1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tërmet i rëndë në Haiti - Bashkësia ndërkombëtare premton ndihmë

Haiti, shteti më i varfër i Amerikës, të martën (12.1.) u trondit nga një tërmet i fuqishëm. Të dhëna të sakta mbi viktimat apo përmasat e dëmeve ende nuk ka, edhe pasi lidhjet në vendin e varfër janë ende të kufizuara.

Një ndërtesë e shkatërruar pranë hotelit Villa Creole në Port-au-Prince. 12.01.2010

Haiti goditet nga tërmeti më i rëndë që prej 200 vjetësh në Karaibe.

Toka u lëkund pak para orës 17, ora lokale. Fuqia 7 ballë - më e fortë se kurrë ndonjëherë në Karaibe. Epiqendra ndodhej në periferi të kryeqytetit Port-au-Prince, pjesa me popullsinë më të dendur në vend. Për rreth një minutë bota u lëkund, tregon Mike Godrey, punonjës i një organizate humanitare nga SHBA-ja. Pas një gjysmë minute, një re gjigante pluhuri dhe tymi u ngrit mbi qytet, tregon Godrey. Kjo mbulesë e pistë errësoi plotësisht qytetin për rreth 20 minuta.

Lidhjet telefonike janë ndërprerë, vendi i izoluar nga bota e jashtme

Se si duket situata të mërkurën (13.1.) në qytetin me tri milionë banorë, pas katastrofës së të martës pasdite, askush nuk dëshiron vërtet ta përfytyrojë. Por shpejt ajo do të bëhet e dukshme. Haiti është në masë të madhe i izoluar nga bota e jashtme. Lidhjet telefonike nuk funksionojnë më, vetëm me anë të internetit dhe me satelit arrijnë disa informacione.

Ndërtesë e rrëzuar nga tërmeti në Port-au-Prince. 12.1.2010

Pasojat e tërmetit - nën gërmadha ndodhen ndoshta qindra viktima.

Premtime ndihme nga SHBA-ja, Franca e Venezuela

Haiti do të ketë nevojë për ndihmën ndërkombëtare. Ndër të tjera Venezuela, Franca dhe ministria e Jashtme e SHBA-së premtuan mbështetje vetëm pak orë pas tërmetit. "Ne akoma jemi duke mbledhur informacione mbi këtë tërmet katastrofal, epiqendrën, pasojat për njerëzit në Haiti. SHBA-ja i ofron Haitit dhe rajoneve fqinje mbështetje të plotë. Ne do të dërgojmë ndihmë në rast katastrofash, civile dhe ushtarake. Ne lutemi për viktimat, familjet dhe të afërmit e tyre" - tha ministrja e Jashtme e SHBA-së, Hillary Clinton.

Dëme të shumta materiale, i shembur ndoshta edhe pallati presidencial

Në lagjen relativisht të pasur Petionville, në kodrat mbi qytetin portual Port - au - Prince, është shembur plotësisht spitali i fëmijëve, bën të ditur një sipërmarrëse për studion e stacionit gjerman ARD. Në rrugën e gjatë që çon në qendër shtëpitë janë më shumë të shkatërruara se sa në këmbë, tregon një punonjës i një organizate ndërkombëtare. Nën gërmadha dergjen kufomat e viktimave. Në një rrugë dytësore ndodhej hoteli Chistopher, i cili prej disa vitesh i shërbente si seli qendrore misionit të helmetave të kaltra të OKB-së. Tani thuhet se ai është shembur.

Pamje nga lagjet e varfëra, Haiti.

Kasolle në vend të shtëpive - lagjet e mjeruara në Haiti.

Viktimat mund të jenë mijëra

Pallati presidencial shkëlqente gjithnjë i bardhë në diell. Edhe vetë ky kolos mësohet se është dëmtuar rëndë, madje disa informacione thonë se është rrëzuar plotësisht. E si mund të jetë situata në pjesën tjetër të këtij vendi të kërrusur nga varfëria e hidhur? Organizatat humanitare druajnë se viktimat mund të jenë qindra e madje mijëra. Do të duhen ditë derisa të ketë shifra të sakta. Qindra mijëra vetë jetojnë në shtëpi tejet të thjeshta në shpate mali, zona të rrezikuara.

Shanset më të mëdha të mbijetesës i kanë ndoshta më të varfërit e të varfërve, të cilët jetojnë në lagjet e mjeruara. Kasollet e tyre ngjasojnë më shumë me rrënoja: mure teneqeje, pjesërisht pa çati, vështirë se mund të rrënohet ende diçka.

Edhe ambasadori haitian në SHBA Raymond Jones kërkoi ndihmë: "I bëj thirrje gjithë botës, e para së gjithash SHBA-së, të na ndihmojë në këtë situatë në të cilën ndodhemi."


Republika Dominikane, e cila ndan me Haitin ishullin Hispaniola, i bëri thirrje gjithë botës t'i vijë në ndihmë fqinjit të varfër. Edhe para kësaj katastrofe, Haiti ishte vendi më i varfër i Amerikës.

Autor: Michael Castritius / Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani

DW.COM

  • Data 13.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LUaN
  • Data 13.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LUaN