1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Takim historik mes Taivanit dhe Kinës – Nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme

Për herë të parë që prej vitit 1949, një përfaqësues i Republikës Popullore të Kinës viziton Taivanin. Të dy vendet nënshkruajnë një numër marrëveshjesh të rëndësishme ekonomike.

default

Përfaqësues të Kinës dhe Tajvanit

Negociatat u zhvilluan prapa telave me gjemba, të mbrojtura nga më shumë se 8000 policë. Por objekti i negociatave nuk ishte thuajse fare i kontestuar dhe nënshkrimi i marrëveshjeve ekonomike thjesht çështje formale. Megjithatë vizita e parë e një përfaqësuesi të Kinës në Taivan që prej vitit 1949, e bëri të dukshme përçarjen e rreth 23 milionë taivanezëve. Në mars 60 përqind e tyre zgjodhën presidentin aktual Ma Jing-jeou, pasi ai premtoi rritje ekonomike përmes përmirësimit të marrëdhënieve me Kinën. Por pas bisedimeve të para në Pekin në muajin qershor shumë vetë i humbën iluzionet dhe ndërkohë flitet shpesh për shitje të pasurive të Taivanit.

"Detyra jonë është shumë e qartë dhe e thjeshtë. Ne do të flasim vetëm për çështje, që i sjellin avantazhe njerëzve në të dyja anët e ngushticës së Taivanit. Bisedimet nuk do të merren me çështjet politike mes Kinës dhe Taivanit dhe aq më pak me çështje të politikës së brendshme. Një zhvillim paqësor në të dyja anët e ngushticës së Taivanit është shpresa jonë e përbashkët."

Kështu shprehet kryetari i shoqatës gjysmë shtetërore për marrëdhëniet përtej ngushticës së Taivanit. Republika Popullore e Kinës e konsideron Taivanin pjesë të territorit të saj shtetëror, dhe ka kërcënuar gjithnjë se në rast nevoje do të pengojë me dhunë pavarësinë e ishullit. Aktualisht kundër Taivanit janë drejtuar rreth 1000 raketa kineze.

Në Taivan jetojnë kryesisht kinezë, të cilët kanë emigruar shekujt e fundit në ishull. Drejtuesi taivanez i negociatave Chiang, u shpreh në fillim të bisedimeve: "Ky është një moment historik. Unë jam i sigurtë, se ju do të kuptoni dëshirat e taivanezëve të përzemërt dhe mikpritës."

Marrëveshjet e nënshkruara sot (4.11.), i shërbejnë në rradhë të parë përmirësimit të tregtisë mes dy vendeve. Në të ardhmen udhëtarët do të fluturojnë direkt nga Taivani në Kinë dhe anasjelltas. Edhe transporti i mallrave do të bëhet direkt dhe kështu edhe më i lirë. 40 për qind e eksporteve taivaneze shkojnë në Kinë, por deri tani duhej të kalonin përmes një vendi të tretë. Në të ardhmen do të thjeshtohen edhe lidhjet postare. Të enjten (6.11.) përfaqësuesi kinez do të takohet me presidentin taivanez. Opozita ka njoftuar mbajten e një demonstrimi të madh proteste në kryeqytetin e vendit.

  • Data 04.11.2008
  • Autor Peter Kujath
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FnKe
  • Data 04.11.2008
  • Autor Peter Kujath
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FnKe