1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Takim tripalësh për sigurinë evropiane

Një takim midis Gjermanisë, Francës dhe Rusisë do të nisë të hënën për të diskutuar bashkëpunimin evropian në fushën e sigurisë. Në takim secili nga pjesëmarrësit ka edhe pikërëndesa vetjake.

Angela Merkel dhe Nikola Sarkozy në një takim të Natos (2008)

Angela Merkel dhe Nikola Sarkozy në një takim të Natos (2008)

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti francez, Nikolas Sarkozy dhe presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedjev do të takohen të hënën në afërsi të Parisit për të diskutuar çështje të sigurisë evropiane. Në takimin dyditor në Deauville, veç synimit të përbashkët siç është koordinimi përpara takimeve të ardhshme ndërkombëtare, secili nga pjesëmarrësit shkon edhe me pikërëndesa vetjake. Merkeli dëshiron që të largojë bezdinë ruse përballë takimit të nivelit të lartë të NATO-s, Sarkozia synon të bëjë figurë në parketin ndërkombëtar para zgjedhjeve presidenciale në Francë në vitin 2012, ndërsa Medvedjevi dëshiron të bëjë publicitet për hapësirën e tij të sigurisë euro-ruse.

Në nëntor, Natoja pritet të shpalosë një vizion të ri për sigurinë, i cili mund të përfshijë një mburojë antiraketore evropiane. Rusia ka refuzuar deri tani ta mbështesë një mburojë raketore, për shkak të drojës se mund të ketë si objekt qytete ruse. Kohët e fundit, presidenti Medvedjev ka folur megjithatë në mbështetje të një kornize të re evropiane të sigurisë.

Bashkëpunim më i mirë mes NATO-s dhe Rusisë

Në videomesazhin e saj javor, kancelarja gjermane e quan një hap pozitiv takimin me dy presidentët, me qëllim përgatitjen e konferencave të ndryshme të ardhshme. Merkeli i quan takime të tilla të dobishme, sepse në to mund të flitet shumë hapur dhe gjerësisht, për mënyrat e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ajo flet konkretisht mbi rolin e Rusisë në Nato:

"Rusia luan një rol aktiv në grupin e shteteve të G-20-ës dhe e mbështet politikën e Bashkimit Evropian për stabilitet financiar dhe strategji rrugëdaljeje nga skenaret e krizave...Ne do të flasim për gjetjen e mundësive, për ta bërë Rusinë dhe NATO-n të bashkëpunojnë më mirë me njëra-tjetrën, sepse kohët e Luftës së Ftohtë kanë kaluar njëherë e përgjithmonë."

Meqenëse presidenti rus Medvedjev nuk e ka shpallur hapur qëndrimin e tij ndaj strategjisë së pritshme të NATO-s, Merkeli dhe Sarkozia do të përpiqen ta bindin atë në Deauville për bashkëpunim.

Takim me efekt psikologjik

Një përfaqësues i zyrës presidenciale franceze tha se kritika ruse ndaj NATO-s është e paargumentuar, pasi Natoja nuk drejtohet kundër saj. Sipas një këshilltari të presidentit francez, takimi tresh është një "lloj mase psikologjike" para takimit të Natos. "Vendime konkrete nuk priten, do të jetë një takim i nivelit të lartë për Brainstorming", tha ai.

Temë tjetër në agendën e takimit do të jetë roli i ardhshëm i Francës në vitin 2011, si kryetare e Grupit 20.

Megjithë natyrën informale, takimi tresh ka tërhequr vëmendjen e SHBA. Në një kryeartikull të saj, gazeta "New York Times" shtronte pyetjen se pse nuk marrin pjesë SHBA, kur bëhet fjalë për sigurinë evropiane. Për të parandaluar kritika nga Polonia, u njoftua më herët se në takimet e mëparshme takimi i radhës i "Trekëndshit të Vajmarit" midis Francës, Gjermanisë dhe Polonisë në shkurt të vitit të ardhshëm.

Autor: Auron Dodi (dpa, Kabat)

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 18.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PgIC
  • Data 18.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PgIC