1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Tahiri: Ndërhyrja në veri do të forcojë sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar në Kosovë

Vendimi për ndërhyrjen policore në veri të Kosovës është legjitim dhe ushtrim sovraniteti nga ana e qeverisë kosovare. Kështu shprehet në intervistë për Deutsche Wellen zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri

DW: Zonja Tahiri çfarë ndikimesh mund të ketë ndërhyrja e policisë së Kosovës në sigurinë e përgjithshme në vend?

Tahiri: "Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të rivendosur rendin dhe ligjin në pikat doganore 1 dhe 31 në fakt është një vendim legjitim dhe një ushtrim sovraniteti nga ana e jonë si qeveri dhe kjo do të kontribuojë për rritjen e sigurisë në vend dhe do të forcojë luftën kundër informalitetit dhe krimit të organizuar i cili ka lulëzuar në disa pjesë të Kosovës, veçmas në veri pikërisht për shkak të brishtësisë së sundimit të ligjit".

DW: Çfarë ndikimesh mund të ketë vendimi i fundit i qeverisë kosovare në procesin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit?

Tahiri: "Në fakt që nga fillimi i bisedimeve në Bruksel çështja e marrëveshjes për tregtinë e lirë ka qenë një prej çështjeve kryesore. Ne si palë vazhdimisht kemi insistuar që të arrihet kjo marrëveshje sa më shpejt në mënyrë që Kosova të mos vihet në situatë që të reagojë me masa reciprociteti. Ne tashmë tre vjet kemi toleruar një anëshmëri në këtë proces ku Serbia ka mundur të eksportoj lirshëm ndërkohë që Kosova nuk ka mundur të eksportojë. Andaj ne si qeveri ishim të prirur që t'i japim rast zgjidhjes së këtij problemi përmes dialogut. Mirpo duke qenë se pala serbe dështoi në pranimin e vulave të doganave të Republikës së Kosovës gjë që u tha në procesin e përgatitjes për raundin e gjashtë të bisedimeve, që edhe dështoi në fakt, atëherë ne zbatuam vendimin e mëparshëm i cili ishte vendim në pritje të rezultateve të dialogut. Mendimi është që ky vendim për masat e reciprocitetit është konform parimeve evropiane për lëvizjen e lirë të mallërave si dhe parimeve të CEFTA-s dhe nuk duhet të ndikoj në dialog përkundrazi unë mendoj se me këtë rast pala serbe duhet të vetëdijësohet për t'i njohur vulat e doganave të Kosovës. Prandaj unë mendoj se është një mesazh i mirë edhe për palën serbe që të jetë më serioze në dialog. Fundja dua të shtoj se zoti Stefanoviq vazhdimisht në çdo raund ka dhënë sinjale pozitive për gjoja gatishmërinë për njohjen e vulave dhe më pas u pa se ata nuk ishin të gatshëm. Prandaj mendoj se vendimi jonë dhe veprimet tona për vendosjen e reciprocitetit të plotë janë legjitime."

DW: A mendoni se pas ngjarjeve të dy ditëve të fundit Kosova do të futet më e fortë në raundin e radhës së bisedimeve me Serbinë?

Tahiri: "Ne kemi qenë prej ditës së parë të përkushtuar për dialog ku kemi mbrojtur interesat e Kosovës si dhe kemi promovuar parimet evropiane. Ne jemi për vazhdimin e dialogut, besojmë që diplomacia dhe dialogu janë instrumente që zgjidhin çështjet praktike midis dy shteteve. Mendoj se është në anën e Serbisë që të kthehet në bisedime me një seriozittet më të madh. Sa i takon pozicionit ne gjithmonë kemi qenë të fortë në këtë dialog sepse tashmë jemi ulur si dy shtete të pavarura që dallon nga fazat e tjera të bisedimeve në Vjenë dhe Rambuje kur Kosova ende nuk e kishte të definuar statusin e saj. Tash jemi dy shtete të pavarura dhe me dëshirën që të vendosim pra një dialog dhe synimin që të plotësojmë standardet e BE-së për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal ne mebetemi të përkushtuar dhe konstruktiv në këtë proces."

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica