1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takimi në Leposavic është ndërprerë - Barrikadat në veri vazhdojnë

9 Gusht 2011

Në këtë seancë, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës duhej të vendosnin për heqjen e barrikadave nga rrugët dhe pranimin e marrëveshjes së KFOR-it për menaxhimin e dy pikave doganore në veri të Kosovës.

https://p.dw.com/p/12DgG
Rruga Prishtinë - Rashke
Rruga Prishtinë - RashkeFotografi: DW


Rezultatet e dala nga takimi i sotëm në Leposavic, pritej të ishin vendimtare nëse serbët e veriut do të pajtoheshin me heqjen e barrikadave dyjavore në arteriet kryesore rrugore drejt dy pikave doganore Bërnjak dhe Jarinjë në veri të Kosovës, për menaxhimin e të cilave tashmë KFOR-i ka arritur një marrëveshje me qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë. Mirëpo, deklaratat paraprake të përfaqësuesve të serbëve të veriut, se largimi i barrikadave pritej të bëhej sot mbeten vetëm verbale, sepse sesioni i përbashkët i krerëve të komunave paralale në veri të Kosovës i paralajmëruar për orën 12-të por i filluar me 45 minuta vonesë, u ndërpre pas dhjetë minutash siç u tha, për shkak se nuk ka kritere ligjore për mbajtjen e tij dhe ngaqë në takim nuk merrnin pjesë përfaqësuesit të Zubin Potokut.

Sipas zëdhënësit të Kfor-it në Prishtinë, Hans Dieter Wichter. ”Më sa duket, duhet pak më shumë kohë që të rregullohen gjërat në veri dhe nisur nga situata e komplikuar, ne kemi mirëkuptim për vazhdimin e diskutimit. Ne nuk vemë kushte kohore. E rëndësishme është për ne rrugët ose janë të hapura ose janë të kalueshme dhe KFOR-i mund të lëvizë lirshëm në veri. Aktualisht, kemi përshtypjen se gjendja është e qetë, të paktën ndërkohë dhe krahas diskutimeve në veri, nuk ka ndonjë potencial agresioni, i cili do mund të shpërthente në akte të dhunshme”, tha për Dojce Vele-n zëdhënësi Vihter.

Vihter: “Të përdoret çdo mjet për zgjidhje konflikti në mënyrë paqësore”

Para fillimit të takimit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Serbisë me anë të një deklaratë për shtyp kanë thënë se marrëveshja e arritur me Kfori-n, paraqet pranimin e aplikimit të Planit të Ahtisarit nga ana e qeverise së Serbisë, e cila bie ndesh me rezolutën 12/44. Kryetari i komunës së Leposaviqit Slavko Stefanoviq, u ka thënë gazetarëve se takimet do të jenë të ndara në çdo komune, ndërsa koha ende nuk dihet. Ndërsa, serbët vazhdojnë të qëndrojnë në barrikada në Zubqe të Zubin Potokut dhe në afërsi të Leposaviqit si dhe ne Rudare të Zvecanit.

Sipas zëdhënësit Vihter: “Barrikada më e madhe vazhdon të jetë në Rudarë, dy të tjera janë në anë të rrugës, ndërsa të tjerat në Zvecan, Leposavic dhe në Zubin Potok janë të kalueshme në njërën anë, por ato mund të raktivizohen në çdo kohë. Mirëpo, për momentin duhet të kemi durim dhe vazhdimisht po përpiqemi të qetësojmë situatën. Dhe edhe pse përditë ka tensione të reja, ia vlen të përpiqemi dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi për të zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore”.

A krahasohet pozita e shqiptarëve në Serbinë e Millosheviçit me serbët në Kosovën e sotme?

Serbët në veri kundërshtojnë shtrirjen e institucioneve të Kosovës edhe në veri. Millorad Aksentijevic 75 vjeç, nga barrikadat ne Rudare te Zvecanit thotë se: “Që nga Lidhja e Prizrenit shqiptarët asnjëherë nuk e ka pranuar Serbinë si shtet. E pse Kosova pret që serbët ta pranojmë Kosovën. Shqiptarët për 15-të vjet kanë bojkotuar zgjedhjet në Serbi. Gjërat kthehen herëdokur dhe kjo është kthyer tani! Dikur jetonim bashkë. Çka na mungoi derisa nuk është përzier politika në popull? Kjo do t´na sjell serish deri të gjakderdhja...”.

Përderisa, Fadil Begolli nga Mitrovica mendon se, shumica e serbëve të veriut nuk e do një situatë të tillë: “Kurkund serbët se kanë ma mirë se n´Kosovë e me ne. Por por kjo është çështje politike. Sepse, banorët serbë me të cilët kemi bashkëjetuar deri dje, me mujt me i liru prej kësaj pjesës së ekstremistëve e radikalëve të cilët i paguajnë trefish krerët e tyre për t´manipuluar me popullin, këtu për dy orë qetësohet gjëndja dhe fillon një jetë e re. E prapëseprapë, më mirë iu bjen serbve sesa ne të tjerëve, se në Kosovë privilegjet ma të mëdha si popull i ka komuniteti serb. Ne jemi dëshmitarë vet”.

Serbët e veriut në barrikada e kundërshtojnë zbatimin e masave të reciprocitetit në fushën e tregtisë ndaj Serbisë, e cila nuk pranon vulat e Republikës se Kosovës dhe refuzon hyrjen dhe qarkullimin e mallrave nëpër territorin e vet. Rebelimi i turmës së protestuesve pas dërgimit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës dhe përpjekjeve të qeverise së Kosovës për vënien nën kontroll të dy pikave doganore në veri, la një të vrarë dhe dhjetëra të plagosur me ç´rast nga serbët e rebeluar u dogj edhe pika kufitare në Jarinjë. Ndërsa, takimi i sotëm i përfaqësueve serbë në Leposavic, vjen pas arritjes së marrëveshjes në mes të KFOR-it, Prishtinës dhe Beogradit për menaxhimin e kufijve veriorë të Kosovës dhe zbutjen e tensioneve në veri.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama