Takim i Kimit dhe i Trumpit në Suedi? | Bota | DW | 16.03.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Takim i Kimit dhe i Trumpit në Suedi?

Presidenti i SHBA, Trump do të takohet me pushtetmbajtësin e Koresë së Veriut Kim. Çështja është vetëm: ku mund të takoheshin të dy në tokë sa më neutrale? Suedia mund të ishte një vend takimi neutral.

Që prej një jave bota  e di që Presidenti i SHBA, Donald Trump e përfytyron një takim me Kim Jong Unin, të cilin ai e ka quajtur një herë me shpoti "burri i vogël raketë". Një udhëtim i ministrit të Jashtëm të Koresë së Veriut në Suedi ushqen spekulimet për vendin ku do të zhvillohet ky takim i parë midis një presidenti në mandat dhe një pushtetmbajtësi koreanoverior. Ministri i Jashtëm Ri Yong Ho mbërriti të enjten për një vizitë dyditore në Suedi. Ndërkohë ai ka folur me kryeministrin Stefan Löfven dhe me homologen e tij suedeze Margot Wallström. Përmbajtjen e bisedimeve një zëdhënës i qeverisë nuk deshi ta komentojë.

Suedia është ofruar si ndërmjetëse

Mediet shtetërore në Korenë e Veriut bënë të ditur se vizita e ministrit të Jashtëm u shërben marrëdhënieve bilaterale me Suedinë dhe temave të tjera me interes të ndërsjellë. Ri donte të zhvillonte konsultime me homologen e tij Margot Wallström.

Minsitri i Jashtëm i Koresë së Veriut Ri Yong Ho në Stokholm

Minsitri i Jashtëm i Koresë së Veriut Ri Yong Ho në Stokholm

Në krizën e Koresë së Veriut Suedia tashmë është ofruar si ndërmjetësuese. Suedia ka që në vitet 1970 një ambasadë në Phenian dhe mbron atje edhe interesat e SHBA.

Kryeministri socialdemokrat i Suedisë, Stefan Lofven përforcoi të enjten se vendi i tij është i gatshëm që të mundësojë bisedime midis SHBA dhe Koresë së Veriut. Për këtë duhet të bien dakord edhe aktorët e tjerë kryesorë si Koreja e Jugut, Kina, SHBA dhe Japonia.

Së fundi, dy Koretë kanë bërë hapa të kujdesshëm afrimi. Uashingtoni dhe aleatët e tij presin nga Koreja e Veriut hapa konkretë për ndalimin e arsenalit bërthamor. Vitin e kaluar tensionet në rajon u shtuan së tepërmi, pasi Koreja e Veriut testoi disa herë raketa si dhe në fillim të shtatorit testoi një bombë tjetër atomike, duke shkelur rezolutat e OKB-së. Sipas saj, Koreja e Veriut mund të sulmojë me armë atomike të gjithë territorin e SHBA.