1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tërmetet trondisin Perunë dhe Kaliforninë

Një tërmet prej 6,9 ballësh tronditi jugun e Perusë. Megjithë tronditjen e madhe të tokës deri tani nuk ka të dhëna për viktima. Më parë lëkundje të tokës kishte patur në Kaliforni, ku u plagosën shumë njerëz.

Një tërmet i fortë prej 6,9 ballësh ka tronditur jugun e Perusë. Epiqendra e tronditjes së tokës ndodhej rreth 40 kilometer në verilindje të qytetit Tambo, njoftoi qendra sizmologjike amerikane, USGS. Instituti gjeofizik i Perusë e vlerësoi shkallën e tërmetit 6,6 ballë.

Në qytetet Huamanga dhe Cusco njerëzit dolën me panik nga shtëpitë, njoftoi gazeta "El Comercio". Edhe në kryeqytetin Lima janë ndjerë goditje. Por njoftime për të plagosur dhe dëme nuk ka patur nga ky vend amerikanolatin.

130 të plagosur nga tërmeti në Kaliforni

Nga tërmeti, më i fortë në veri të Kalifornisë që prej 25 vjetësh, janë plagosur më shumë se 130 njerëz. Kjo u bë e ditur nga autoritetet, pasi një tërmeti 6,0 ballësh tronditi të dielën në mëngjez (ora lokale) rajonin e kultivimit të verës Napa Valley në verilindje të San Franciscos. Tre vetë pësuan plagosje të rënda, në mesin e tyre edhe një fëmijë, që ndodhej në rrezik jete. 133 të tjerë po trajtohen në spitalet e rajonit me plagë më të lehta.

Shumë njerëz mbeten në errësirë

Tërmeti shkaktoi dëme në shumë ndërtesa. Autoritetet bllokuan 33 godina, që konsiderohen të pasigurta dhe në rrezik për t'u shembur. Pjesë të qendrës së qytetit Napa janë bllokuar me shirit policor. Si pasojë e një zjarri në një lagje me shtëpi mobile u dogjën 4 të tilla. Edhe në vendbanime të tjera zjarrfikësit luftuan kundër zjarreve. Sipas të dhënave të autoriteteve në Napa banorët kishin lajmëruar dëmtime të tubacioneve të gazit dhe të ujit. Edhe disa orë pas tërmetit në 10.000 shtëpi nuk kishte rrymë elektrike.

Pak para fillimit të vjeljes së rrushit shumë vreshta janë prekur nga tërmeti. Edhe ndërtesat historike janë dëmtuar. Tërmeti i befasoi në gjumë banorët e Napa Valley të dielën herët në mëngjez. Ai është ndjerë deri në metropolin e San Franciscos 60 km më larg. Ky ka qenë tërmeti më i fortë në rajon, që nga tërmeti Loma-Prieta me fuqi prej 6,9 ballësh në vitin 1989.