjen e emrit të kontestuar nga Greqia, u shpreh kryeministri Nikolla Gruevski pas takimit me kryediplomatin e BE-së Havier Solana në Bruksel. "Unë shpresoj se administrata e re greke do të ketë një qasje serioze në këtë çështje dhe do ta ketë si prioritet atë. Greqia do të hyjë në bisedime me dëshirën për të arritur një zgjidhje të caktuar.", tha kryeministri Gruevski.

Maqedonia arriti maksimumin këtë vit: me raportin pozitiv të Komisionit Evropian dhe rekomandimin për fillimin e negociatave paraprake, liberalizimin e vizave dhe përcaktimin e vijës kufitare me Kosovën, vlerësoi Gruevski.

Kryediplomati evropian Solana, nga beson se mbajtja e një referendumi në Maqedoni për mosmarrëveshjet mbi emrin nuk është zgjidhja më e mirë: "Unë besoj që në demokraci parlamentare referendumi nuk është zgjidhja më e mirë për të marrë një përgjigje nga qytetarët për çështje të rëndësishme. Megjithatë ne e respektojmë vullnetin e popullit dhe qeverisë.", tha Solana.

Ai shtoi se BE-ja shpreson për zgjidhje të shpejtë të çështjes së emrit, por nuk ka formulë të gatshme për ta zgjidhur tani këtë problem.

Takimi i kryeministrit Gruevski me komisarin e BE-së për Zgjerimin, Oli Rhen, i caktuar për të mërkurën, u anullua për shkak të sëmundjes së Rhenit. Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski vazhdon edhe të enjten (29.10) vizitën në Bruksel, ai merr pjesë në samitin e partive popullore evropiane.

Autor: Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora