1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Tërheqja nga Afganistani nuk do të jetë e shpejtë

Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière paralajmëron rreziqet nga tërheqja e ngutshme e Bundeswehrit nga Afganistani. Ndërkaq për misionet e ardhshme jashtë vendit thotë se do të përcaktohen standarde të tjera.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere

Pak javë para Konferencës së Bonit për Afganistanin nuk ka shenja, që tregojnë se kur do të tërhiqen ushtarët e parë gjermanë nga Afganistani. "Një reduktim i tepërt i kontigjentit në shenjë të simbolikës politike ndalohet njëjtë sikur braktisja e parakohshme e aftësive të rëndësishme," tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere (CDU) të martën (25.10.) në konferencën prestigjioze të sigurisë të organizuar nga "Handelsblatt" në Berlin. Sipas parashikimit të tij Bundeswehri në Afganistan do të jetë i pranishëm edhe pas vitit  2014, megjithëse jo me trupa luftarake.

Një tërheqje e ngadalshme

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere, në Afganistan

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere në Afganistan

Mandati i tanishëm, i cili parashikon stacionimin e më së shumti 5350 ushtarëve të Bundeswehr-it në Afganistan, pothuajse është shfrytëzuar në maksimum. Në bisedimet e ardhshme për zgjatjen e mandatit, që do të zhvillohen në shkurt të vitit 2012, do të rinegociohet për kufirin maksimal. Edhe pse trajnimi i forcave afgane të sigurisë po shkon sipas planit, de Maizière nuk e ka ndërmend që deri në fund të këtij viti të fillojë me reduktimin e trupave. "Ne nuk guxojmë të rrezikojmë kalimin e përgjegjësive dhe sigurinë e ushtarëve tanë", thotë ai.  Për dallim ministri i Jashtëm Guido Westerwelle (FDP) ka kohë që angazhohet që tërheqja të fillojë gjatë këtij viti.

Eksperti socialdemokrat (SPD) për politikën e jashtme, Gernot Erler, kritikoi deklaratat e ministrit të Mbrojtjes. Sipas tij tërheqja e 500 nga 5000 ushtarët, sa aktualisht janë në Afganistan, është e mundur të bëhet gjatë këtij viti. Gjithashtu edhe SHBA do të fillojë qysh në vitin 2011 me tërheqjen e trupave të saj nga Afganistani, sqaron Erler dhe paralelisht me ata edhe Bundeswehri duhet të zvogëlojë kontigjentin e saj.

Standarde të reja për misionet jashtë shtetit

Trupa të Bundesverit në stërvitje

Trupa të Bundesverit në stërvitje

Misionet jashtë vendit  në të ardhmen do të jenë ndër detyrat më të rëndësishme të Bundeswehr-it, por do të caktohen standarde më të forta. "Ne ndërhyjmë aktualisht për çështje politike, të cilat nuk janë detyra thelbësore të Bundeswehr-it", tha Thomas de Maizière. Në misionet e ardhshme Bundeswehr-i nuk do të heqë barrikadat e rrugëve në Kosovë, apo të hapë puse uji në Afganistan. Nëpërmjet detyrave të tilla krijohet një imazh i shtrembëruar për forcat e armatosura: "Ju mund të hapni shumë mirë puse uji, por ne jemi shumë të befasuar, që ju duhet të luftoni." Ky është një kthim mbrapsht i marrëdhënieve,  tha ministri gjerman i Mbrojtjes.

Në të ardhmen, ministritë e tjera duhet të marrin përsipër më shumë përgjegjësi, kërkoi de Maizière. Edhe pse është e pamundur të bëhet dallimi strikt në mes të misionit humanitar dhe luftarak. Megjithatë koncepti i provuar i rrjetit të sigurisë në Afganistan nuk do të thotë që pjesa më e madhe e detyrave të shkarkohet tek Bundeswehri.  

Autor: Nina Werkhäuser/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica