1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Takimi i BE për financat koordinoi pozicionet për Pitsburgun

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE duan të vendosin standarde të detyrueshme për shpërblimet në banka, në nivel ndërkombëtar. Të enjten (17.9.) ata ranë dakord në Bruksel për pozicione të përbashkëta.

Shpërblimet për bankierët preokupojnë shtetet e botës. Ne foto: kartemonedhe dhe monedha euro

Shpërblimet për bankierët preokupojnë shtetet e botës

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së, janë fokusuar tashmë në takimin ndërkombëtar të nivelit të lartë për financat të G-20-ës, që zhvillohet pas një jave në Pitsburg. Atje duhet të shpëtohet sa më shumë nga ato, për të cilat BE ra dakord në Bruksel. Kancelarja gjermane Angela Merkel përmblodhi ato, çka janë të rëndësishme për të:

" Për mua prioritet ka në radhë të parë një rregull, në sajë të të cilit, asnjë bankë dhe asnjë institut financiar të mos ketë mundësi të ushtrojë presion mbi shtetet. Së dyti, arritja e vendosjes së rregullave uniforme për kufizimin e shpërblimeve. Së treti, nxjerrja e mësimeve nga kriza dhe puna për hartimin e një karte, për rritje të vazhdueshme ekonomike."

Por në fund të mbrëmjes nuk pati konkretizime për këto pika. Në vend të tyre, formulime të vagullta, të cilat lenë të hapura të gjitha mundësitë për samitin e Pitsburgut. Austria për shembull, propozoi futjen e një takse për të gjitha llojet e transaksioneve financiare. Synimi i saj është reduktimi i transaksioneve spekulative dhe financimi i një pjese të kostove të krizës financiare. Merkel ishte ndër ato, që në thelb e mbështetën këtë propozim, por që e shohin të realizueshëm vetëm në kornizën e G-20. Kryeministri suedez dhe Kryetari i radhës së Këshillit të BE-së, Fredrik Reinfeldt, ishte nga të paktët që u shprehën qartë kundër aplikimit të një takse të tillë:

" Nuk mendoj se është kjo përgjigja. Më të mira janë masat e koordinuara bashkarisht për shpërblimet, mbikqyrjen financiare, transparencën. Kjo mendoj unë është përgjigja e duhur."

Por Reinfeldt ishte edhe ai, që në mënyrë të përsëritur kërkoi, që programet e shtrenjta shtetërore në ndihmë të ekonomisë, të mos zgjasin përjetësisht:

" Me rimëkëmbjen e ekonomisë, që tashmë ka filluar, duhet të formulojmë edhe strategji për daljen nga programet, të cilat shtojnë borxhin publik. Shkaku i krizës financiare ishin persona të zhytur thellë në borxhe. Zgjidhja nuk mund të jenë shtete me borxhe të larta, dhe për këtë arsye, na nevojiten strategjitë për daljen nga programet koniunkturore."

Por sipas mendimit të shumicës, ekonomia duhet të vazhdojë të mbështetet në këtë mënyrë. Disa pjesëmarrës në samit tërhoqën vëmendjen se në Bruksel ishin të përfaqësuar të 27 vendet anëtare. Në Pitsburg, në grupin e G-20, do të marrin pjesë vetëm një pjesë e shteteve të BE-së, ata më të fortët. Jerzy Buzek, Presidenti polak i Parlamentit Evropian, i kujtoi 'të mëdhenjtë' e Evropës për përgjegjësinë e tyre:

" Zëri ynë duhet të dëgjohet shumë qartë në takimin e Pitsburgut. Shumë e rëndësishme është, që BE të përfaqësojë edhe vende, të cilat nuk do të jenë në Pitsburg."

Darka e Brukselit ishte në përgjithësi një takim, ku munguan angazhimet. Vetëm në Pitsburg do të shihet, nëse evropianët do të mund të venë vulën e tyre në takimin e G-20.

Autor: Kristof Haselbah/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 18.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JjQ7
  • Data 18.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JjQ7