1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tajlanda në udhëkryq - Lufta për demokracinë jashtë kontrollit

Lufta për demokracinë në Tajlandë ka dalë jashtë kontrollit. Përballë njëri-tjetrit qëndrojnë të papajtueshëm dy kampe politike dhe politika zhvillohet në rrugë.

default

Pamje nga trazirat në Bangkok 13.04.2009

Demonstruesit në Tajlandë ia dolën mbanë që ta turpëronin krejtësisht qeverinë e vendit. Pas demonstratave të kundërshtarëve të qeverisë të veshur me këmisha të kuqe, të cilët arritën të çanin edhe barrikadat e policisë dhe të depërtonin në sallën e konferencave, kryeministri i vendit Abhisit Vejjajiva u detyrua ta ndërpriste takimin e nivelit të lartë të vendeve të ASEAN-it.


Këmishëkuqët, pasuesit e ish-kryeminstrit Thaksin Shinawatra, mësuan prej këmishëverdhëve, demonstruesve të kampit tjetër, se si mund t'i arrish qëllimet në Tajlandë. Vitin e kaluar demonstruesit e kampit këmishëverdhë bllokuan për muaj të tërë selinë e qeverisë dhe në fund edhe aeroportin ndërkombëtar të Bangkokut për t'i dëshmuar botës paaftësinë e qeverisë së athershme për të vepruar.

Kush qëndron pas protestuesve?

Thai Prime Minister Thaksin Shinawatra

Ish-kryeministri i Tajlandës Thaksin Shinawatra, aktualisht në mërgim



Asnjë qeveri në Tajlandë, qoftë e njërës apo tjetrës palë nuk mund t'ia lejojë vetes të përdorë dhunë kundër demonstruesve, sepse si këmishëkuqët edhe këmishëverdhët janë njerëz të thjeshtë nga populli. Gra shtëpiake, tregtarë, punëtorë apo studentë, që të gjithë janë të bindur se luftojnë për demokracinë në Tajlandë dhe nuk e pranojnë si të ligjshëm qeverinë e kampit tjetër politik.

Fijet pas kulisave i luajnë njerëz të pasur dhe me ndikim, të cilët edhe i financojnë protestat e rrugëve, të cilat për çudi zhvillohen në mënyrë paqësore. Nga njëra anë është ish-kryeministri Thaksin, i cili pas rrëzimit nga pushteti me puç ushtarak para dy vjetësh u dënua për shpërdorim detyre me dy vjet heqje lirie dhe u largua nga vendi. Nga ana tjetër përfaqësuesit e elitës qytetare dhe ruajaliste, të cilët gjatë sundimit të Thaksinit, i cili shumicën e votave e mblodhi nga radhët e popullsisë fshatare, humbën ndikimin ndaj politikës.


Asnjëra nga të dyja palët nuk ka krejtësisht të drejtë apo e ka krejtësisht gabim. Pa dyshim si Thaksini edhe partitë e afërta me partinë e tij që përkrahen nga këmishëkuqët, u zgjodhën me rrugë demokratike dhe me një shumicë të madhe votash. Por Thaksini e shpërdoroi sistemim për t' u pasuaruar për vete dhe duke shtuar pushtetin e tij. Kur filloi të përzihej edhe në emërimet për postet në ushtri, krerët e saj u dhanë fund përpjekjeve të tij dhe e rrëzuan përmes një puçi ushtarak.

Rrugëdaljet nga kriza

Abhisit Vejjajiva Regierungschef Thailand

Kryeministri aktual i Tajlandës Minister Abhisit Vejjajiva


Qeveria aktuale e Abhisit Vejjajiva erdhi në pushtet mbi bazën e kushtetutës së vendosur prej ushtarakëve, pasi partia e Thaksinit u shpërbë me ligj nën akuzën e falsifikimit të zgjedhjeve. Qeveria e re u krijua mbi bazën e koalicionit me ish-anëtarë të kampit të Thaksinit. Këmishëkuqët e konsiderojnë këtë si komplot.


Ndonjë rrugëdalje nga kriza nuk po duket. Një qeverie, e cila nuk është në gjendje të bëjë zap turmat e dala jashtë kontrollit dhe të garantojë sigurinë publike, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të japë dorëheqjen. Kjo do të përmbushte kërkesat e demonstruesve, por nuk do ta zgjidhte assesi problemin.


Thaksini e bleu popullaritetin e tij me dhurata elektorale për popullsinë fshatare dhe për këtë nderohet prej saj si gjysmëperëndi. Pothuajse si dhe mbreti tajlandez, i cili i ndjek në heshtje zhvillimet në vendin e tij. Thaksini u dha njrezëve të thjeshtë nga fshati një zë politik. Për këtë elita e vjetër e akuzon se po përpiqet që ta shndërrojë vendin nga monarki konstitucionale në republikë. Po ashtu thuhet se këshilltarë kryesorë të mbretit, e kishin iniciuar pikërisht për këtë puçin ushtarak të para tre vjetëve. Në rast se do të organizohen zgjedhje të reja kampi i Thaksinit do të fitonte ndoshta me shumicë, gjë që do t'i zemëronte sërish demonstruesit këmishëverdhë.


Tajlanda nuk gjendet vetëm në një krizë politike, por edhe në udhëkryq. Dhe sot nëpër rrugë po luftohet se në ç'drejtim do të shkojë vendi pas vdekjes së mbretit të vjetër dhe të sëmurë.

Autor: Bernd Musch-Borowska/Dr. Pandeli Pani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 13.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HVg4
  • Data 13.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HVg4