1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Të vrarë dhe të plagosur në metronë e Moskës

Fjala është për atentate vetëvrasëse. Policia i bëri thirrje dhjetë milionë banorëve të kryeqytetit që të kenë shumë kujdes. Nga mundësia e sulmeve të tjera u shtuan masat e sigurisë dhe u ngrit niveli i gatishmërisë.

default

Forcat e shpëtimit mbajnë një të plagosur

Ende nuk dihet saktësisht se sa njerëz kanë humbur jetën në metronë e Moskës. Atentatorët me qëllim kanë zgjedhur për kryerjen e sulmeve kohën, kur në metro ka më shumë udhëtarë. Miliona njerëz shfrytëzojnë metronë për të shkuar në punë. Irina Adrianova, shefe e sektorit për informim në shërbimin e mbrojtjes nga katastrofat, shpjegon:

"Sipas të dhënave tona, një shpërthim ka ndodhur në orën 7 e 56 minuta. Lënda shpërthyese është vendosur në vagonin e dytë të trenit. Treni në momentin e shpërthimit kishte ndaluar në stacionin Lubjanka."

Russland Zahlreiche Tote bei U-Bahn-Explosionen in Moskau‎

Miliona njerëz shfrytëzojnë metronë për të shkuar në punë.

Metroja është goditur në një orë shumë të frekuentuar

Lënda ka shpërthyer pikërisht në momentin, kur drejtuesi i trenit i ka hapur dyert për zbritjen dhe futjen e udhëtarëve. Atentatorët kanë llogaritur se në këtë moment pranë lëndës shpërthyese do të jenë shumë njerëz. Nga ky shpërthim kanë vdekur të paktën 23 persona dhe janë plagosur 18 të tjerë. Stacioni i metrosë Lubjanka është mu në qendër të Moskës. Këtu gjendet edhe qendra e shërbimit sekret rus FSB.

"Pak më vonë, në orën 8 e 37 minuta, ndodhi një shpërthim tjetër në stacionin e metrosë Parku i Kulturës. Edhe në këtë rast lënda shpërthyese ishte vendosur në vagonin e dytë dhe është aktivizuar në momentin, kur janë hapur dyert. Sipas llogarive të deritanishme, kanë vdekur të paktën 12 dhe janë plagosur 12 persona të tjerë. Në të dy rastet lënda shpërthyese është e panjohur. Autoritetet e mbrotjes nga katastrofat, zjarrëfikësit, shërbimet e sigurimit dhe mjekët ende janë në aksion."

Russland Zahlreiche Tote bei U-Bahn-Explosionen in Moskau‎

Policët evakuojnë njerëzit nga stacioni i metrosë, Parku i Kulturës

Autoritetet: Sulm me sfond terrorist

Autoritetet pohojnë se qëllimi i atentatorëve ishte vrasja dhe plagosja e një numri sa më të madh udhëtarësh. Vlerësohet se lënda shpërthyese në Lubjanka ka pasur fuqinë shkatërruese, sikur të ishin tre kilogram eksplozivi TNT.

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se sulmet i kanë kryer dy gra kamikazë. Lëndët e tilla mund të aktivizohen edhe përmes ndonjë mjeti elektronik. Banorët e Moskës janë shokuar nga këto sulme. Shumë prej tyre kujtojnë sulmet e vitit 2004, kur një atentator kishte aktivizuar një lëndë shpërthyese dhe kishte vrarë 40 udhëtarë. Vrasësi ishte një luftëtar nga Veriu i Kaukazit. Kryebashkiaku i Moskës, Juri Lushkov, pati shpjeguar më vonë se sulmet janë kryer nga vejushat e zeza, siç quhen gratë e kryengritësve të vrarë në Veri të Kaukazit. Islamistët e atjeshëm kohët e fundit kanë kërcënuar shpesh Rusinë me sulme terroriste. Javët e kaluara ka pasur aksione të shtuara antiterroriste në Ingusheti, Dagestan dhe Çeçeni. Gjatë këtyre aksioneve janë vrarë shumë persona, që dyshohet të kenë qenë udhëheqës të kryengritësve. Rebelët janë betuar se do t'ua marrin hakun.

Autor: Christina Nagel/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 29.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MgeJ
  • Data 29.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MgeJ