1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Takim i ministrave të Jashtëm: Themeluesit kërkojnë themele të reja

Pas shokut të Brexit fillon menaxhimi i krizës: Ministrat e Jashtëm të 6 vendeve themeluese të Bashkësisë Ekonomike Europiane, pararendëse e BE, u takuan në Berlin pas vendimit për Brexit. Rritet presioni ndaj Londrës.

Gjashtë vendet themeluese të BE-së, atëherë e njohur si Bashkësia Ekonomike Europiane duan pas vendimit për Brexit t'i dalin përpara skepticizmit për të ardhmen e unionit. Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe vendeve të Beneluksit u takuan në Berlin, Villa Borsig, për t'u konsultuar mbi pasojat e referendumit britanik. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier tha se nga ky takim del mesazhi se ne „nuk lëmë të na e marrin këtë Europë që kemi“. BE është një „projekt unikal paqeje dhe stabiliteti“ në të gjithë botën.

Vendet e unionit rrisin ndërkohë presionin ndaj Londrës pas Brexit. Berlini kërkon që Britania e Madhe të zbatojë nenin 50 të Marrëveshjes së Lisbonës, sa "më shpejt të jetë e mundur", sipas ministrit Steinmeier. Ky procesduhet të fillojë shpejt që të mos biem pre e një zgjatjeje pa fryte, tha Steinmeier. Ndërkohë edhe Franca i kërkon Britanisë së Madhe të fillojë sa më shpejt negociimin me BE-në për daljen nga unioni, kjo për të eliminuar pasiguritë. Kjo është në interesin e përbashkët, tha ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, që mori pjesë në takimin e Berlinit. Vendet anëtare të BE duhet të ripërcaktojnë misionin e BE, ndryshe vazhdon forcimi i rrymave nacionaliste, tha Ayralt.

Frank-Walter Steinmeier und Jean-Marc Ayrault

Steinmeier dhe homologu francez, Ayrault

Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier theksoi se „tani kemi një situatë që nuk lejon as histeri dhe as gjendje shokuese. Pas vendimit britanik nuk duhet të biem në depresion dhe paralizë.“ Tani kërkohet që Europa të ofrojë zgjidhje si në krizën e refugjatëve, çështjet e sigurisë e në luftën kundër papunësisë. Britanikët votuan më 23 qershor me gati 52% për daljen nga unioni.

Parisi kërkon një BE më eficiente

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault tha para takimit të Berlinit (25.06) se si Franca ashtu edhe Gjermania duan ta bëjnë BE-në më eficiente. Duhet të gjejmë zgjidhje konkrete për një funksionim më të mirë të unionit, tha ai. Nuk bëhet fjalë për të dhënë edhe më shumë sovranitet tek Brukseli, theksoi Ayrault. “Po qe se futemi në këtë terren, rrezikojmë të bllokojmë të gjithë.”

Gjermania e Franca janë para përfundimit të propozimeve të përbashkëta për zhvillimin e mëtejshëm të BE-së, të cilat do t'i paraqiten shpejt kancelares Merkel dhe presidentit francez, Hollande. Në një dokument strategjik bëhet fjalë për një „union fleksibël“, që lejon hapësirë për vendet partnere të vendosin nëse duan të ecin më tej në rrugën e integrimit. “Kemi ndërkohë një Europë të dy shpejtësive”, theksoi ministri i Jashtëm francez. Në planin strategjik pranohet që disa vende të BE-së nuk duan të ndjekin hap pas hapi një union, i cili e thellon integrimin. Gjashtë shtetet themeluese vendosën në vitin 1957 të krijojnë Bashkësinë Ekonomike Europiane, pararendësen e BE-së.