1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Të vrarë dhe të plagosur në Lindje të Ukrainës

Në "misionin anti-terror" të policisë ukrainase kundër grupeve proruse në qytetin Slavjanks ka pasur viktima nga të dyja palët. Toni midis Uashingtonit dhe Moskës gjithashtu është ashpërsuar.

Një agjent i shërbimit të fshehtë u vra dhe pesë të tjerë u plagosën. Në radhët e "separatistëve" ka pasur një numër të papërcaktuar viktimash. Këtë e bëri të ditur ministri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov. Trupat proruse ai i akuzoi "që përdorin njerëz si mburoja" dhe se hapin zjarr kundër forcave speciale "për t'i vrarë ato". Avakovi u kërkoi banorëve të qytetit që të mos largohen nga shtëpitë e tyre dhe që të qendrojnë larg dritareve.

Mision antiterror kundër personave të armatosur

Separatistët prorusë i ndezin tensionet në Lindje. Ata zhvilluan përleshje me forcat e sigurisë dhe morën kontrollin mbi ndërtesa të rëndësishme strategjike.

Ministri i brendshëm urdhëroi të dielën paradite një "luftë antiterror" kundër grupeve militante proruse. Ato vunë të shtunën në mbrëmje nën kontroll qytetin Slawjansk. Sulmuesit në uniforma lufte patën thirrur në fillim "Rusia!Rusia!" duke sulmuar në prani të shumë spektatorëve godinën e atjeshme të drejtorisë të policisë. Pastaj ata sulmuan godinën e shërbimit të fshehtë, SBU dhe një godinë të administratës. Në bashkinë e qytetit, sulmuesit ngritën flamurin rus. Në rrugët që të çojnë për në qytetin me 100.000 banorë, ata ngritën barrikada.

Tension dhe pasiguri në Donetsk

Në kryeqytetin e rajonit, në Donetsk, rreth 100 km larg Slavjanskut, 200 demonstratë prorusë të armatosur me kërbaçë sulmuan komisariatin qendror të policisë. Shefi i policisë dha dorëheqjen, duke u lëshuar pe aktivistëve prorusë. Edhe në Kramatorsk, 95 km larg kufirit me Rusinë, rrehth 20 vetë pushtuan pas një shkëmbimi zjarri komisariatin e policisë, siç bëri të ditur ministri i Brendshëm Arsen Avakov. Për luftime u bë e ditur edhe në Krasnyi Lyman. Sipas Avakovivit, luftëtarë të armatosur sulmuan me automatikë sulmi Kallashnikov, të cilët "gjenden vetëm në ushtrinë ruse" policinë.

Akvistët kërkojnë nga qeveria në Kiev një referendum për pavarësinë e rajonit të tronditur nga kriza. Presidenti kalimtar i Ukrainës, Alexander Turçinov mblodhi për shkak të gjendjes së tensionuar Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

SHBA kërcënojnë Rusinë

Për shkak të zhvillimeve më të fundit në Ukrainën Lindore, SHBA e kërcënuan Rusinë me pasoja të tjera. Ministri i Jashtëm, John Kerry foli në një telefonatë me homologun e tij rus, Sergej Lavrov për aksione "të koordinuara" të militantëve në Ukrainën Lindore, të cilët qenë pajisur me armë speciale ruse. Kerry hoqi paralele me ngjarjet në Krime para aneksimit rus të Gadishullit dhe e kërcënoi Moskën me pasoja të tjera, nëse nuk do të ketë hapa për shtensionimin e situatës në Ukrainën Lindore.

Ministri i Jashtëm rus, Lavrov sërish i hodhi poshtë akuzat nga Uashingtoni. Kriza e rëndë, është shkaktuar nga qeveria "e paaftë" në Kiev, tha Lavrovi sipas agjencisë Itar-Tass. Qeveria e Ukrainës i injoron të drejtat e popullatës rusishtfolëse, tha ai.

Biden në Kiev

Zëvendëspresidenti i SHBA, Joe Biden do të udhëtojë më 22 prill për bisedime me përfaqësues qeveritarë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Në vizitë ai do të theksojë "mbështetjen e fortë të SHBA për një Ukrainë demokratike të bashkuar", e cila "vendos vetë për rrugën e saj të ardhme", u bë e ditur në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë. Të enjten e ardhshme, SHBA, Rusia, Ukraina dhe Bashkimi Evropian do të zhvillojnë për herë të parë konsultime direkte në Gjenevë. Synimi është "shtensionimi" i situatës, bëri të ditur ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier.