1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Takimi i Eurogrupit dhe problemet e pazgjidhura

Pa një ministër të ri të financave nga Gjermania nuk mund të merren vendimet e rëndësishme në Eurogrup. Ministri Schäuble duhet të marrë pjesë në takimet për koalicionin qeveritar. Ndaj vendimet shtyhen për nëntor.

Njëri prej tyre mungonte në tryezë. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble nuk shkoi në takim por u përfaqësua nga një zyrtar i ministrisë në Luksemburg. Schäuble ishte në Berlin në takim me socialdemokratët, në negociatat për koalicionin qeveritar. Kancelarja kishte nevojë për ministrin në negociata, me synim gjetjen e ndonjë kompromisi. Pa ministrin gjerman të Financave nuk mund të funksionojnë shumë gjëra as në Eurogrup. Ndaj të gjitha vendimet janë shtyrë.

Si do të zhvillohen punët me bankat? Prej çfarë mjetesh do të financohen ato dhe prej kujt, para se bankat të vendosen nën kontrollin e Bankës Qendrore Evropiane vitin që vjen? Përgjigjet në këto pyetje duhet të presin zgjedhjen e një qeverie të re në Gjermani. Shefi i Eurogrupit, ministri holandez i Financave, Jeroen Dijsselbloem tha se "këtu bëhet fjalë për shumë detaje teknike. Diskutimet do të zgjasin edhe disa muaj". Vendimet e para priten në takimin e Eurogrupit në nëntor.

Unioni bankar: detajet konstestuese

Pamje nga takimi i ministrave të Financave në Luksemburg

Pamje nga takimi i ministrave të Financave në Luksemburg

Vendet më të mëdha të Eurogrupit, Gjermania dhe Franca nuk janë dakord për zgjidhjen e problemit me bankat e falimentuara. Gjermania është kundër planit që kjo të mbetet në duart e BQE-së, pa i ndryshuar marrëveshjet evropiane. Franca dhe Komisioni i BE-së janë të mendimit se për këto vendime nuk ka nevojë për një marrëveshje të re. Tani po kërkohet një kompromis, sipas së cilit ky problem do të mund të zgjidhej tek autoritetet e ombrellës së shpëtimit të eruos. Por edhe këtu ka mosmarrëveshje.

Irlanda do të dalë jashtë ombrellës

Megjithë lajmet premtuese se Irlanda dhe Spanja mund të dalin jashtë ombrellës për shpëtimin e euros në fund të vitit, shefi i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem paralajmëron nga vendimet e përshpejtuara. Vendimet për këtë priten poashtu në nëntor. Irlanda dhe Spanja janë në rrugë të mirë, tha komisioneri për Ekonomi dhe monedhën e përbashkët, Olli Rehn. "Të dy vendet, Irlanda dhe Spanja, kanë bërë një kthesë pozitive ekonomike. Të dy vendet kanë shansa të mira që me sukses të përfundojnë programet e tyre", tha Rehn.

Në foto, ministri irlandez i Financave, Michael Noonan

Në foto, ministri irlandez i Financave, Michael Noonan

Irlanda ka kërkuar ndihma para shumë vitesh për të evituar falimentimin e shtetit. Qeveri irlandeze ka mbështetur me shumë miliardë bankat e veta për t'i shpëtuar ato. Pasoja ishte rënia e ekonomisë. Me një program të hekurt kursimesh, ky vend ka arritur t'i plotësojë shumë kushte për t'u rimëkëmbur. "Tani po fillojmë një fazë vendimtare për rimëkëmbjen e Irlandës. Buxheti për vitin 2014 është shumë me rëndësi. Ekonomia po rritet dhe ne çdo muaj po i hapim nga 3000 vende të reja pune", tha ministri i Financave Michael Noonan.

Spanja ka marrë rreth 40 miliardë euro për shpëtimin e bankave. Programi i shpëtimit ka qenë shumë më i vogël se në Irlandë dhe pritet të përfundojë në dhjetor.

Greqia nuk është në rend dite

Për programet e tjera të ndihmave për Greqinë, Portugalinë dhe Qipron është biseduar në Luksemburg por nuk janë marrë kurfarë vendimesh. Greqia ka nevojë për ndihmat më të mëdha në vitin e ardhshëm. Në mes të vitit 2014 do të vendoset se për çfarë shumash ka nevojë ky vend, me qëllim që Greqia deri në vitin 2022 të mëvehtësohet financiarisht. Qeveria gjemane ka hedhur poshtë deri tani mundësinë e shlyerje së borxheve. Eurogurpi tani po pret që të krijohet një qeveri e re gjermane.

Të gjithë shikojnë drejt SHBA

Në foto, komisioneri Olli Rehn

Në foto, komisioneri Olli Rehn

Me vëmendje po shikohet edhe gjendja në Francë dhe Itali. Deri në mes të nëntorit do të vlerësohen programet e shumta për ndihma. Mbi bazën e këtyre vlerësimeve do të merren edhe vendimet. Komisioneri Olli Rehn tha se gjendja e përgjithshme është më e relaksuar në Evropë. "Tani mund të veprojmë pak më ngadalë se më parë. Tani ka ca përmirësime në politikën financiare të Eurozonës dhe në konsolidimin e buxheteve dhe reformave strukturore". Por Rehn paralajmëroi se kriza ekonomike dhe e borxheve ende nuk kanë kaluar.

Një rrezik të madh për ekonominë evropiane paraqet gjendja e rëndë në SHBA. Grindjet rreth buxhetit me presidentit dhe kongresit mund të çojnë deri tek bllokada e pagesave në SHBA. "Do të ishte shumë me rëndësi që SHBA-ja të tejkalojë këtë bllokadë financiare", tha Rehn. "Në të kundërtën mund të kemi pasoja shumë të rënda për ekonominë botërore. Kjo do të kishte pasoja të rënda edhe për rimëkëmbjen ekonomike në Evropë."