1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së: "Hap në drejtimin e duhur"

Në takimin dy ditor të ministrave të Jashtëm të BE-së në Riga u arrit zgjerimi i kompetencave të OSBE-së në zonën e konfliktit në Ukrainë. Në Riga u debatua edhe për partneritetin lindor të Bashkimit Europian.

EU Außenministertreffen in Riga

Takimi i ministrave të Jashtëm në Riga

Zgjerimi i misionit të BE-së dhe i kompetencave të saj në rajonin e konfliktit në Ukrainë u përshëndet në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në Riga si një lajm i mirë dhe konstruktiv. Numri i vëzhguesve të OSBE-së duhet të rritet nga 500 në 1000 vetë, krahas kësaj OSBE do të pajiset me mundësitë e duhura teknike dhe ekspertë për të vlerësuar pamjet satelitore nga rajoni i krizës. Një vlerësim i rëndësishëm ky për të verifikuar nëse armët e transportuara janë në largësinë e duhur nga zona e luftimeve apo janë të magazinuara në depo të reja në afërsi.

Moska lëshon rrugë

Me ujditë e fundit bëhet e mundur që OSBE të marrë më shumë kompetenca në drejtim të kontrollimit të tërheqjes së armëve të rënda. OSBE do të kontrollojë tani edhe se ku transportohen materialet e luftës. Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier të shtunën në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm. Steinmeier, citojnë agjencitë e lajmeve, është shprehur se ka biseduar me ministrin e Jashtëm rus, Lavrov, i cili i ka premtuar se do ta mbështesë këtë plan. „Duke pasur parasysh nevojën për përmirësimin e gjendjes, ky është një hap shumë i rëndësishëm“, vlerëson Steinmeier.

EU Außenministertreffen in Riga

Steinmeier duke folur para gazetarëve

Pozitivisht u vlerësua në Riga edhe fakti që Moska ka premtuar se do të ndikojë për garantimin e aksesit të pakufizuar në zonat e kontrolluara nga separatistët. Në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm në Riga, Steinmeier tha se Rusia ka premtuar edhe lëvizjen e lirë të vëzhguesve ndërkombëtarë. Ministri i Jashtëm lituanez Linas Linkevicius i ka konsideruar "një hap në drejtimin e duhur" arritjet e takimit të ministrave të Jashtëm në Riga. Edhe homologu nga Luksemburgu Jean Asselborn u shpreh me tone pozitive dhe e konsideroi hap përpara ujdinë në Riga. Nëse do të vazhdohet të ecet në drejtimin e duhur, atëherë mund të mendohet edhe për zbutjen e sanksioneve ndaj Rusisë, tha Asselborn.

Krisje për sanksionet

Por në Riga nuk pati vetëm ujdi, por edhe përplasje. Ujdia europiane në çështjen e sanksioneve kundër Rusisë po bëhet gjithnjë e më e vështirë në BE. Sanksionet ekonomike duhet të zgjaten në korrik, ndërkohë që në Riga, e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini është shprehur se „nuk ka për të qenë e lehtë“. Në takimin e dyditor të ministrave të Jashtëm u bënë të qarta krisjet në fasadën europianë të unitetit kundër Rusisë.

EU Außenministertreffen in Riga

Federica Mogherini

Partneritet lindor me Rusinë?

Në sfondin e konfliktit me Ukrainën, BE po rishqyrton strategjinë e saj drejt lindjes. Do të angazhohet më shumë Rusia kur kërkohen marrëdhënie më të ngushta me BE-në? Disa shtete europiane janë pro kësaj strategjie. Aktualisht Bashkimi Europian po rishikon planet në lidhje me partneritetin me ish-republikat sovjetike të Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

Në ditën e dytë të takimit të ministrave të Jashtëm në kryeqytetin letonez, Riga të shtunën, janë bërë propozime për samitin e BE-së për Partneritetin Lindor në maj, ku në fokus do të jetë strategjia europiane për marrëdhëniet me lindjen. Aty pritet një intensifikim i bashkëpunimit me fqinjët lindorë të Bashkimit Europian.

Por BE duhet tani të sigurojë se Partneriteti Lindor nuk do të vendosë linja të reja ndarëse në Europë, komentoi ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz, planet e BE-së. Për këtë arsye është e nevojshme që në këto bisedime të jetë e përfshirë edhe Rusia. Partneriteti Lindor nuk duhet të kthehet në “një test ndarës për vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia”. Ato duhet të vazhdojnë të kenë kontakte të ngushta ekonomike me Rusinë. Që nga shpërthimi i konfliktit në Ukrainë politika e partneritetit e BE-së është vendosur në shënjestër të kritikave. Afrimi i qeverisë në Kiev me BE-së konsiderohet si një nga arsyet e shpërthimit të luftës qytetare. Moska është kritike ndaj afrimit të Ukrainës me BE dhe mbështet separatistët në lindjen e Ukrainës.