1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tajlanda para puçit

Kriza politike në Tajlandë është ashpërsuar më tej. A do të ndërhyjë ushtria, që të sjellë me anë të një puçi rend dhe qetësi në vend?

Ushtaraku më i rëndësishëm i Tajlandës ngjiti shkallët para rezidencës së tij kryesore, doli para mikrofonit dhe priti pyetjen e pashmangshme të gazetarëve: a do të ketë një grusht shteti, nëse do të vazhdojnë protestat e dhunshme? Komandanti i Forcave të Armatosura, Chan-Ocha dha një pëgjigje të përafërt. "Dera për një grusht shteti është sërish e hapur. Mund të ndodhë gjithçka, varet nga gjendja."

Kjo nuk ishte as po, as jo- po mund të interpretohet se ushtarakët e fuqishëm në Tajlandë nuk e përjashtojnë më, që ta marrin edhe njëherë tjetër pushtetin.

Ushtria ka humbur besimin te politika

Ky do të ishte puçi i 19-të ushtarak në historinë më të re të vendit. Deri tani, oficerët me ndikim janë sjellë në mënyrë neutrale. Megjithëse ka kohë që ka fjalë se udhëheqja ushtarake mund të mbështesë në pjesën më të madhe opozitën. Besimi që institucionet politike të vendit të jenë në gjendje ta zgjidhin krizën, duket se është zhdukur te ushtria. Për momentin, tha gjenerali Chan-Ocha, ushtria do t'i përshëndeste bisedimet midis qeverisë dhe opozitës.

"Populli duhet të qendrojë në anën e ushtrisë, sepse ne përpiqemi që t'i bëjmë si duhet gjërat. Ne përpiqemi që t'i shmangim rrugët jokonvencionale. Ne nuk duam të përdorim dhunë. Ne përpiqemi për zgjidhje paqësore me negociata", tha gjenerali.

Ushtria pati heshtur për një kohë të gjatë, për të ritheksuar neutralitetin e supozuar të saj. Por tani, zëvendësi i kryeministres Yingluck iu lut ushtrisë që të kujdeset që fushata elektorale për zgjedhjet e 2 shkurtit të kalojë në mënyrë paqësore. Me sa duket, qeveria nuk mendon se forcat e saj të policisë janë në gjendje ta garantojnë këtë. Sepse forcat e sigurisë janë gjithnjë e më të zemëruara që duhet të durojnë që t'i sulmojnë në demonstratat e vazhdueshme, por që atyre vetë u lejohet të reagojnë vetëm në kushte të caktuara.

Kryeministrja Yingluck Shinavatra premton reforma pas zgjedhjeve

Kryeministrja Yingluck Shinavatra premton reforma pas zgjedhjeve

Gjendja nuk është qetësuar

Dhe protestat do të vazhdojnë. Demonstruesit vazhdojnë të mbajnë të rrethuara godinat publike në kryeqytetin Bangkok. Por rreth 1000 ushtruesit e dhunës, të cilët sulmuan dje stadiumin ku qe mbledhur komisioni zgjedhor, të premten në mëngjes nuk dukeshin gjëkundi. Të krijohet përshtypja se qenë dërguar për ta shkallëzuar edhe më tej situatën - gjë që e arritën. Në fund, më shumë se 100 vetë u dërguan në spitale, midis tyre shumë policë.

Dje në mbrëmje, zëvendëskryeministri doli para shtypit. Ai tha se 2 shkurti si datë zgjedhjesh është konfirmuar nga parlamenti në mbledhjen e tij të shpërndarjes. Tani në kushtetutë nuk janë parashikuar mundësi, në bazë të të cilave qeveria të mund të shtynte zgjedhjet.

Tërheqja në argumenta juridikë i duket qeverisë puna më e sigurtë. Por ajo duhet ta tregojë edhe politikisht që mund t'i përmbahet këtij vendimi. Opozita kërkon edhe më tej reforma para zgjedhjeve. Kurse kryeministrja Yingluck argumenton se vendi ka nevojë për një qeveri të zgjedhur, për të vënë në rrugë një proces reformash.