1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Takim i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën pas takimit të 13-të në Prishtinë rikonfirmoi mbështetjen e plotë për konsolidimin e Kosovës së pavarur, plotësisht sovrane, demokratike e shumetnike brenda kufijve të saj aktualë.

default

Pamje simbolike - flamuj të vendeve të ndryshme në Prishtinë

Në Grupin Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, mekanizmit që mbikqyr pavarësinë e Kosovës janë të përfshira 26 vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pas takimit të 13 të këtij grupi që zhvilloi punimet në Prishtinë, në një komunikatë për media konstatohet se shumica e ligjeve që dalin nga pakoja e Marti Ahtisarit tashmë janë miratuar. GDN inkurajon institucionet kosovare që t'i japin prioritet edhe hartimit dhe miratimit të legjislacionit të mbetur që kërkohet nga pakoja e Ahtisarit.

Eulex Logo

Logoja e Eulex- it

Besim tek dialogu Kosovë- Serbi

Përfaqësuesit e Grupit Drejtues Ndërkombëtar kanë përshëndetur Kosovën për angazhimin e saj të përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe kanë nxitur të dy fqinjët e pavarur dhe sovranë të vazhdojnë kërkimin e marrëveshjeve për çështjet e interesit praktik për qytetarët e tyre. GDN është shprehur se beson në frytet e para të dialogut dhe beson se, krahas avancimit të pajtimit dhe stabilitetit rajonal, dialogu mund të ndihmojë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të të dyja vendeve dhe poashtu normalizimin e marrëdhënieve të tyre, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën vlerëson ofertën e qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të plotë me EULEX-in në hetimin e pretendimeve që përmban Raporti i Komisionit për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, "Hetimi i pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë".

Peter Faith

Peter Faith, shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare

GDN përkrah EULEX-in në hetimet e kërkuara nga Këshilli i Evropës

Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën mbështet rolin e EULEX-it dhe mirëpret krijimin e task forcës speciale të EULEX-it për të kryer hetimet. Ky mekanizëm përsërit thirrjen për të gjitha organizatat, institucionet dhe individët relevantë që pa vonesë t'i përgjigjen kërkesës së EULEX-it për çfarëdo dëshmie që kanë në lidhje me pretendimet që i përmban raporti dhe fton autoritetet kompetente që të marrin masa adekuate për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Në takimin e sotëm që u zhvillua në Prishtinë, Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën ka diskutuar edhe për të ardhmen e Zyrës Civile Ndërkombëtare e udhëhequr nga Peter Faith. Ky mekanizëm inkurajon qeverinë e Kosovës që ta ndihmojë ICO në përfundimin efikas të detyrave duke ofruar resurse të mjaftueshme dhe përkushtim praktik dhe të angazhohet për të gjetur fondet e nevojshme për ICO-në deri në fund të mandatit të saj. Nuk u caktua ndonjë datë se kur do të përfundojë punën zyra që mbikqyr pavarësinë e Kosovës, por nga drejtuesi i saj, Peter Faith, kërkohet që në konsultim me autoritetet e Kosovës, të bëjë planifikimin për përmbushjen përfundimtare të mandatit në varësi të vlerësimit të mëtejshëm nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi