1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Tabuizim dhe izolim në vend të parandalimit dhe vetëdijësimit

Kur është fjala për përhapjen e infeksioneve me HIV dhe të aidsit gjendja në Evropën Juglindore është e pranueshme po të krahasohet me vende të tjera të botës. Në Ballkan ka relativisht pak raste infeksionesh.

Fjongo e AIDS në konferencë në Bremen, maj 2007

Fjongo e AIDS në konferencë në Bremen, maj 2007

Por problemi megjithatë nuk duhet nënvlerësuar, sepse ekspertët konstatojnë prej kohësh se si popullsia e tabuizon sëmundjen, i diskriminon të sëmurët dhe e injoron rrezikun. Kështu që shtrohet pyetja në se shifrat zyrtare janë me të vertetë relevante.

Ballkani me numër të vogël

Në krahasim me Evropën Lindore Ballkani ka një përqindje shumë të ulët të infeksioneve me Aids. Ndërsa në shtetet e ish BS, në rradhë të parë në Rusi dhe Ukrainë sipas UNAIDS-it agjensisë së OKB-së kunder AIDS-it, vetëm në vitin 2007 janë infektuar edhe 150 000 persona të tjerë me HIV gjendja në Evropën Juglindore është ndryshe. Volker Mertens zëdhënësi i shtypit i fondacionit gjerman kundër AIDS-it me qendër në Bon e shpjegon kështu ndryshimin. "Nëqoftëse shohim me Evropën Juglindore në Ballkan, atëherë situata është kështu: janë vetëm tri vende, Polonia, Turqia dhe Rumania, në të cilat, numri i infeksioneve është mbi 100 persona. Rasti i infektimeve në vende të tjera është shumë i vogël."

Numri i saktë i rasteve është më i madh

Megjithatë ai u referohet vetëm statistikave zyrtare për 2007. Alban Ylli, drejtori i institutit të shëndetit publik në Tiranë, pohon se epidemia në Shqipëri është në rritje, por është e nënraportuar. "Deri në momentin që flasim në Shqipëri kemi të vertetuar 250 raste me HIV dhe Aids, jo domosdoshmërisht në stadet e avancuara të sëmundjes. Pra është një numër relativisht i ulët. Por siç thashë një pjesë e madhe nuk raportohen. Ne kalkulojmë që duhet të ketë të paktën dyfishin ose trefishin e kësaj shifre nën popullatë."

Mungon vetëdija për rrezikun e sëmundjes

Shumë e fshehin infeksionin, ose nuk shkojnë aspak te mjeku, jo vetëm në Shqipëri, ku sipas zotit Ylli ka një shfrytëzim të ulët të shërbimeve shëndetësore. Edhe koordinatorja e qeverisë maqedonase për luftimin e aidsit, Milena Stefanovic pohon të njëjtën gjë. "Të infektuarit e mbajnë shumë sekret infeksionin me HIV. Kjo gjë mbahet shumë e fshehtë, sepse kështu e kërkojnë të sëmurët."

Në Evropën Juglinore aidsi vazhdon të shihet si sëmundje e grupeve të rrezikuara e homoseksualëve, e narkomanëve dhe e prostitutave. Në fakt nuk mungon puna sqaruese nga shoqëria civile dhe as mbështetja nga shteti, por shumë njerëz nuk janë aspak të vetëdijshëm për rrezikun e aidsit, dhe nuk i ndjekin rekomandimet e mjekëve apo të mësuesve, konstatojnë ekspertët. Ai që është heteroseksual, mendon automatikisht se kjo sëmundje s´ka të bëjë me mua dhe as që mund të më prekë.

Shumica e të infektuarve midis 15 dhe 35 vjeç

Aleksandar Bojovic, punonjës i organizatës rinore kundër aidsit në Serbi, JAZAS shpjegon përse. "Sepse rinia vepron sipas logjikës. "S´ka për të më zënë mua. Kjo u ndodh homoseksualëve dhe narkomanëve. Unë nuk jam i tillë. S´ka për të më ndodhur mua. Shumica e të infektuarve janë të rinj nga mosha 15 deri 35 vjeç." Në Serbi ka 20 000 të infektuar me aids, 80 përqind prej tyre jetojnë në Beograd.Për këtë arsye gjermani Volker Mertens bën thirrje për shtimin e punës sqaruese për parandalimin e aidsit. "Në programin preventiv duhet të ofrojmë të gjitha. Një pikë është abstinenca. Unë nuk jam i sigurtë, se sa njerëz mund të jetojnë vetëm me abstinencë. Për këtë kam dyshim. Prandaj duhet të ofrojmë edhe kondome. Por kur nuk janë kondomet, atëherë të mos ketë kontakt seksual, sepse vetëm kjo e ul rrezikun e ngjitjes së virusit. është shumë e rëndësishme të sqarohet, siç është bërë e qartë edhe këtu në Gjermani se HIV dhe Aids është çështje e secilit, sepse mund të prekë secilin! Kjo vetëdije nuk është e rrënjosur as në Evropën Juglindore dhe as në atë Lindore."

AIDS mbetet tabu

Kjo mungesë e vetëdijës, se sëmundja mund të prekë secilin, çon në fund të fundit në stigmatizimin e të infektuarve. Njerëzit reagojnë me frikë dhe distancë, thotë Bojovic. "Ne jemi ende një shoqëri konservatore, përsa i përket HIV dhe AIDS-it. Kjo vazhdon të jetë një temë tabu për ne, jo vetëm tek popullata e zakonshme, por edhe tek mjeket, dhe tek personat të cilëve nuk u lejohet. Sepse ekziston frika prej semundjeve të pashërueshme, vdekjeprurëse. Kjo është frika më e madhe e njerëzve, frika nga sëmundja dhe vdekja."

Diskriminimi është i gabuar

Në Tiranë kohët e fundit ka qenë temë diskutimi rasti i dy fëmijëve të infektuar, për të cilët nga prindërit e fëmijëve të tjerë kërkohej që të largoheshin nga shkolla. Alban Ylli porosit të kihet kujdes nga veçimi i këtyre njërëzve, sepse diskriminimi i tyre përbën rrezik. "Mentaliteti përjashtues krijon një qark vicioz, sepse jo vetëm ka të bëjë me çështjen e të drejtave të njeriut, apo me shkeljen e ligjeve qoftë edhe të atyre shqiptare, por krijon një komunitet individësh HIV pozitivë, të cilët nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me autoritetet shëndetësore, nuk janë të gatshëm të marrin përsipër përgjegjësinë për parandalimin e metejshëm të shpërndarjes së infeksionit."

Diskriminimit i duhet dhënë fund

Edhe fondacioni gjerman kundër Aidsit bën thirrje, që t´i jepet fund diskriminimit të të infektuarve me aids. Përderisa këta njerëz kriminalizohen dhe diskriminohen, ata nuk do t´i përfillin mesazhet për parandalimin e përhapjes së virusit. "Besoj, se në Evropën Lindore dhe Juglindore mund të arrihen suksese vetëm atëherë, kur t´i jepet fund diskriminimit
dhe kriminalizimit të të infektuarve me HIV. Në vend të kësaj duhet t´u sigurohet në kualitet edhe terapia antiretrovirale atyre që e kanë të nevojshme. Vetëm atëherë mund të flasim për masat e parandalimit si të suksesshme për të gjithë popullsinë."

  • Data 30.11.2007
  • Autor Angjelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CVJJ
  • Data 30.11.2007
  • Autor Angjelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CVJJ