1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tahiri: Statusi çështje e mbyllur, bisedime për çështje praktike

8 Mars 2011

Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, beson në pajtimin historik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bisedimet për çështje praktike janë parakusht për integrimin e të dyjave vendeve në BE.

https://p.dw.com/p/10V6r
Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri.
Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri.Fotografi: DW

DW: Zonja Tahiri në Parlamentin e Kosovës nuk u arrit një konsensus për një rezolutë me të cilën pala kosovare do të hynë në bisedime me Serbinë. Do të ketë takim të martën apo jo?


Tahiri: Ne kemi shprehur gatishmërinë si qeveri e Kosovës, që të marrim pjesë në dialogun teknik me Serbinë në kushtet e dy shteteve të pavarura, të cilat kanë dëshirë dhe synojnë të gjejnë zgjidhje për disa çështje praktike, të cilat praktikisht mund të japin kontribut për përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe që të fuqizojnë axhendën evropiane edhe të Kosovës edhe të Serbisë. Në kuadër të përgatitjeve, bisedimet në këtë rast janë bërë me palën e tretë në këtë rast me BE-së, por si palë e tretë do të jetë edhe SHBA. Në kuadër të këtyre përgatitjeve pala kosovare ka nevojë edhe për harmonizime të brendshme dhe legjitimiteti i këtyre bisedimeve, ne kemi menduar që duhet të lidhet me të gjithë faktorët relevantë. Në këtë rast një rezolutë nga Parlamenti i Kosovës është shumë e rëndësishme për legjitimitetin e dialogut dhe mbështetjen e procesit. Duke qenë se në kuvend u paraqitën edhe projekt-rezoluta tjera dhe ide të reja, përfundimi ishte që këto ide të harmonizohen në një dokument i cili do të dalë në shqyrtim të enjten dhe shpresojmë që në momentin kur miratohet rezoluta, delegacioni i Kosovës do të jetë i gatshëm për këto bisedime.

DW: Nga kjo që thoni ju, do të thotë se takimi i parë formal me palën serbe do të mbahet pas miratimit të rezolutës në kuvendin e Kosovës.

Tahiri: Po, ashtu do të jetë.

DW: Fillimi i dialogut me Serbinë është quajtur dialog teknik, por, nga pala serbe nuk është përjashtuar mundësia që në këto biseda të shtrohet edhe çështja e statusit. A ka vija të kuqe në këtë dialog pala kosovare?

Tahiri: Vijat e kuqe tashmë janë të qarta. Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, me njohje të fuqishme nga pjesa më e fuqishme e botës, me 75 njohje. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar se deklarata e pavarësisë ishte legale, dhe Kosova sot është anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këto tregojnë se në këto biseda ne jemi të gatshëm të flasim për çështje praktike. Sa i takon statusit të Kosovës ky është një kapitull i mbyllur, këtë konfirmim e kemi edhe nga qeveria amerikane, por edhe shumica e vendeve anëtare të BE-së, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës tw cilat thonë se ky është një dialog teknik ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane me qëllimin që të gjehen zgjidhje për çështjet praktike, me të cilat ballafaqohen marrëdhëniet e të dy shteteve.

DW: Megjithatë, pala serbe interpreton ndryshe deklaratën e zyrës së përfaqësueses së lartë të BE-së, për politikë të jashtme dhe siguri, Katherine Ashton. Pala serbe thotë se në këto biseda nuk përjashtohet as çështja e statusit.

Tahiri: Po në rastet e dialogut në këtë rast kemi të bëjmë me tri palë, palën kosovare, palën serbe dhe palën e BE-së. Në çdo dialog një palë nuk mund të përcaktojë axhendën. Pra në parimin e dialogut axhenda përcaktohet paraprakisht me pajtimin e tri palëve. Nuk them se në mendjen e Beogradit nuk përfshihet edhe çështja e statusit, i kam dëgjuar edhe unë këto deklarata, por, ky është rregulli i bisedimeve.

DW: Në skenën e brendshme politike por edhe nga shumë analistë ndërkombëtarë, vazhdimisht po përsëritet se Kosova nuk do të përfitojë asgjë nga bisedimet me Serbinë, por vetëm Serbia me fillimin e dialogut me Prishtinën do të përfitojë nga Bashkimi Evropian, statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Mund të na thoni, çfarë përfiton Kosova nga këto bisedime?

Tahiri: Fillimisht dua të them se dy shtete të pavarura që janë fqinje dhe që kanë pasur një konflikt dhe tash janë në pozicionin e dy shteteve, kanë nevojë të adresojnë çështjet që kanë mbetur pa zgjidhje. Kjo nuk ndodh vetëm në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Në botë ka shumë praktika të tilla. Interes ka për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat mbase mund ta bindin Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Interes tjetër është që për dialogun ka bërë thirrje faktori ndërkombëtar dhe ne me përgjigjen pozitive, po përmbushim obligimet ndërkombëtare. Po ashtu është me interes të theksohet, se Kosova si një shtet i ri, ka aspirata për integrimet evropiane dhe euroatlantike dhe në kuadër të standardeve për integrime është edhe standardi i fqinjësisë së mirë. Në kuadër të obligimeve për t'u integruar në BE, është edhe ky angazhim. Përfitimet e Kosovës do të jenë këto dhe unë shpresoj se dialogu do të jetë me rezultate.

DW: Pra ju thoni se Kosova dhe Serbia janë në pozicione të barabarta, para faktorit ndërkombëtar?

Tahiri: Unë mendoj se Kosova duhet të shikojë interesin e saj në këto biseda, dhe natyrisht që edhe pala serbe e shikon interesin e saj. Me rëndësi është, që ne e kemi axhendën e qartë të interesit tonë për t'u bërë pjesë e BE-së, NATO-s, por edhe institucioneve tjera relevante. Për t'i arritur këto synime ne duhet të sillemi si shtet.

DW: Ju si kryesuese e delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, besoni personalisht në pajtimin historik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Tahiri: Gjithnjë kur mendoj për këtë temë që duket komplekse, mendoj se çfarë kanë bërë shtetet tjera, që kanë qenë në raporte armiqësore. Duke parë që në raste të tilla kanë përfunduar edhe me njohje të ndërsjella, kalim në fazën e fqinjësisë së mirë, siç është rasti i Gjermanisë dhe Francës, unë i besoj procesit, por kjo nuk vjen vetvetiu. Duhet pasur vullnet nga pala e Serbisë, që të pranojë realitetin, se Kosova tashmë është një shtet i pavarur. Fundja është një proces që duhet kaluar sepse rigjeneron edhe familjen botërore. Pra kjo duhet parë pozitivisht edhe nga pala serbe si një proces i domosdoshëm dhe i pakthyeshëm.

DW: Pra ju besoni në përfundimin pozitiv të bisedimeve me Serbinë?

Tahiri: Ne do të hyjmë në këto biseda me një frymë pozitive, do të kemi qëndrim konstruktiv, sepse ne kemi qenë një palë konstruktive edhe në Rambuje edhe në Vjenë. Në Rambuje ne nënshkruam marrëveshjen edhe pse nuk ka qenë ajo e fundit çfarë kemi kërkuar, por ajo marrëveshje ka sjellë protektoratin e NATO-s, mbi Kosovën dhe duke pranuar marrëveshjen e Rambujesë në forcuam aleancën me SHBA-së dhe BE-në. Në anën tjetër Serbia jo vetëm që dështoi po u bombardua nga NATO. Pastaj patëm qendrim konstruktiv në Vjenë, pranuam pakon e Ahtisarit sado që ishte me shumë kompromise, por përsëri fituam. Kosova u bë shtet i pavarur, ndërsa, Serbia përsëri mbeti me mentalitetin e vjetër. Mbase këto dy raste duhet të shërbejnë si mësime për Serbinë që mos të mbetet jobashkëpunuese.

Intervistoi: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: Eliana Xhani