1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Takimet e liderëve pa epilog

Kryetarët e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni dështuan në mbajtjen e takimit të radhës, ku pritej të arrihej kompromisi për finalizimin e marrëveshjes së 2 qershorit.

Kryetarët e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni kanë dështuar në mbajtjen e takimit të radhës të paralajmëruar për të premten (03.07), në të cilin duhej të gjendej kompromisi për finalizimin e marrëveshjes së 2 qershorit të arritur me ndërmjetësim të Brukselit, e që do të mundësonte përfundimin e krizës polkitike. Dështimi i takimit të liderëve të partive politike, për zgjidhjen e krizës shkon në favor të pushtetit aktual , thonë njohësit e çështjeve politike. Analisti Mersel Bilalli nuk është optimist se të dy palët, pozita dhe opozita maqedonase mund të merren vesh për çështjen e qeverisë teknike. Është vështirë të prognozohet se si do të jetë zgjidhja, pasi bëhet fjalë për liderë të paparashikueshëm, thotë Bilalli.

“Po blihet kohë dhe në fund megjithatë do të gjehet një zgjidhje me presion të madh nga të huajt e jo për shkak të vullnetit politik ose pendimit për atë se çfarë është punuar në të kaluarën. Mendoj se gjatë këtij muaji, duhet të ndodhë një gëj e tillë”, vlerëson Bilalli.

Demiri : VMRO po bëhet më agresive

Analisti Alajdin Demiri , për dështimin e takimit të liderëve fajëson në radhë të parë partitë politike shqiptare, që sipas tij janë vënë në shërbim të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. “Ashtu si kalon koha, pushteti bëhet gjithnjë e më agresiv. VMRO-ja fiton besim dhe është gjithnjë e më e bindur në pozitat e veta”. Por sipas Demirit, edhe opozita maqedonase ka përgjegjësinë e vet për dështimin e deritanishëm të takimeve të liderëve ose më mirë thënë mosarritjen e ndonjë marrëveshjeje për daljen nga kriza. "Gjithë kjo ndodh për shkak se koncepti i demokracisë në Maqedoni, është i mbrapshtë. Vlerësimi i gabuar i opozitës ishte ai se me shpalosjen e kriminalitetit të pushtetit do të detyrojë Gruevsin që të dorëhiqet. Në Maqedoni kjo gjë jo vetëm që nuk ndodh, po pushteti po bëhet edhe më agresiv”, vlerëson Demiri.

Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane, thotë se tanimë u dëshmua që në takimin e liderëve, shqiptarët nuk kanë opozitë. “Duke u bazuar në bisedimet që po zhvillohen në kuadër të takimit të liderëve, BDI por edhe PDSH, po përkrahin kryeministrin Gruevski. Dhe nëse kjo përkrahje vazhdon edhe në të ardhmen, opozita maqedonase e ka të vështirë që e vetme ta detyrojë Gruevskin të tërhiqet nga posti”, thotë Jordanova.

T'i jepet shans dialogut

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në takimin me kongresmenin amerikan Eliot Engell, duke folur për krizën politike ka thënë se liderët duhet ta tejkalojnë veten dhe të mendojnë për shtetin. “Reformat që nevojiten për ta bërë shtetin më të fuqishëm dhe institucionet më me integritet dhe më të besueshme, tashmë janë pranuar nga të gjitha palët dhe kjo duhet të zbatohet në praktikë”, është shpreh Ahmeti.

Edhe presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, thotë se Maqedonia duhet shumë shpejt të dalë nga kjo krizë politike. “Liderët e Maqedonisë duhet t'i shembin muret mendore dhe t'i mbyllin istikamet mendore. Më kushte të tilla, liderët duhet sa më shpejtë, përmes dialogut, të gjejnë zgjidhje me të cilën do të tejkalohet kriza politike”, vlerëson presidenti Ivanov.

Lideri i opozitës do të ulet në bankën e të akuzuarve

Kriza politike në Maqedoni vazhdon të thellohet edhe më shumë pas vendimit të Gjykatës Penale të Shkupit, që në bankën e të akuzuarve për rastin “Puçi” të ulë edhe liderin e opozitës Zoran Zaev. Prokurori publik Lupço Shfërgovski, ka thënë se pushteti ka mekanizma për të sjellë në gjykatë kreun e opozitës lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij për aferën e përgjimeve dhe për marrje rryshfeti. Por lideri opozitar Zoran Zaev, thotë se nuk e njeh gjyqësorin , duke i bërë thirrje pushtetit që ta arrestojë kur të dojë, madje duke i treguar edhe vendin se ku mund ta gjejnë.

Shpresa në kyçjen e ndërkombëtarëve

Marrë në përgjithësi, njohësit e çështjeve politike në vend , theksojnë nevojën imediate të kyçjes më të fuqishme të faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Profesori i fakultetit juridik në Universitetin e Shkupit, Lubomir Fërçkovski, thotë se kriza nuk mund të zgjidhet nga personi që e ka nxitur atë.

“Personi që e ka futur vendin në krizën më të madhe në historinë e Maqedonisë, që vendosi një sundim autoritar , nuk mund të jetë edhe njeriu që mund ta nxirrte vendin nga kriza, me propozimin e çfarëdo qoftë reformash. Ai thjesht duhet të largohet”, thotë Fërçkovski.

Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, nuk prêt ndonjë kyçje më aktive të BE-së në Maqedoni, për shkak të krizës me Greqinë.

“ BE-ja mendoj se aktualisht ka një problem shumë më të madh, kjo është Greqia e cila është drejt falimentimit . Kriza politike në Maqedoni mund të shtyhet dhe mund të pritet zgjidhje për të edhe në vjeshtë “, shprehet Sinani.

Më 13 korrik, në Shkup është paralajmëruar ardhja e ndihmës sekretares së SHBA-ve për Europë dhe Azi Viktoria Njuland, nga e cila pritet të jepë një impuls të ri në zgidhjen e krizës politike në Maqedoni.